E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhi i Kosovës për shqiptarët e Preshevës

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të ndarë përsëri për sa i përket pjesëmarrjes apo jo në zgjedhjet që do të zhvillohen në Republikën Serbe. Ju si Kryeministër i Kosovës, çfarë mesazhi u keni përcjellë atyre?

I kam takuar shumicën e liderëve politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kosova ka një qëndrim rreth kësaj çështjeje: partitë politikë atje duhet të marrin vendim në përputhje me vullnetin e qytetarëve, të përfaqësimit legjitim të tyre në institucionet përkatëse. Në çdo rrethanë duhet të jenë unikë si politikë dhe si qytetarë, të kenë bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, të marrin vendime që i avancojnë të drejtat e tyre demokratike, për angazhime kombëtare, demokratike dhe qytetare, për paqe dhe stabilitet edhe në atë pjesë të rajonit. Ato takime që kemi zhvilluar kanë qenë shumë reflektuese. Prandaj besoj se të zgjedhurit e popullatës së asaj treve do të marrin vendimin e duhur dhe do të jenë pjesë e angazhimeve të pjesëmarrjes politike. Ata duhet të luajnë rolin e tyre për paqe dhe stabilitet, të krijojnë kushte edhe më të mira për krijimin e diasporës dhe që diaspora të investojë aty, të fillojnë me zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe normalisht, rajoni do të demokratizohet më tepër, do të hapen kufijtë. Në takimet që kemi bërë, si institucione të Kosovës, mesazhi ynë ka qenë shumë i qartë: ai i mirëkuptimit, i unitetit, por edhe i përgjegjësisë nga ana e tyre për zhvillimin e demokracisë dhe të të drejtave kombëtare.

Ndërkohë, zgjedhjet në Serbi janë një sfidë e madhe edhe për sa i përket sovranitetit të Kosovës, pasi qeveria e Serbisë ka marrë vendimin se do t‘i zhvillojë këto zgjedhje edhe në territorin e Kosovës. Ju si Kryeministër keni marrë ndonjë vendim se si do të veprohet për këtë çështje?

Serbia shpeshherë ka marrë vendime për Kosovën, por vendime që nuk janë realizuar kurrë. Serbia mund të mendojë apo të imagjinojë për Kosovën, janë kryesisht vendime të shekullit të kaluar që nuk përkojnë fare me realitetin. Definitivisht, Beogradi duhet të bindet se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, i njohur prej vendeve më të fuqishme botërore. Prandaj ky pretendim është joligjor, i papranueshëm dhe nuk do të pranohet nga askush, as nga Kosova dhe as nga bota demokratike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›