E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Në maj hapen 13 km të segmentit Dames-Tepelenë

06/04/2011  Rruga e re do të lidhë më mirë zonën dhe pjesën tjetër të vendit

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, inspektoi punimet në segmentin rrugor Dames-Tepelenë, pjesë e autostradës Levan-Tepelenë. Ai u shpreh se para sezonit turistik do të hapen për trafikun 13 km rrugë të kësaj autostrade. “Jemi në një fazë të avancimit të shpejtë të punimeve, sikurse kontraktori na njofton, 7 kilometrat e para do të hapen brenda fundit të muajit prill, pra në ditët e para të majit dhe në fund të qershorit do të kemi 6 km të tjerë për të vajtur në tetor me pothuajse gati të gjithë rrugën të hapur, me përjashtim të pjesës së hidrocentralit të Kalivaçit”,- tha Olldashi. Në të njëjtën kohë, punimet kanë avancuar edhe në ndërtimin e urave, që janë pjesë e këtij segmenti, ura e Ali Pashai-t dhe ajo e fshatin Luftinjë. “Të gjitha punimet po kryen me standardet dhe cilësinë e duhur duke pasur parasysh që ky është një aks shumë i rëndësishëm i transporti për gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm për lidhjen me Greqinë. Ajo që vlen të theksohet është që përpara sezonit turistik ne do të kemi mundësinë të hapim segmente të qenësishme të këtij aksi, për t’i vënë në shërbim të përdoruesve të rrugës, dhe atyre që do të synojnë të arrijnë drejt brigjeve të Jugut, Sarandës dhe destinacioneve të tjera turistike”, – tha Olldashi. Supertostrada Levan-Tepelenë është një rrugë shumë e rëndësishme për zonën. Përveç përfitimeve direkte në shkëmbimin tranzit të mallrave drejt qendrave të banuara në Jug e më tej drejt Greqisë dhe anasjelltas, rruga e re do të lidhë më mirë zonën dhe pjesën tjetër të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›