E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëria «e përkryer»

1- Bankat qendrore në SHBA dhe në Bashkimin Evropian njoftuan këtë javë ulje të normës së interesit për depozitat. A është ky një tregues që kriza financiare për të cilën u fol aq shumë ka kaluar dhe sa pozitivisht mund të ndikojë kjo për investimet e huaja në Shqipëri?

Do të uroja të ishte kështu sikurse thoni ju. Të gjithë kemi interes që kriza financiare të kalojë sa më shpejt. Por, nuk e di nëse ulja e normës së interesit bankar për depozitat që praktikojnë disa banka tregon me siguri që kriza ka kaluar. Nuk mund ta them dot. Ajo tregon vetëm se bankat që e zbatojnë kanë dëshirë më pak të thekur të mbledhin para dhe kursime. Por, kjo mund të vijë nga shumë faktorë. Le ta shohim, por kriza, të jeni të sigurt, është ende larg së përfunduari. Duhet të qëndrojmë optimistë.

2- Pritet që këtë javë të nisë mësimi në universitetet në mbarë vendin. Në ndryshim nga vitet e tjera, në këtë fillim viti kjo temë pothuajse nuk është prekur dhe nuk është debatuar në opinionin publik. Çfarë mendoni se e shkakton këtë lloj qetësie? A duhet që edukimi dhe arsimimi të jetë një nga temat kryesore për publikun e gjerë?

Keni të drejtë kur konstatoni se nuk ka pasur ndonjë debat të fortë dhe cilësor lidhur me problemet e arsimit të lartë në prag të këtij fillimi të vitit të ri akademik. Kjo vjen nga shumë arsye, mendoj unë. Së pari, disa reforma të domosdoshme për t’u ndërmarrë në fushën e arsimit të lartë, të cilat u ndërmorën pas shumë debateve dhe kundërshtive, tani duket se me hir a me pahir janë pranuar. Për to mund të diskutohet gjerë e gjatë, mund të shihen anët pozitive dhe negative të tyre, sepse asnjë masë që ndërmerret nuk mund të jetë e pashoqëruar nga ato që në sociologji quhen “pasoja të papritura të padëshiruara”. Koha e këtyre debateve brenda politikave të koalicionit të partive tashmë në fuqi prej disa vitesh duket se ka kaluar. Opinioni është mësuar me këto reforma ose i ka pranuar, kundërshtarët e tyre kanë parë se votimi në Kuvend i ka kthyer ato në ligje, përkrahësit nuk kanë përse u rikthehen sepse e quajnë kohë të humbur, ndërsa pastaj ka një masë gri, të gjerë, e cila e ndjek evolucionin e ndryshimeve institucionale në mënyrë tepër indiferente, nuk dëshiron as ta shqetësojnë dhe as të shqetësojnë njeri, flasin nëpër kafene, shtëpi, mes shokësh, janë të shkëputur nga politikat dhe debati publik, ca se janë lodhur, ca se duan të flenë, ca sepse janë të mërzitur nga politika, ca sepse e kuptojnë jetën në të drejtë të tyre, si një përpjekje ku ia vlen vetëm të shohësh se çfarë mund të bësh për interesat e tua të ngushta, thjesht kaq.

Në këtë këndvështrim, u pranua fakti i maturës shtetërore dhe në parim, pavarësisht problemeve të mëdha që ajo ka në zbatim, duhet konsideruar me të drejtë si një shkëputje prej një të kaluare korruptive ku konkurset e hyrjes në shkollat e larta paraqisnin probleme të jashtëzakonshme morale dhe të tjera. Nuk e di se çfarë mendojnë kolegët e mi, por në sektorin e arsimit, ku punoj, ndiej se studentët na vijnë më të përgatitur. Kemi një “brumë” më të mirë, sikurse thuhet në zhargonin e arsimtarëve. Kjo do të thotë, në vija të përgjithshme që përzgjedhja sipas kriterit meritë – preferencë në kuadrin e sistemit të maturës shtetërore ecën.

Pastaj, përfundoi hëpërhë edhe “historia” e ligjit për arsimin e lartë. Caktimi i elitave drejtuese u bë më zgjedhje të lira, çka e konsideroj si rrugë normale dhe të drejtë dhe janë përcaktuar disa kompetenca të cilat në njëfarë mënyre i ndajnë “pushtetet” brenda njësive universitare duke bërë të domosdoshme që në universitete të ketë vend për dialog dhe negocim, jo për urdhra dhe përqendrim të tepruar. A është mësuar kultura e debatit dhe e negocimit të gjatë midis universitarëve? Kam frikë se jo, por sidoqoftë kjo nuk ka lidhje me kuadrin ligjor, por me kulturën dhe dëshirat, me nivelin politik të operatorëve universitarë.

Po kështu, u debatua mjaft dhe u kundërshtua në forma të ashpra hapja e sektorit privat të arsimit të lartë. Pa dyshim që ky sektor ka problemet e veta, madje shumë të mprehta, sikurse edhe ai publik. Por, ideja e reformës në këtë drejtim u pranua dhe unë gjykoj se ekzistenca e sektorit të arsimit të lartë privat është shprehje e lirisë, që vjen në kundërshtim me autoritarizmin pedagogjik, lejon larushinë e përzgjedhjes, do të krijojë në të ardhmen energji për një kulturë të lirë, të vërtetë. Unë jam i shpresës se si sektori publik, ashtu edhe ai privat i arsimit të lartë mund të kenë të dy njësoj të ardhme, kanë të dy njësoj probleme, kanë mundësi të ecin paralel, të ushqejnë njëri-tjetrin, të përkrahin njëri-tjetrin. Është gabim t’i mendosh në forma rivalitetesh, pengesash, të shohësh me sy të dyshimtë si nga njëra anë, ashtu edhe nga ana tjetër. Kjo mund të ketë ndonjëherë kuptim në nivel administratash dhe drejtuesish, ndërsa për studentët, për pedagogët, për prindërit, për shoqërinë, për të mirën publike, nuk ka kuptim të mos pranosh bashkëpunimin e ngushtë midis faktorëve humanë apo intelektualë që punojnë në të dy sektorët. Shihni tekstet, librat, manualet, përkthimet shkencore. Cili ka epërsinë këtu? Pa dyshim sektori privat, nga i cili përfiton sektori publik i arsimit të lartë. Shihni sfondin human të kapaciteteve shkencore. Cili është më “i fortë” në këtë pikë? Pa dyshim sektori publik, të paktën hëpërhë, se prurje të reja po vijnë nga jashtë, pedagogë të rinj po afrohen bollshëm, të cilët do të bëjnë që brenda një kohe edhe sektori privat të ketë, në mënyrë të pavarur nga sektori publik, kapacitetet e veta, të pavarura, intelektuale. Sektori i arsimit të lartë privat ka avantazhe që e bëjnë atë superior ndaj sektorit publik, por edhe ky i fundit ka kapacitete të pashtershme, që po qe se elitat drejtuese të tij do të dinë t’i shfrytëzojnë sadopak, atëherë edhe ai është i pakrahasueshëm me fuqitë e sektorit privat.

Personalisht, jam partizan i një politike bashkëpunimi, ndërthurjesh, sinergjish, mirëkuptimi, liberalizimi të marrëdhënieve midis dy sektorëve, dhe kam të gjitha motivet dhe forcat për të bërë që arsimi i lartë, kjo e mirë ndoshta më e madhe e kombit, të funksionojë si një e tërë larg konkurrencave pa kuptim, mërive diskursive të padobishme dhe pengesave administrative. Pedagogëve shqiptarë, shkencëtarëve shqiptarë që duan të punojnë, duhet t’u jepen të gjitha kushtet dhe liritë për ta çliruar atë energji që kanë të mbledhur, e cila nuk është pronë e askujt, veçse e atyre vetë, në plan personal dhe e kombit që i ka në gjirin e tij.

Quhet e mbyllur edhe çështja e kërkimit shkencor dhe e konceptit të Akademisë. Kërkimi shkencor është modeluar tani rishtazi duke u parë si pjesë e sistemit të arsimit. Institute të rëndësishme të kërkimit shkencor ose u bashkëngjitën në universitete, ose krijuan qendra më vete në varësi të Ministrisë së Arsimit. Nuk dihet ende se çfarë rezultatesh do të japë edhe kjo masë, por po them vetëm se transformimi është kryer në planin institucional.

Nuk mund të rri pa thënë edhe se është arritur një liberalizim i madh i hyrjeve të studentëve në shkollë të lartë. Nuk besoj që të ketë shqiptar të ri në moshë të shkollës së lartë, që të dojë dhe të mos gjejë, këtu apo aty, një mundësi për t’u regjistruar në një shkollë të lartë. Ikën ditët e nxehta ku kandidatë për studentë qëndronin ngujuar në shkallët e ministrisë për të marrë një të drejtë studimi. Shoqëria dhe familja në këtë plan është qetësuar. A ka vetëm të mira kjo masë? Gjykoj se veç të mirave ka edhe pasoja të padëshirueshme, të cilat duhet të evitohen. Nuk ka, e thashë, asnjë reformë, vetëm me pasoja të kënaqshme. Kush mendon kështu dhe e gjykon shpresën e tij për të pasur sukses në politikë, duke u kapur pas anëve negative të reformave, gjithnjë do të gjejë, miell për të bluar në mullirin e propagandës, por gjithmonë do të jetë e dyshimtë nëse një ligjërim i tillë është në sensin e historisë, është në interes të publikut apo jo ? Kjo është puna. Nuk ka shoqëri perfekte. As ka pasur dhe as nuk do të ketë kurrë.

Në literaturën e sotme politologjike ka një mendim, i cili i ndan kritikat që i bëhen një gjendjeje të caktuar politike apo institucionale në dy grupe. Grupi i parë është ai i kritikave që kanë si pikëmbështetje një mentalitet që formësohet jashtë sistemit. Këto janë kritikat më të lehta për t’u bërë, më radikale, por njëkohësisht edhe më të padobishmet. Krijohet në kokë një botë perfekte dhe prej këndej, nga kjo imagjinatë e kulluar për një shoqëri ideale, ndërmerren kritika që quhen jashtëdemokratike. Kjo është gjëja më e lehtë në botë dhe kështu edhe para publikut dukesh si shumë i pastër. Por, ka megjithatë një hipokrizi në këtë çështje. Ta zëmë, po të nis ta mendoj sistemin e arsimit të lartë shqiptar, duke e krahasuar me atë të universiteteve më të mira perëndimore, kam frikë se mund të arrihej nga dikush në përfundimin se të gjitha shkollat e larta shqiptare duhen mbyllur, meritojnë kyçin, bravën e hekurt te portat e tyre. Por, ka edhe një grup tjetër kritikash që quhen brendasistemore, nga brenda, të cilat e kuptojnë se një model perfekt nuk ekziston, të cilat pranojnë se çfarëdo masë reformuese veç anëve pozitive ka edhe pasoja anësore të padëshirueshme. Dhe e gjykon e kritikon sistemin nga brenda funksionimit të tij, duke parë si dëshirat, por edhe kushtet, mundësitë, që shpesh nuk janë shumë të gjera.

Kështu për shembull, hapja e dyerve të universiteteve që janë krejt të përgjithshme dhe që japin një dije tepër abstrakte, ndonjëherë larg cilësisë së duhur, pa baza bibliografike, larg nevojave të kohës, jo vetëm ka rrezikun e prodhimit të papunësisë intelektuale në pesë vitet e ardhshme, por edhe nivelon vlerat e kombit, dhe harxhon ndonjëherë kot energji rinore që mund të drejtoheshin në fusha të tjera. Arsimi profesional nuk është i zhvilluar si duhet. Përkthimet nga gjuhët e tjera janë për faqe të zezë në lëmin shkencor. Kërkimi shkencor është në nivele ende shumë të ulëta. Debati po ashtu. Marrëdhëniet me botën universitare perëndimore janë krejt në shpërgënj. Mekanizmat e shpërndarjes së fondeve dhe burimeve financiare për mësimin dhe shkencën janë aspak nxitës. Për të mos folur për bazën logjike të shkencave sociale dhe humane apo natyrore që është vjetruar në mënyrë të ndjeshme dhe duket se ndihet në një fazë stagnacioni të paparë. Bota private e biznesit është pak e interesuar për atë që bëhet në shkollat e larta dhe arsimi i lartë publik dhe privat funksionon si një kështjellë e rrethuar, pa fonde private të ardhura jashtë arsimit dhe nga jashtë. Puna e pavarur në grup dhe aktivizimi i studentëve në një të mësuar krijues, në grup, drejt kërkimit është ende në nivele shumë të ulëta. Revistat shkencore kanë një cilësi që i bën të qëndrojnë në sirtarët e atyre institucioneve që i botojnë. Bibliotekat tona nuk janë aspak qendra të vërteta dokumentacioni, por kanë stoqe librash të vjetra, të dala nga koha, ku mungon literatura e sotme dhe e kaluar e qenësishme. Kam frikë se informacioni shkencor botëror nuk vjen në Shqipëri. Lidhja e studentëve me internetin si burim informacioni shkencor dhe kulturor është shumë e pandjeshme, bile edhe e vetë pedagogëve dhe e punonjësve shkencorë. Ka një nivel jashtëzakonisht të ulët bashkëpunimi të vërtetë shkencor me ekipe ndërkombëtare dhe të huaja. Pedagogë të huaj të ardhur në brigjet tona ka fare pak. Kurse ato që botohen nga ne nuk janë të matshme dhe nuk konkurrojnë në tregun global të ideve. Ka një problematikë shumë të gjerë që ende nuk është cikur, që kërkon punë, bashkëpunim, solidaritet, e mbi të gjitha, mirëkuptim dhe shpirt të gjerë larg dyshimeve dhe qëndrime egoiste. Për të mos folur pastaj që titullimet e diplomave te ne janë krejt abstrakte dhe nuk janë në funksion të vendeve të punës në profesionet e reja për të cilat ka nevojë shoqëria e sotme. Kam përshtypjen se universitetet dhe tërë sistemi i arsimit të lartë ka vend që të shohë se nuk mund të jetë i organizuar në atë mënyrë që të orientohet drejt një strukture profesionesh që është ajo e viteve ’60 të shekullit të kaluar ku sapo kishte mbaruar faza e luftës kundër analfabetizmit dhe po hidheshin bazat e një industrializimi politikisht të sforcuar, të mbështetur mbi mekanikën. Sot nuk është bota e mekanikës, por e elektronikës, nuk është bota e sektorit parësor dhe dytësor, por e atij tretësor. Nuk është bota e ruralitetit bujqësor, por e ndërthurjes urban – rurale. Ne duhet të rinovojmë pra finalitetet e formimit të studentëve duke i orientuar ata në zanatet e reja. Studenti shqiptar lexon shumë pak, jo se nuk di apo nuk dëshiron, por sepse ende nuk gjen një bazë bibliografike të duhur.

Me një fjalë, unë e shoh gjendjen në mënyrë të tillë. Këta tre vjet janë ndërmarrë reforma të guximshme, të cilat mirë a keq, nuk është se nuk shkojnë në drejtimin e evropianizimit dhe emancipimit të sistemit të arsimit të lartë. Por, ndërsa struktura institucionale është ndërmarrë, mbetet të shihet se si do të funksionojë. Duhet parë funksionimi i saj, i cili paraqet nevojën tani të rishikimit të të gjitha anëve profesionale. Jo të gjithë aktorët më duken në nivelin e detyrave që kanë marrë përsipër. Pra, jemi në fazën që ndryshimi institucional ka përfunduar, ndërsa reagimi pozitiv profesional, nisur nga baza e re institucionale, ende nuk ka filluar nga të gjithë. Kjo është një periudhë e ndërmjetme, shumë e rrezikshme, shumë delikate, që mund ta lërë reformën në mes të rrugës, të paplotësuar, të pandrequr në pika të dobëta, e mbi të gjitha, të gjejë pengesa të ndryshme subjektive nga operatorë të nisur nga interesa thjesht të ngushta. Çdo reformë institucionale dhe ligjore, sado e mirë që të jetë, mund të kthehet në të kundërtën e saj, nëse nuk i shkohet deri në fund, nëse nuk përpunohet aspektet e saj profesionale dhe administrative. Ligja është një gjë, praktika është një gjë tjetër. Askush nuk mund të mjaftohet me atë se meqë reforma në planin ligjor është kryer në pikat themelore, makina tani do të ecë vetiu. Jo, nuk është kështu. Ka, për shembull, shumë hapësira ligjore brenda sistemit të arsimit të lartë që kanë mbetur të paeksploruara në praktikë dhe nga operatorët që veprojnë në këtë fushë. Pra, kanë mbetur në letër sepse ka grupe të caktuara që i pengojnë.

Kjo periudhë, midis kryerjes së një reforme institucionale ligjore, e cila ka përfunduar në disa nga pikat themelore të saj, dhe zbatimit të saj praktik në planin nënligjor, administrativ, profesional, që përfaqëson një fazë tjetër, ka sjellë që politika të ulë interesimin për atë që po ndodh në arsimin e lartë, kurse aktorët e arsimit të lartë po përpiqen të akomodohen në kushtet e reja, disa duke bërë ndryshimet e duhura e pozitive në stilin e tyre të punës, disa, shumë prej tyre, duke iu përshtatur ndryshimeve, për të mbetur në statukuonë e vjetër. Kjo shpjegon heshtjen për të cilën ju më pyesni. Heshtja publike është varrmihësja e demokracisë. Unë kam frikë se mos ndodh ajo që thotë Gustav Le Bon, se reformat shpesh, kur operatorët praktikë i pengojnë, nuk janë më ndryshim realitetesh, por ndryshim i fjalëve me të cilat njerëzit quajnë realitetet e vjetra që mbesin po ato. Ndryshim fjalësh dhe jo jetese. Kjo nuk duhet të ndodhë.

3- Kryeministri Berisha zhvilloi javën që kaloi një debat publik në TV Klan me gazetarët në lidhje me qeverisjen trevjeçare. Komentet mbi këtë debat thonë se Kryeministri arriti të bindte panelin dhe publikun mbi rezultatet pozitive të arritura nga qeverisja e tij gjatë këtyre viteve. Cili është komenti juaj?

Kjo pyetje i duhet drejtuar panelit dhe jo mua. Ku e di unë nëse zoti Kryeministër arriti apo jo t’i bindte gazetarët që e pyesnin apo edhe studentët që ishin në atë auditor? Gazetarët mund të bëjnë sikur binden dhe në fakt nuk kanë qenë të bindur ose kanë qenë të bindur dhe kanë bërë sikur dukeshin ende jo të bindur nga argumentet e zotit Berisha. Unë lexoj shumë veprat e Ervin Goffman-it, i cili ka përpunuar teorinë e maskës, që, si teori, e vlerësoj fort. Televizioni është maska e maskës. Por, le të mos hyjmë në këto ujëra teorike që të mos e mërzisim ish-mikun tim të inatosur, poetin e vetëshpallur, krejt të dështuar, ish-gazetarin mediokër, i cili kërkon të paraqesë interesat e tij egoiste e familjare si shqetësime publike, që vuan nga uria e vazhdueshme në formë anoreksie psikike, e kam fjalën për berberin Qenan K.

Unë nuk gjykoj se zoti Sali Berisha, sikurse çdo politikan tjetër me përvojë sikurse është ai, kërkon që në një emision televiziv të bindë thjesht panelin që ka përpara. Paneli televiziv pothuajse nuk ka rëndësi vendimtare në ligjërimin politik televiziv. Ata janë aty për të bërë pyetje, sigurisht, por puna është të binden milionat e telespektatorëve, pra publiku, sikurse thoni ju, që e ndjekin para ekranit shtrirë në divanet e tyre, para gjumit të darkës, ca me sy hapur, ca duke u përgjumur nga lodhja e ditës, ca duke ngrënë, e ca duke zapuar, e rrotulluar stacionet. Por, për këtë duhen bërë sondazhe, të cilat ende nuk i kam për emisionin që ju flisni, të cilin e ndoqa me interes dhe kënaqësi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›