Kryeministri Berisha: Sistemi shëndetësor do të shkëputet përfudimisht nga modeli i dështuar socialist
Kryeministri Berisha shprehu sot angazhimin e qeverisë për kompletimin e reformës në sistemin shëndetësor në mënyrën më të njerëzishme dhe më cilësore.
Duke e cilësuar si jetike reformën në sistemin e shëndetësisë, Kryeministri tha se projektligji i ri ka përmbledhur eksperiencën më të mirë të ligjeve, të disa vendeve, ka patur ekspertizën dhe sugjerimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-it, UNFPA-së dhe institucioneve të tjera direkt të fushës dhe të lidhura me fushën.
“Ne po ecim me reformën e sistemit shëndetësor që është dhe më e vështira e të gjitha sistemeve të tjera, por është jetike dhe ne jemi të vendosur të ecim në mënyrën më të njerëzishme dhe më cilësore”, u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha siguroi shqiptarët se vitin e ardhshëm do të mundësohet që sistemi shëndetësor i vendit të shkëputet përfundimisht nga modeli i dështuar socialist.
“Vetëm viti 2009 shënon shkëputjen e tij nga ky model dhe ecjen e tij drejt sistemeve të organizimit modern të financimit të zhvillimit të shtrirjes edhe drejt sektorit privat. Ne po miratojmë ligjin, kemi miratuar dhe ligjin e ilaçeve kemi vendosur që këtë vit Instituti i Sigurimeve Shëndetësore të nisë blerjen e produkteve në spitalet e vendit. Kemi vendosur decentralizimin e menaxhimit të këtyre spitaleve, do të kompletohet 3-4 muajt e parë dixhitalizimi tërësor i sistemit”, u shpreh Kryeministri.
Mendoj se këto janë përpjekje shumë serioze për ta shpejtuar procesin e kësaj reforme u shpreh Kryeministri dhe ekipi i Ministrisë së Shëndetësisë ka një vullnet të plotë të procedojë me reformën pa të cilën nuk përmbush misionin e tij. Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se disa vendime të tjera shumë të rëndësishme janë marrë nga Ministria e Financave për fonde dytësore që krijojnë një parashikim tjetër për të bërë një rritje më të madhe të rrogave në këtë sistem mbasi kaloi mbi baza të reja menaxhimi dhe administrimi.
“Do t`i quaja këto hapa para shumë të rëndësishme të një reforme që nuk mund të kompletohet dot për një vit, do një kohë më të shtrirë, por një ndihmë e madhe është këtu vendosja e sistemit të identifikimit, jashtëzakonisht e çmuar sepse ky vend i ka të gjitha mundësitë duke shmangur informalitetin, të japë ndihmën më cilësore cilitdo qytetar që ka nevojë”, theksoi Kryeministri duke vlerësuar se vendosja e sistemit të ri të identifikimit të qytetarëve është një avantazh shumë i madh për të gjithë funksionimin e sistemit të shëndetësisë.
29/12/2008