Gjeni guximin për minoritarët
Për herë të fundit e kam vizituar Tiranën më pak se një vit më parë, në mars 2008, vetëm dy javë përpara se Shqipëria të merrte ftesën për në NATO. Po kthehem me kënaqësi në Shqipëri, një vend optimist, i vendosur dhe i përkushtuar drejt procesit të integrimit europian. Këtë herë vij edhe si përfaqësuese e OSBE-së, një organizatë e përkushtuar në rrugën Euroatlantike të Shqipërisë.
Zgjodha Ballkanin Perëndimor si destinacionin tim të parë si Kryetare e OSBE-së, pikërisht sepse OSBE-ja është në një pozitë unike për ta ndihmuar rajonin në rrugën e tij drejt progresit. Organizata përfshin një koncept ambicioz të sigurisë mes shteteve, të bazuar në një themel vlerash të përbashkëta, angazhime të përbashkëta dhe në dinjitetin themelor të individit. Në këtë kuadër, përfaqësitë e OSBE-së në rajon janë të rëndësishme për nxitjen e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të stabilitetit rajonal.
Klima pozitive e konsensusit politik për reformat më kryesore në Shqipëri, e ka forcuar stabilitetin politik. Është e domosdoshme që kjo tendencë të ruhet dhe të vazhdohet me zbatimin e reformave kyçe nëpërmjet krijimit të konsensusit. Shqipëria ka bërë një progres të prekshëm gjatë këtyre 18 viteve, por përpara shtrohen ende shumë sfida: Reformat në gjyqësor dhe procesi zgjedhor duhet të përmbushin standardet e OSBE-së. Shqipërisë i duhet të gjejë guximin dhe vendosmërinë për të luftuar korrupsionin, për të mbrojtur efektivisht të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe për të forcuar më tej pavarësinë e institucioneve dhe shtetin e së drejtës.
Në këto përpjekje, Shqipëria ka mbështetjen e palëkundur dhe aktive të prezencës së OSBE-së në vend; një prezencë, e cila po bën një punë kyçe në një sërë fushash të rëndësishme. Rrugëtimi drejt familjes Euroatlantike kërkon progres në reformën ligjore dhe gjyqësore, në reformën e pronave, reformën zgjedhore. Progres në reformën rajonale administrative, rritjen e kapaciteteve parlamentare, në luftën kundër trafikimit dhe korrupsionit. Progres në zhvillimin e medias, nxitjen e qeverisjes së mirë, zhvillimin e shoqërisë civile dhe asistencën policore.
Kështu që, përkrahja e Greqisë për Shqipërinë është tashmë e dyfishtë dhe dy herë më e madhe. Kryesimi ynë i OSBE-së për vitin 2009, do të sjellë përfitime si për Ballkanin Perëndimor në tërësi, ashtu edhe për Shqipërinë në veçanti.
Pikërisht në këtë vazhdë, Kryesia greke e OSBE-së vendosi që ta caktojë Shqipërinë si vendin pritës të pjesës së dytë përgatitore të Forumit të 17 Ekonomik dhe Mjedisor, duke shprehur bindjen e saj se kjo mundësi është ideale për Shqipërinë, që ajo të vërtetojë gatishmërinë dhe angazhimin e saj për marrjen përsipër të kësaj detyre. Për Greqinë do të ishte një sukses i madh, nëse deri në fund të këtij viti - deri në fund të kryesisë greke - rajoni ynë të ishte një rajon evropian më i begatë dhe më i qëndrueshëm.
Megjithatë, përtej kësaj, Shqipëria mund të gjejë, si përherë, mbështetjen e vendosur e të vazhdueshme politike dhe ekonomike të Greqisë.
Greqia është një nga investitorët kryesorë të huaj në vend, me një kontribut domethënës në zhvillimin ekonomik. Por, zhvillimi i Shqipërisë shtrihet kryesisht brenda kuadrit Euroatlantik. Parlamenti grek do të ratifikojë së shpejti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërkohë që ka ratifikuar së fundmi Marrëveshjen e saj të Stabilizim Asociimit me BE-në. Mbi të gjitha, qeveritë dhe popujt e Greqisë dhe Shqipërisë kanë një partneritet të rrallë; një partneritet i rrënjosur në histori dhe në lidhjet që sot janë po aq reale sa pakica etnike greke, dinamike në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë gjithmonë e më të begatë në Greqi. Pikërisht përmes këtij partneriteti, ne - Greqia dhe Shqipëria - mund të ngrihemi së bashku në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.
* Kryetare e Radhës e OSBE-së, ministre e Jashtme e Greqisë