Kryeministri Berisha: Projektligji për planifikimin dhe administrimin e territorit, zgjidhje bashkëkohore për të gjitha pengesat burokratike
Kryeministri Berisha e vlerësoi sot gjatë mbledhjes së qeverisë projektligjin për planifikimin e territorit si Kushtetutën e planifikimit dhe administrimit të territorit, i cili vendos një bazë tërërisht të re ligjore këtë proces.
“Projektligji për planifikimin e territorit, i cili përfaqëson Kushtetutën e planifikimit dhe administrimit të territorit, është produkt i një diskutimi të gjerë me të gjitha grupet e interesit, projekt i cili vendos në një bazë të re tërësisht ligjore procesin e planifikimit dhe administrimit të territorit, i jep një organizim të ri trajtimit të këtij problemi dhe zgjidhje bashkëkohore për të gjitha pengesat burokratike që deri më sot me vonesat dhe me mospërcaktimet, kanë nxitur ilegalitetin dhe ndërtimet ilegale”, u shpreh Kryeministri.
Ligji, vijoi më tej Kryeministri Berisha, do të përfshijë amendimet që ne dërguam në parlament ku leja e ndërtimit nuk mund të jetë mbi 45 ditë vonesë dhe parimin “heshtja është miratim”, por ligji ka nevojë të specifikojë llojet e lejeve sepse nuk kemi të njëjtin tagër për lejen e ndërtimit të një pallati, lejen e ndërtimi të një resorti turistik apo një parku industrial.
“Kështu që mund të lindë nevoja që disa specifikime të bëhen, natyrisht jo për të zgjatur burokracinë, por për të përcaktuar linjat që do të ndiqen më mirë”, u shpreh Kryeministri.
29/12/2008