E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhi, Rama thërret në Pallatin e Kongreseve kandidatët

06/04/2011  Partia Socialiste hap nesër zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit

Partia Socialiste çel nesër zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit. Kështu, pasditen e kësaj të enjteje, lidershipi socialist ka vendosur që të thërrasë në ish-Pallatin e Kongreseve të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste që do të garojnë për kryetar bashkish, komunash dhe për këshilltarë vendorë në një takim, i cili do të sinjalizojë dhe startin e nisjes në mënyrë reale të garës së ethshme elektorale. Prej dy ditësh, grupi i punës pranë PS-së, i ngarkuar pikërisht me organizimin dhe menaxhimin e fushatës elektorale, është marrë me dekorin e sallës së koncerteve, ku do të spikasë slogani që do të shoqërojë kampin opozitar përgjatë gjithë muajit deri në ditën kur sovrani do t’u drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për qeverisjen vendore.

Fushata

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin e nesërm do t’u përçojë të gjithë kandidatëve për kryetar bashkie e komune dhe zgjedhjet vendore të 8 majit mesazhin që mbart në vetvete një garë e tillë elektorale. Kështu, në orën 5 të pasdites së nesërme, kandidatët socialistë, së bashku me drejtuesit e fushatës elektorale të ndarë sipas zonave përkatëse, do të bashkohen në Pallatin e Kongreseve për të hapur zyrtarisht fushatën elektorale. Kjo fushatë do të jetë e përqendruar në kundërvënien e ashpër ndaj mazhorancës qeverisëse, duke u fokusuar kryesisht në akuzat për përfshirje në afera korruptive të përfaqësuesve të shumicës. Për këtë arsye, pritet që dhe vetë fjala e kryetarit të PS-së, Edi Rama, të pasqyrojë një këndvështrim të tillë të situatës në vend. Ndërkohë që grupi i punës që merret me organizimin e këtij eventi ka ideuar që salla në të cilën do të zhvillohet një takim i tillë të përçojë forcën reale që ka partia më e madhe opozitare në këtë garë të ethshme, e cila për të gjitha strukturat e partisë nga qendra në bazë konsiderohet si një garë për zgjedhje politike.

Takimi

Nën sloganin “E vetmja rrugë”, kampi opozitar do të kërkojë votën e shqiptarëve për të drejtuar njësitë vendore në vend. Ndërkohë që pas zyrtarizimit të emrave që do të përfaqësojnë PS-në në këtë garë, Rama thirri në një takim informal të gjithë kandidatët për kryetarë bashkish dhe komunash, që do të garojnë nën siglën e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”. Gjatë këtij takimi, konkurrentët morën orientimet e para mbi organizimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit. Orientimi kryesor për kandidatët ishte pikërisht bashkëpunimi mes radhëve, duke synuar eliminimin e çdo kontradikte të lindur gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidaturave. Ndërkohë që në takimin e nesërm do të jenë pjesë dhe partitë aleate të PS-së, pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”.

Gara

“E vetmja rrugë” do të jetë slogani me të cilin koalicioni “Aleanca për të ardhmen” do të prezantohet gjatë gjithë fushatës së saj elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. Bashkëpunimi me të gjithë anëtarësinë, mbështetësit si dhe me aleatët e PS-së është porosia kryesore që lidershipi socialist dha për kandidatët që do të konkurrojnë në zgjedhjet lokale të 8 majit.

Organizimi

Drejtuesit e shtabeve elektorale kanë nisur prej ditësh ndarjen e detyrave për stafin që do të merret me organizimin e fushatës. Kështu, duke qenë se në këtë fushatë për vendoret është menduar që i gjithë organizimi të jetë i decentralizuar, deputetët që drejtojnë këto shtabe, të ndarë sipas zonave përkatëse, kanë nisur shpërndarjen e materialeve zgjedhore.

Spotet televizive të lëvizjes “Zgjohu”

PS kallëzim penal në prokurori për fondet e saj

Partia Socialiste depozitoi dje një kallëzim penal ndaj lëvizjes “Zgjohu”. Këtë nismë kampi opozitar e bazoi në spotet e publikuara në televizione nga kjo lëvizje, të cilat sipas PS-së kanë në thelb të cënojnë të majtën. Ishte deputeti i PS-së, Taulant Balla, ai i cili dorëzoi kallëzimin penal në Prokurorinë e Tiranës. “Jemi shumë të shqetësuar për atë që po ndodh prej muajsh me një organizatë të ashtuquajtur të shoqërisë civile, e cila ka shpenzuar dhe po shpenzon shuma të pallogaritshme parash në një fushatë publicitare me mashtrime dhe gjuhë urrejtjeje kundër opozitës, kundër PS, ndërsa vetë drejtuesit e kësaj organizate nuk dinë dhe nuk japin shpjegime se nga burojnë këto shuma të pallogaritshme parash. Vetëm në muajin shkurt kjo organizatë ka shpenzuar në këtë fushatë të paligjshme publicitare kundër opozitës, 500 mln lekë”, vuri në dukje Balla gjatë prononcimit të tij për shtyp. Sipas tij, kallëzimi ishte në emër të drejtuesve të kësaj organizate, që përdorin para të pista, për të bërë një fushatë joligjore publicitare. “Ku është KKRT, ku është KQZ-ja, të cilat nuk duhet të lejojnë një organizatë të tillë të përdorë fonde, para për këtë fushtë joligjore publicitare? Kush është burimi i këtyre parave? Ata kanë burime kusarie, janë para të pista”, u shpreh Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›