E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhi i Krishtlindjeve: “Udha e paqes është udha e dashurisë”

26-12-2011 / Gazeta 55

Në ditën e shënuar të lindjes së Krishtit, shqiptarët u lutën për një vit më të mbarë. Urimi i Kryeministrit Sali Berisha: “Krishtlindja tjetër, më afër ëndrrave tona”

“Kjo ditë është akti më madhor. Urimet më të përzemërta për besimtarët! Le të urojmë bashkërisht që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë, më afër ëndrrave tona”. Ky ishte mesazhi që përcolli për të gjithë besimtarët kryeministri, Sali Berisha, i cili zhvilloi një vizitë në Kishën Katolike dhe Ortodokse në ditën e kremtimit të Krishtlindjes.
Në ditën e lindjes se Jezu Krishtit, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, vizitoi Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, ku u pritën nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos dhe më pas Selinë e Kishës Katolike në Tiranë, ku u pritën nga Arqipeshkvi metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita.
Duke iu drejtuar besimtarëve të krishterë, por edhe të gjithë shqiptarëve, Kryeministri Berisha shprehu urimet e përzemërta për besimtarët ortodoksë e të krishtere shqiptarë dhe për gjithë besimtarët e Zotit, që siç u shpreh ai, nderojnë këtë ditë, aktin më madhor të jetës së jetës së shoqërisë njerëzore, lindjen, aktin më të mrekullueshëm.
“Nderojmë jo vetëm lindjen, por lindjen e një burri, i cili do të martirizohej, flijohej, për të ndriçuar mendjet e njeriut. Le të falënderojmë Zotin për ndihmën e tij të madhe që u ka dhënë dhe u jep shqiptarëve, të cilët festojnë sot këtë ditë më mirë se kurrë në historinë e tyre. Le të urojmë bashkërisht që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë më afër ëndrrave tona”, uroi Kryeministri Berisha.
Më herët Kryeministri Berisha, deklaroi dje se këto Krishtlindje janë më të bukura, si festa e shpresës nga lindja e Krishtit
“Krishti zgjodhi martirizimin, kryqëzimin për të përcjellë virtytet më të larta të shpirtit të tij, vlerat e çmuara morale, tek njeriu dhe njerëzimi. Me martirizimin e tij, Krishti ndikoi më shumë se çdo kush tjetër në vlerat morale të njerëzimit. Jezu Krishti është Profet edhe në libra të tjerë. Në Kuran ai zhvillon betejën e fundit dhe e fiton këtë betejë, pra është shpëtimtari. Kështu që, në të gjitha rrafshet kjo është një ditë e bekuar, një festë për të cilën dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët, për një vit të mbarë, një vit që kësaj radhe i takon të jetë viti i 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, vit në të cilin shqiptarët hyjnë më të lirë, më krenarë dhe më të begatë në historinë e tyre. Proceset e pavarësimit janë procese që kanë kaluar në sakrifica të mëdha njerëzore. Për shqiptarët ky proces lindi në Lidhjen e Prizrenit dhe u sos me Pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Berisha, dje para vizitave në komunitetet fetare, ortodokse e katolike.
Ndërkohë mesazhe urimi erdhën dhe nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Gjithashtu, në kremtimet e Krishtlindjeve nuk munguan dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranën zyrtare, si ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth. Nuk kanë munguar dhe urimet e deputetëve nga të dy kampet politike. Një mesazh të shkurtër urimi dha edhe nga ish-kryesocialisti socialist, Fatos Nano.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›