E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhet e një kolegu



…në drejtim “të paditur”…

Ka disa kohë që gazetari i mirënjohur i televizionit publik, z. Marash Mirashi, çdo të shtunë niset në drejtim “të paditur” së bashku me operatorin e talentuar z. Esat Çuçllari, duke sjellë vazhdimisht kuriozitete, enigma dhe surpriza me emisionin e tij simpatik e shumë domethënës “Hapësirë e blertë.

“Bredhja” e tij nëpër Shqipërinë malore e agro-turistike nga java në javë, larg zonave intensive bujqësore të vendit, duket se po sjell e po shpreh diçka tjetër, ndryshe nga vetëm disa vite më parë, kur bujqësia dhe vetë emisioni i tij ishin të ndrydhur deri në mbijetesë..., aq sa drejtuesit e mëparshëm të RTSH-së, më se një herë tentuan për ta larguar nga ky emision mjaft i dashur, i njësuar dhe i personifikuar me të.

Arsyeja ishte e thjeshtë, qeverisja e mëparshme e majtë, së bashku me median pranë saj, nuk ishte e interesuar për paraqitjen mediatike të resurseve agro-turistike dhe zhvillimit të bujqësisë vendase.

...po çfarë ka ndryshuar...?!

Së pari, mbi të gjitha ka ndryshuar këndvështrimi i vetë gazetarit Mirashi në raport me zhvillimin e bujqësisë në të gjitha zonat bujqësore të vendit, nga jugu në veri të tij.

Kjo ka bërë që të ndryshojë orientimi jo vetëm gjeografik i programit “Hapësirë e blertë”, por edhe fizionomia e tij, struktura dhe vizioni i tij...

Tash ky emision ka ndryshuar edhe në mesazhet të cilat ai transmeton, duke sjellë nga java në javë freski të shoqëruar me kuriozitete, që i kanë munguar shpeshherë jo për faj të tij, por për mungesën e impenjimit sa e si duhet të drejtuesve të RTSH-së, të cilët ende edhe sot e kësaj dite nuk e kuptojnë detyrimin që ata kanë ndaj bujqësisë dhe fshatit në tërësi, aty ku është edhe numri më i madh i shikuesve dhe taksapaguesve të Televizionit Shqiptar.

Meqenëse ra fjala, bërja e një emisioni nuk është e lehtë, aq më tepër sot, kur zhvillimi i bujqësisë dhe fshatit shqiptar e ka kaluar fazën e urisë së para 3-4 viteve, kur nuk prodhonte as 2-3 muaj në vit nga toka e vet...

...emisioni është më i shikuar...

Në këtë kuadër, kur fshati çdo ditë e më tepër po orientohet nga ekonomia e tregut, falë edhe politikave të drejta të qeverisë e Ministrisë së Bujqësisë, ky emision po e rrit audicionin e tij, jo vetëm brenda vendit, por edhe në diasporë, aty ku jetojnë e punojnë shumë shqiptarë të emigruar vitet e fundit.

Edhe mua më ka rastisur që të më telefonojnë të njohur e të afërm të mi kur unë kam qenë pjesëtar i këtij emisioni. Nga një llogaritje e thjeshtë, nisur mbi përqindjen e shikueshmërisë së TVSH-së në raport me stacionet e tjera televizive, e cila është në shifrat e 30-35% të publikut, i takon që ky emision të shikohet njëherësh nga rreth 1 milion teleshikues.

Bile, shpeshherë mua më ka takuar që njerëz të cilët nuk kanë lidhje fare me bujqësinë, ta kenë parë emisionin, siç duket për nga variacioni i temave që shpesh janë më tepër se interesante, siç janë ato që kanë të bëjnë me punimet e artizanatit në fshat, të cilat sjellin vlera të rralla e të papërsëritshme edhe për agro-turizmin.

...emisioni është bërë më shqiptar...

Fakti që Marash Mirashi është “larguar” me shumë dinjitet nga qendra e Shqipërisë drejt zonave “më të egra” e malore të vendit, tregon se sot, ndryshe nga pak vite më parë, në Shqipërinë tonë të dashur lëvizet lirshëm e në rrugë të reja; se edhe në zonat e thella malore jetohet e punohet. Edhe aty prodhohet për vete e për tregun e lirë. Por ata kanë nevojë për më shumë rrugë e infrastrukturë se deri tani.

Atje kanë rifilluar të afrohen “të ikurit” e para 10-15 viteve, të cilët të detyruar nga “sukseset” e Partisë së Punës për 50 e sa vjet në fshatin “socialist” e lanë atë për të ikur nga sytë këmbët ...?! A thua se fajinua kishte toka, katundi, pyjet e livadhet e bukura, për të cilat Naim Frashri këndonte para 100 e ca vjetësh...?!

Ajo tokë i kishte mbajtur në vite e shekuj, kësisoj ajo nuk mund të ishte ferri i Dantes për ta?! Ferri i Dantes u bë komunizmi që me injorancën klasike të tij nuk la gjë pa bërë në ato troje (kujtoj se edhe pulat i futi në tela me gjemba), derisa i detyroi ata njerëz fisnikë ta urrejnë tokën, e cila i kishte trashëguar brez pas brezi...!!!???

Ata po kthehen për të investuar e punuar në tokën e të parëve të tyre dhe po e bëjnë atë me shumë sukses, edhe pse ende jemi në fillimet e saj. E rëndësishme është se rikthimi ka nisur, e kjo po ndodh pikërisht gjatë kohës që vendi po qeveriset nga një grup intelektualësh shqiptarë me gjak, me mendje e me zemër shqiptari. Këtë po thotë edhe Marash Mirashi në emisionin e tij 30 e sa minutësh .

...emisionin po e kërkojnë intelektualët...

Më se klasik për këtë gjë, ishte rasti i emisionit të javës së kaluar mbi Steblevën.

Vetë mënyra e organizimit dhe shprehjes të emisionit të jepte përshtypjen se Marash Mirashi së bashku me Esat Çuçllarin ishin “rrëmbyer” nga disa intelektualë jo vetëm me banim në Steblevë, por edhe në Tiranën vetëm 100 km larg prej andej.

Këta intelektualë donin kush e kush më tepër të tregonin mbi vlerat e asaj zone me të vërtetë të bukur malore. Dukej që impresioni i tyre ndaj vendlindjes ishte i madh. Gjatë intervistave ata treguan se vlerat agro-turistike të krahinës së tyre nuk mund të ishin rikthyer si të tilla, pa i shoqëruar ato me vlerat intelektuale dhe atdhetare të të parëve të tyre.

Gjithashtu, emisioni po konsolidon mesazhin se ndryshimet për mirë në vendin tonë e aq më tepër në fshat, nuk mund të jenë të pranishme pa pjesëmarrjen e intelektualëve që vijnë nga zonat respektive, të cilët më mirë se kushdo njohin vendin, traditën, zakonet, resurset natyrore e rrugët për t’i ringritur ato në nivele më të larta.

...emisioni duhet mbështetur...

E kam thënë edhe herë tjetër në shkrimet e mia se media bujqësore duhet mbështetur me të gjitha mjetet e mundësitë për dy arsye mjaft të rëndësishme:

Së pari, sepse ky emision është i vetmi që merret më bujqësi në mbarë median shqiptare në një kanal mbarëkombëtar dhe së dyti, sepse ndikimi i medias në bujqësinë tonë është i padiskutueshëm dhe me vlera të patjetërsueshme.

Emisioni duhet mbështetur nëpërmjet zgjerimit të hapësirave kohore për bujqësinë dhe fshatin shqiptar, të cilët në 2-3 vitet e fundit po tregojnë se zhvillimi i tyre është pjesë e pandashme e zhvillimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Ndërkohë që sot bota perëndimore po u rikthehet investimeve politike dhe ekonomike ndaj zonave rurale pas më shumë se gjysmë shekulli, do të jetë e pafalshme për politikën tonë të djathtë që nëpërmjet të politikave të zhvillimit rural, ta kthejë e orientojë edhe fuqinë e medias në interes të këtyre politikave...

Të paktën ne e kemi shembullin perëndimor për këtë së bashku më iniciativat e guximshme të intelektualëve autoktonë, të cilët po gjejnë shprehjen e tyre edhe në emisionin e Marash Mirashit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›