E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhi elektronik drejtuar Edvinit: “Dridhe belin, se e ke pisk!”

26-01-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Shenjtanllëqet i kanë në gjak komunistët. Janë mësuar që në fillim të fillimit dhe përfitimet përmes karakterit të dobët, u janë bërë natyrë e dytë. E kemi fjalën jo vetëm për enveristët e vendit tonë, por edhe për komunistët e Stalinit, si edhe për komunistët në përgjithësi. Kështu janë bërë të privilegjuar nulitete, njerëz pa shkollë që u “graduan” “juristë” injorantë, qysh pas nëntorit të vitit 1944. Gjykonin viktimat e tyre duke mos njohur  mirë as ligjet e Vishinskit, sipas të cilit lufta e klasave ka prioritet edhe në proceset politike.
Me gjakun komunist që iu vlon nëpër deje, edhe “fitimtarët” e revolucionit demokratik (sipas Qoses; bolshevik, sipas demokratëve), kallashqafët tregishtorë të ’97-s, diktonin vetë postet që duhej të kishin për pirjen e gjakut të rrogëtarëve të rendit që s’kishin bërë asnjë krim; për djegiet, shpartallimin e kadastrave, grabitjet në masë të kundërshtarëve demokratë. Pretendime për postet, kishin kuptimin se edhe injorantët me shkollë fillore kërkonin vende fitimprurëse, si në doganat, në vjelje taksash, e kësisoj vendesh pune, duke u mburrur se kishin bërë kaq e aq zullume, se dinin ta luanin mirë gishtin  e këmbëzës së kallashnikovit! Tani, që kanë rënë në opozitë qysh në vitin 2005, janë tërbuar dha janë bërë të paduruar që të rifitojnë sa më shpejt tetëvjeçarin e humbur. Atë tetëvjeçar të cilin Rama, i lumturuar që humbi paraardhësi i tij në vitin 2005, brohoriti: “E kishim me hak që humbëm zgjedhjet për shkak të korrupsionit galopant... (e një varg mësymjesh të tjera, për t’i rrëmbyer karrigen dhe për të trembur të korruptuarit, të cilëve iu bë mburojë Theodhori Sollaku). Por autorit të dosjeve të pluhurosura, iu bë palë vetë ai që mori skeptrin në dorë dhe e bëri Sollakun e depolitizuar, anëtar të Asamblesë Kombëtare të partisë emërndërruar. Tani, dje apo pardje, na del Namik Doklja dhe na deklamon: Edi Rama i pranon gabimet, ndërsa Fatosi nuk i pranonte!  Kjo është historia, që bëhet në funksion interesash!
Në të vërtetë, Fatosi, sikur të mos pranonte gabimet dhe të shprehej tërë tangërllëk (siç bën Rama), e të deklaronte: “zgjedhjet i fitova unë, por m’i vodhën”, a e di Namiku se mund të mos ia lëshonte karrigen të babëziturit për fronin e kreut të PS-së, Edvinit, të cilit tani po ia kreh bishtin?  “M’i vodhën” – tha edhe S. Ngjela, duke aluduar se vjedhësi i votës për bashkinë e Tiranës, kur ishte ai rival, qé Edi Rama. Por ky i fundit nuk e paraqiti si ngjarje dhe preferoi të mos i përgjigjej. Komunistët i kanë tema tabù, ato që nuk u interesojnë.
***
21 janari është një manifestim i dhunshëm, madjé subversiv, për të vënë pushtetin në dorë, pa zgjedhje. Pesë orë policia u provokua nga njerëz të paguar dhe të instruktuar të cilët, fillimisht, u morën me goditjet e ruajtësve të kryeministrisë, të cilët nuk luajtën vendit. Pastaj mësymësit iu vërsulën portës së hekurt të kangjellave të kryeministrisë. Ende durimi i gardistëve qé i lavdërueshëm. Drejtori i përgjithshëm i policisë, z. Hysni Burgaj, pati fjalët më vlerësuese nga vëzhguesit ndërkombëtarë ndaj përgjegjësit të detyrës për ruajtjen e kryeministrisë, që përmendëm. Por ja që dështuesit e kësaj veprimtarie për të marrë pushtetin me dhunë, kanë interes që të ngatërrojnë detyrat dhe supozojnë se këtë detyrë e kishte L.Basha. Kjo rrjedh edhe për inerci. Sepse gjatë të gjithë fushatës, kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, cilësohej si vrasës. Veçse populli i dalloi mirë këto skenare mashtruese. Përse nuk e la me kaq organizatori (dhe jo organizatorët, në shumës) këtë tentativë të dështuar, por pa viktima gjer në orën  14:48’  dhe e shtoi zullumin me sjelljen e një makine që të përplasej me portën e hekurt të rrethimit me kangjella metalike, të kryeministrisë? Do të ishin shmangur viktimat. Është e padyshimtë, tashmë, se viktimat mund dhe duhet të shmangeshin. Përse nuk u bë kjo, kur flitet për organizim, për ndarje me grupe në patronazh, për korrespondencë me celularë ndërmjet tyre, etj.? Sepse njërën nga të dyjat: me çdo kusht të “kapitullonte kryeministria”, me konsekuencë të të vrarëve, natyrisht. Viktimat duheshin si në rastin e vrasjes së Kirovit nga Stalini, që të mos përsërisim edhe rastet e tjera të bujshme të udhëheqësve të tjerë të partisë, të varrosur me nderime. Kaq duhej për shpërthimin e një vale të gjerë terrori në BS. Enveri veproi sipas shembujve të tillë! Pasardhësit e tij, po ashtu!
Ky skenar, i përcjellë nga veprimtaria kriminale e Stalinit, si edhe e stalinistit Enver Hoxha, është përvetësuar mrekullisht edhe nga veprimtari enverist, Edi Rama. Ky e shmang djallëzisht ç’është bërë në Pezë, me praninë e tij. E kemi parë në në foto, me shami të kuqe në qafë, në grumbullin e pafund të fotografive të diktatorit, pranë  veteranëve, që do të dëshironte t’i ekzekutonte në librin e ekskomunikuar “Refleksionet”. Për çudi, pasi i dogji të gjithë ekzemplarët e këtij libri, të tërhequr nga të gjitha libraritë dhe të zhdukur duke i shkrumbuar, tani merr guximin dhe e quan, në faqen 285 të “Kurbanit”, “Refleksionet e famshme!”. Bëhet si ata që vrasin njeriun e familjes dhe pastaj bëhen pishman dhe qajnë me lot krokodili! Vetëm mbi këtë episod tragjik mund të shkruhet gjatë. Por ne nxitojmë të mbarojmë.
***
Tani u bë e ngeshme edhe kryeprokurorja Ina Rama që të hetohen deputetët socialistë për veprën penale të parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal si edhe për shkelje të ligjit 8773 për “tubimet”. Për të bërë tymnajë kundër akuzave të dokumentuara në raportin e Policisë Gjyqësore, të datës 7 shkurt 2011 dhe të dorëzuara Kryeprokurores, tani na del edhe Saimir Tahiri dhe na thotë se me këto akuza kërkon edhe ai që të hetohet. Ka edhe nga ata që kërkojnë të fshehin gjurmët e krimit, që kërkojnë një arrestim kolektiv! Të tjerët i shohin me ironi këto pirueta të shëmtuara. U kujtohen kooperativistët që kërkonin të binin në sy për mirë (në gjendjen “na mori që na mori lumi”) : Shënomëni edhe mua! Viktimat janë në ndërgjegjen dhe në përgjegjësinë e atij që është bërë shkas viktimash, vetëm për interesa krejt vetjake!
Një qyfyrexhi i ka bërë një SMS një shoku të E. Ramës, që ta dërgojë në destinacion, se nuk e ka numrin e celularit të kryetarit të PS-së, me këto fjalë: “Dridhe belin, tani, se e ke pisk!”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›