E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e lehtë e deformimit

Që nga ngjarja e Gërdecit e deri më sot, Tirana politike dhe ajo tjetra janë përfshirë nga një rrëmujë informative me bazë gënjeshtrën, mashtrimin dhe deformimin, si rrallë ndonjëherë. Po ashtu si rrallë ndonjëherë deformimet janë kthyer në mjet politik të një pale për të sulmuar tjetrën. Rrëmbimi pas tragjedisë së Gërdecit i zyrtarëve të opozitës dhe medias pranë saj, e mjegulluan shumë çështjen, kanë vështirësuar punën e Prokurorisë dhe duke shërbyer si mjete presioni politik, më shumë po dëmtojnë procesin sesa po e inkurajojnë atë.

Pavarësisht se ngjashmëria nuk qëndron, skema e manipulimit të ngjarjeve për përfitime politike është e njëjtë edhe në rastin e vdekjes së Trebickës dhe kjo e ditëve të fundit mbi çështjen “Fazlliç”.

Në rastin e aksidentit të Trebickës, një ndër dëshmitarët kyç të trafikut të dyshuar të armëve drejt Afganistanit, një teknologji e tërë intimidimi, u ngrit nga opozita dhe mediat afër saj pa kurrfarë provash dhe pa kurrfarë baze arsyetimi, përveç traditës së medias e politikës shqiptare për të ndërtuar konspiracion rreth gjithçkaje. Kjo histori debati rreth çështjeve që nuk zgjidhen për shkak të debatit që bëhet për ta, por pas një hetimi dhe mbledhje provash, tenton të ulë besueshmërinë te institucionet publike dhe ndërkohë t’i sjellë ato te logjika e palëve. Cilido qoftë përfundimi i institucioneve kur është brenda logjikës së palëve, edhe nëse është i vërtetë, bëhet tërësisht i debatueshëm.

Nëse më sipër kishim rastin e komprometimit të institucioneve publike, ky i Damir Fazlliç është i një lloji tjetër, një subjekt lehtësisht i ngjitshëm te media dhe publiku për shkak se është biznesmen, për shkak se merret me politikë, për shkak se ka mik Kryeministrin dhe familjarë të tij, për shkak se është me origjinë serbo-boshnjake, pra futet edhe “kurthi gjeopolitik”. Por bie në sy lehtësia me të cilën ky subjekt mediatik kalon nga gazetat tek opozita, duke u fryrë si argument politik i opozitës për të dobësuar qeverinë vetëm me argumentet e mediave dhe burime të paidentifikuara.

Megjithatë, të tri rastet e përmendura duke këmbëngulur fort publikisht kanë krijuar tashmë besimin se mekanizmi i turbullimit dhe fabrikimit është një model i zgjedhur nga opozita, për të bërë fushatë kundër qeverisë. Jo se nuk është përdorur më parë nga politika shqiptare ndërtimi i zhurmës mbi ngjarjet, por sa herë është përdorur nuk ka pasur efekt dhe është kthyer në bumerang për përdoruesit. Njerëzit e qetë janë shumicë edhe përballë tensioneve të mëdha sociale. Janë ky grup qytetarësh që vendos notat në fund. E majta ka pasur gjithnjë një përkujdesje të madhe ndaj imazhit të saj dhe performancës publike, edhe kur nuk e ka pasur të nevojshme atë përkujdesje. Përkundrazi, të djathtët kanë qenë rrëmujaxhi në përcjelljen e mesazheve dhe shpesh janë mbërthyer nga ngjarjet pa marrë shumë përfitim prej tyre. Ata e kanë provuar këtë teknologji për gati dhjetë vjet, edhe kur kanë qenë në qeveri para ‘97, edhe pasi dolën në opozitë. Fatmirësisht ata kanë hequr dorë e fatkeqësisht ato vese i ka asimiluar e përforcuar opozita.

Media dhe politika janë dy momente të ndryshme publike përballë ngjarjeve, skandaleve dhe së vërtetës. Media ka të drejtë të dyshojë shumë më tepër sesa politika edhe pa pasur në favor faktet. Ajo ka të drejtë të dyshojë se Fazlliç ka pastruar para në Shqipëri, edhe kur nuk ka të drejtë. Mund të thotë se Trebicka në këndvështrimin e reporterëve të saj është vrarë nga qeveria ose një komando diversantësh të trafikantëve të armëve.

Politika ka të drejtë po ashtu të dyshojë, por kurrë pa pasur në favor faktet. Kjo, për arsye se ajo është në vendimmarrje ndryshe prej medias dhe lidhjet e saj me institucionet publike janë më të ndërlikuara se ato të lexuesit me gazetën që blen në mëngjes. Shqipëria ende ka probleme me civilizimin e shoqërisë dhe rrjedhimisht edhe të politikës, e si rrjedhim edhe të opozitës. Ajo nuk ka shumë mjete në dispozicion, për të furnizuar me të vërteta gjithë ditën luftën politike në Shqipëri, por nuk duhej ta kishte edhe kusurin që të duronte deformimin si pjesë të përditshmërisë së saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›