E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhi i Brukselit Problemet zgjidhini vete

Ministri i jashtëm Hungarez Janos Martonyi vend i të cilit për 6 muaj mbajti presidencën e Bashkimit Europian, tha se Brukseli nuk mund të zgjidhë problemet në Shqipëri. Në një bilanc të punës 6-mujore, duke folur për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, ministri Martonyi përmendi si rast pozitiv, Kroacinë dhe shprehu keqardhjen që politika në Shqipëri është e ndarë, në të njëjtën kohë bëri thirrje për bashkëpunim.

“Ne e kemi theksuar tashmë shumë herë se ne nuk duam të mos ketë më zona të izoluara në Europë. Europa duhet të ribashkohet plotësisht. Ky proces nuk ka mbaruar ende. Dhe ne kemi punuar shumë për këtë qëllim. Gjatë kësaj periudhe ka pasur shenja shumë pozitive, si Kroacia, të cilës i jam referuar pak më parë. Por në disa vende ka edhe probleme, siç është, për shembull, Shqipëria. Por ne nuk mund të zgjidhim problemet tuaja.  Na vjen vërtet keq, por jeni ju ata që duhet t'i zgjidhni vetë ato. Dhe për këtë duhet një minimum bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes dy partive. Ju pra, jeni të ndarë. Kjo është normale në një demokraci.  Por duhen ruajtur, megjithatë, kufijtë”-tha Martonyi.

Më 1 korrik presidenca e Bashkimit Europian i kalon një vendi tjetër të ish-Lindjes komuniste, Polonisë. Sikurse Hungaria në këta 6 muaj, edhe ky vend ka shprehur interes për t'i ndihmuar vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, në rrugën e tyre të integrimit europian.

Gjovalin Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›