E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Sandor Molnari, që i paraqiti Letrat-kredenciale.

19 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Hungarisë në Tiranë, Sandor Molnari, i cili i paraqiti Letrat-kredenciale.

Ambasadori hungarez i përcolli Presidentit Topi përshëndetjet e Presidentit të Hungarisë, Laszlo Solyom.

Kreu i shtetit e siguroi z. Molnari për mbështetje në misionin e tij në Shqipëri dhe i kërkoi t’i përcillte Presidentit hungarez, Solyom, përshëndetjet më të përzemërta dhe dëshirën për t’u takuar në Shqipëri.

Gjatë ceremonisë u shpreh reciprokisht dëshira dhe vullneti për thellimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve. Ambasadori hungarez e siguroi Presidentin Topi se Hungaria, si vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së, do të mbështesë të gjitha përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.

Presidenti Topi vlerësoi eksperiencën hungareze në politikat decentralizuese si të nevojshme për realitetin shqiptar.

Duke biseduar për situatën në rajon e veçanërisht mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, Presidenti shqiptar vlerësoi qëndrimet konstante të Hungarisë në mbështetje të Paketës Ahtisari në funksion të pavarësimit të Kosovës.

Ambasadori hungarez u shpreh se vendi i tij është thellësisht i interesuar për një zgjidhje afatgjatë dhe se do punojë për të mbështetur këtë proces.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›