E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Luginës, të ndarë për zgjedhjet serbe

Përfaqësues të partive shqiptare të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit shprehën qëndrimet e tyre për zgjedhjet serbe të 11 majit në emisionin "Shqip" në "Top Channel". Në emisionin e Rudina Xhungës ishin të pranishëm edhe analisti i njohur serb, Dushan Janiç, dhe politikania serbe, Vesna Pesiç.

Ǒmesazh do t‘i përcillni elektoratit tuaj?

Jonuz Musliu: Ne njihemi këtu në Preshevë se kush jemi, sa jemi dhe sa kemi vepruar. Gjithsecili prej nesh duhet ta masë veten jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Do të sugjeroja: kush do të dalë në votime, le të dalë, kush nuk do, le të bëjë thirrje për bojkot. Kryesia ka marrë një qëndrim dhe ne këtë qëndrim e plotësojmë deri më 11 maj. Ftojmë qytetarët të dalin sidomos për zgjedhjet lokale që janë më thelbësorë, në mënyrë që Komuna e Bujanocit të përfaqësohet me më shumë këshilltarë. Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare. Le ta shohin shqiptarët se sa mund të bëjnë, sidomos me përfaqësuesit e tyre, të cilët janë në Kuvendin e Serbisë, por nëse nuk shkojnë në zgjedhje nuk do të përfaqësohen asnjëherë.

Ragmi Mustafa: Është një mesazh që e përcjellim në çdo tubim paraelektoral që kemi me lektorin e Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë e Bujanoc. Janë të përgatitur dhe le të përgatiten për zgjedhjet lokale. Në Preshevë le të rrethojnë numrin 3 për të vazhduar që të jenë pjesë e fitores. Në këtë drejtim, Partia Demokratike Shqiptare do të japë kontributin më të madh për realizimin me më shumë sukses zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet lokale dhe parlamentare realizohen në shtetin serb. Pse është patriotike të jesh në zgjedhjet lokale dhe jopatriotike të jesh në zgjedhjet parlamentare?

Ragmi Mustafa: Është shumë e qartë që Partia Demokratike Shqiptare bën punë të efektshme e të frytshme dhe jo punë boshe. Jemi të orientuar për të bërë në punë të efektshme dhe të frytshme atje ku kemi fuqinë e vendosjes dhe të vendimmarrjes. Dhe këtë e kemi te zgjedhjet lokale.

Riza Halimi: Militarizimi i rajonit, zhvillimi ekonomik, realizimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve, janë objektiva themelore që ne i patëm në zgjedhjet e kaluara dhe vazhdojnë të jenë aktuale. Besojmë se me përfaqësues legjitimë, pushtetet lokale në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë do të jenë shumë më të suksesshme dhe kemi fakte se Presheva këto 2-3 vite ka mbetur serioze në krahasim me Bujanocin. Si deputet, kam pasur bashkëpunim, ndërsa zoti Mustafa nuk ka pasur gatishmëri për bashkëpunim. Këto gabime nuk duhet t‘i përsërisim dhe në këtë drejtim, ofrojmë me programin tonë me kuadër dhe vizion të gjerë, që ne, pas zgjedhjeve të 11 majit, të ofrojmë një jetë të sigurt për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Mejdi Zeqiri: Mesazhi im është gjithashtu i qartë. Ftoj të gjithë simpatizantët e Unionit Demokratik Shqiptar që më 11 maj për zgjedhjet lokale të rrethojnë numrin 9, kurse për zgjedhjet parlamentare numrin 17.

Zoti Janjiç vjen nga Beogradi. Ai është president i Klubit 21, një fondacion që po orientohet në një lëvizje politike drejt demokracisë sociale. Është specialist i shkencave politike, ka botuar mbi 200 libra dhe artikuj, jep mësime jashtë Serbisë. Sistemi serb, zoti Janjiç, m‘u duk pak i ngatërruar, ku kishte një disfavor për pakicat, në këtë rast për shqiptarët...

Dushan Janjiç: Është e vërtetë që situata në Serbi është paksa e komplikuar prandaj edhe zgjedhjet janë mjaft të ndërlikuara. Janë zgjedhjet lokale, Vojvodina dhe Parlamenti Qendror. Ndërkaq, skema politike është shumë e thjeshtë, madje mund të them se është pak si tepër e thjeshtë. Kemi një parti, që është Partia Radikale e Serbisë, e cila e vetme ka diku rreth 10% të votave. Pastaj kemi një koalicion që udhëhiqet nga Kryeministri i tanishëm Koshtunica. Lista është e përafërt me radikalët dhe ato të kryetarit Tadiç. Pastaj është edhe partia me orientim evropian e Presidentit Tadiç, kemi edhe Partinë Liberale. Po ashtu, kemi edhe mbeturinat e Partisë Socialiste të Millosheviçit, si dhe partitë e pakicave. Shumica dërrmuese është e drejtuar në drejtimin nacionalist dhe po ashtu, shumica dërrmuese është e drejtuar në rrugë liberale. Kështu që, në thelb, nuk kanë zgjidhje meqë çdo herë ndodh një ngjarje, e cila i ngatërron punët. Kësaj radhe, nga njëra anë është Kosova, nga ana tjetër Evropa. Ndërkaq, qytetarët mendojnë se si do të jetojnë. Është mjaft e ndërlikuar. As unë nuk e kuptoj.

Kur isha në Preshevë dhe tregova që ju do të ishit i ftuar, më folën me shumë simpati për ju. Ju kishin ndjekur jo pak në analizat tuaja në Beograd. Ata më kërkuan t‘ju bëj një pyetje: Përse ata duhet të votojnë kur votat e tyre nuk i kërkon askush? Tadiç ishte para disa ditësh në Vranjë dhe nuk shkoi më tutje në Luginën e Preshevës, pra askush nuk bën fushatë atje...

Dushan Janjiç: Mund t‘ju them se me kolegët e Luginës së Preshevës bashkëpunojmë shumë mirë dhe sikurse e dini, ata, për shumë vite me radhë, marrin pjesë vetëm në zgjedhjet lokale. Në një farë mënyre ata janë qeveritarë, kanë votuesit e tyre, prandaj asnjëra nga partitë qendrore nuk tenton që të hyjë në vathën e vet. Kjo është njëra anë e problemit. Ana tjetër, është e vërtetë se shqiptarët i kanë bojkotuar zgjedhjet qendrore, por pushteti qendror asnjëherë nuk i ka ngritur duart nga kjo pjesë e territorit të Serbisë. Tani të themi diçka pozitive. Që nga zgjedhjet për kryetarin e Serbisë dhe deri tani, puna ka ndryshuar. Një pjesë marrin pjesë në votime dhe me siguri që ky qëndrim do të qetësojë atmosferën, mirëpo ka dhe një problem tjetër. Duhet të kuptohen njerëzit në Jug të Serbisë, sepse ata e kanë ende të vështirë të vendosin se ku jetojnë, a jetojnë në Serbinë Qendrore apo në Kosovë. Le të jemi realistë; në shumë mendje ekziston ideja për këmbim territoresh, por unë mendoj se pasi të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës dhe pas zgjedhjeve, çdo gjë do të bëhet e qartë dhe mbetet që Beogradi të ndërmarrë hapin e tij, që të bëjë një strategji serioze për bashkëpunimin në ato komuna, duke kaluar përgjegjësinë e vet në pushtetin lokal.

Cili është parashikimi për zgjedhjet në vendin tuaj dhe cila do të ishte zgjedhja më e mirë sipas jush?

Dushan Janjiç: Duhet të them se në Serbi gjithmonë ndodh diçka historike, kështu që për ne historia është bërë një barrë e rëndë. Në thelb, që nga viti 2003, partia e Tadiç po vërteton se vetëm ajo është proevropiane, ndërsa radikalët pohojnë se janë atdhetarë. 70 për qind e qytetarëve janë proevropianë, madje edhe nëse fitojnë atdhetarët, janë të detyruar të dëgjojnë shumicën e qytetarëve. Mua, Serbia më duket tani për tani si fëmijët në një fushë loje dhe jemi shumë afër për të rënë nga trampolina poshtë në ujë. Ka budallenj që mund të hidhen e të vetëvriten, por besoni që politikanët tanë dëshirojnë të mbeten të gjallë. Nuk është absolutisht zgjedhje që ne të shkojmë në drejtim të Rusisë, nuk kemi mundësi t‘i themi "jo" Bashkimit Evropian, por ne kemi probleme në vend. Nuk do të befasohesha nëse qeveria e re do të jetë e përbërë nga radikalët dhe Koshtunica dhe pas brenda një viti ta arrestojnë Mlladiçin dhe pastaj, pas një viti, ata të thonë që Rusia kërkon që ne të shkojmë drejt BE-së. Kam dy gjëra për Kosovën dhe Preshevën: situata e Kosovës nuk mund të kthehet prapa, por nuk kemi në Serbi njerëz që ta pranojnë, kështu që qeveria pasardhëse nuk ka për të ndryshuar asgjë. Thelbësore është që ajo të mos nxisë ndeshje të reja. Ndërsa për sa i përket problemit të Preshevës, jam optimist. E di që politikanët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme do të kuptojnë dy çështje që kanë rëndësi në zgjedhjet qendrore. E para është të hyjnë në koalicion me pakicat e tjera, së bashku mund të kenë 10 vende në Parlament. Dhe e dyta, me dy vende në Parlament, nëse dinë të bëjmë mirë tregti, kanë mundësi të kenë një kontroll të rëndësishëm të buxhetit, thënë ndryshe "mirëserdhe në Serbi".

Zonja Peshiç, çfarë prisni nga këto zgjedhje dhe nga do të shkojë Serbia pas 11 majit?

Vesna Peshiç: Kjo është e vështirë të thuhet tani. Është e njohur që Serbia disi është e ndarë. Kemi dy blloqe, është ai radikal, aty është edhe Koshtunica me Partinë e tij Demokratike të Serbisë, është edhe Partia Socialiste si vazhdimësi e partisë së Millosheviçit. Këto do t‘i vendosja në një bllok që e vendosin sërish Kosovën dhe çështjet kombëtare mbi të gjitha çështjet. Pra, nuk mund të flasim për asgjë, nuk mund të zgjedhim asgjë, nëse nuk e zgjidhim këtë çështje, edhe nëse nuk e vendosim në plan të parë. Ata kanë kryqëzuar çështjen e Kosovës dhe BE-së, vazhdimisht thërrasin, kushtëzojnë BE-në; në ç‘kufijsh e njohin Serbinë, a është Kosova në Serbi e kështu me radhë. Këta qytetarë janë antievropianë dhe nacionalistë. Kurse kjo tjetra udhëhiqet nga Partia Demokratike e Boris Tadiçit, me një listë që quhet Lista për Evropën ose Lista Evropiane, ku ka më shumë parti, ministri Mllaxhan Dinkiç, Vuk Drashkoviç, Nenad Çanak nga Vojvodina, Rasim Lajiç nga Sanxhaku, dhe janë edhe disa parti të tjera të vogla. Dhe, ekziston (ELL-DE-PE në serbisht ose Partia Liberaldemokratike) LDP-ja, pra partia ime, e cila gjithashtu i përket këtij blloku. Por që të jemi më të saktë, sa i përket Bashkimit Evropian: Ne konsiderojmë se nuk duhet të kushtëzohet me asgjë, as ta lidhim me Kosovën, por që është interesi ynë kryesor dhe se është dashur të shkojmë prej kohësh atje.

Flitet se është e mundur që radikalët dhe Koshtunica të formojnë qeverinë e ardhshme. A është kjo e mundur dhe a mund të jetë e qëndrueshme, pra a mund të jetë në një afat më të gjatë?

Vesna Peshiç: Është e vështirë të thuhet se si do të duket kjo, por ekzistojnë mundësi reale, nga të dhënat që duken tani, se këto tri parti, radikalët, DSS (Partia Demokratike e Serbisë) dhe socialistët të marrin mbi 126 deputetë kur të bëjnë koalicionin. Por, edhe kjo e bllokut demokratik ka gjithashtu gjasa të njëjta dhe do ta vlerësoja këtë si "fifty-fifty" (gjysmë për gjysmë) ose barazim, nëse radikalët do të fitonin zgjedhjet. Shpresoj që ata nuk do të rrinë shumë në pushtet, gjë që ndoshta do të shkundë të rehatuarit dhe do të bashkojë njerëzit në ndërrimin e këtij pushteti. Nuk përjashtoj edhe atë mundësi. Bashkimi Evropian nuk do të ndalojë dhe do të bisedojë me ta. Nuk përjashtohet mundësia e një ndikimi, presioni. Edhe pse ata nuk janë të lehtë, ndoshta do të mësojnë kur të vijnë në pushtet, kur të bisedojnë me të tjerët nga BE-ja, kur të dëgjojnë pak, mund të përmirësohen edhe ata.

Përse asnjë parti nuk shkon në Luginën e Preshevës dhe si e vlerësoni integrimin e shqiptarëve dhe pakicave të tjera në Serbi?

Vesna Peshiç: Kur flitet për shqiptarët, ndoshta ata janë më pak të integruar. Megjithatë, herën e kaluar, Riza Halimi ka qenë deputet në Parlament, kurse partitë e tjera nuk e kanë pranuar këtë gjë. Ai ka qenë i vetëm, edhe pse kanë pasur mundësinë të kishin më shumë përfaqësues. Mendoj se pakicat e tjera janë integruar mjaft. Hungarezët janë konsoliduar, kanë bashkuar katër partitë e tyre dhe paraqiten mjaft të bashkuar. Është bërë një problem që nuk e di se si ka ardhur, pasi edhe nga pakicat kanë kërkuar 10 mijë nënshkrime për pjesëmarrje në zgjedhje dhe nuk e di se si do të arrijnë, nuk e di nëse në Luginë do të dilnin bashkë, nëse nuk do të kishin probleme as me nënshkrimet. Por mund të ndihmonim edhe ne nëse do të ishte problem, sepse kemi dëshirë që pakicat të marrin pjesë dhe që edhe shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›