E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhet e fshehta të ministres Bakojanis

Si Kryetare e radhës së OSBE-së, Greqia flet në emër të Europës për shqetësimet që i vijnë nga Shqipëria

Kryediplomatja greke i kërkon sot Tiranës, që të gjejë kurajë për të mbrojtur të drejtat e minoritetit

Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, e cila mbërrin sot në Tiranë, i dërgon disa mesazhe interesante publikut vendas. Një artikull që mban firmën e vetë ministres Bakojanis, iu ofrua lexuesve të "Shekulli"-t si një ekspozé e pikëpamjeve që Kryediplomatja e fqinjëve më të vjetër të Shqipërisë do të mbrojë në Tiranë gjatë vizitës në cilësinë e kryetares së radhës së OSBE-së.


Ministrja Bakojanis pritet të shprehë sot pikëpamjen se Shqipëria nuk ka kurajën e mjaftueshme për të mbrojtur të drejtat e minoritetit dhe, për ta thënë këtë, ajo do të përdorë jo më petkun e ministres greke, por atë të Kryetares së një organizate mbareuropiane.


"Shqipërisë i duhet të gjejë guximin dhe vendosmërinë...për të mbrojtur efektivisht të drejtat e njeriut dhe të pakicave", - shkruan ndër të tjera zonja Bakojanis në tekstin e saj drejtuar publikut shqiptar.


Më pas, ajo e rimerr këtë çështje, për të cilën në Tiranë ka shumë skepticizëm, kur flet për autonominë e pushtetit vendor në nivel rajonesh, gjë që u shndërrua edhe në një mollë sherri pak kohë më parë, kur radikalë himariotë e trajtuan këtë reformë të pushtetit lokal si një mundësi për shkeljen e sovranitetit të Shqipërisë. Bakojanis tërheq vëmendjen në tekstin e saj se, ecja e Shqipërisë drejt familjes Euroatlantike, kushtëzohet pikërisht me progresin në disa çështje, ndër të cilat renditet edhe ajo e "reformës rajonale administrative".

"Rrugëtimi drejt familjes Euroatlantike kërkon progres në reformën ligjore dhe gjyqësore, në reformën e pronave, reformën zgjedhore, progres në reformën rajonale administrative", - shkruan Bakojanis.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›