E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesdheu përfshihet nga flakët, shkatërrohen mijëra hektarë

Mesdheu është përfshirë nga flakët e zjarreve, që deri tani kanë shkatërruar mijëra hektarë bimësi në Evropë dhe kanë shkaktuar vdekjen e disa zjarrfikësve. Zjarret dogjën më shumë se 15 mijë hektarë bimësi vetëm brenda kësaj jave dhe zonat më të prekura janë Aragona dhe Katalonja, në verilindje të Spanjës. Më shumë se 10 mijë hektarë u dogjën në Aragona, ku gjashtë vatra zjarri vunë në rrezik provincën Teruel dhe shkaktuan vdekjen e një zjarrfikësi në krye të detyrës. Rreth 1500 persona u evakuan. Ndërkohë zjarret vazhdojnë të përhapen në zonën e Horta de Sant Joan, në jug të Katalonjës, ku deri tani janë djegur më shumë se 1100 hektarë bimësi dhe katër zjarrfikës kanë humbur jetën. Për shkak të zjarreve, dje u ndërpre edhe funksionimi i linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë Madrid- Barcelonë, që u rihap mëngjesin e sotëm.
Disa dhjetëra shtëpi pranë Marsejës në Francë u shkatërruan mbrëmë, për shkak të zjarreve të pakontrollueshëm që dogjën edhe 1300 hektarë tokë, por që fatmirësisht nuk shkaktuan viktima në njerëz. Flakët, që u vunë nën kontroll vetëm mëngjesin e sotëm, u ndezën në një zonë të shkretuar për shkak të fishekëve gjurmëlënës që u përdorën nga një ushtarak gjatë një stërvitjeje ushtarake, por era ndihmoi në përhapjen e tyre deri në zonat e banuara. Ushtaraku që shkaktoi zjarrin u shkarkua nga detyra. Rreth tre mijë zjarrfikës morën pjesë në operacionet e shuarjes së zjarrit. Për masa sigurie u evakuuan dhjetëra persona nga banesat e tyre dhe 120 të moshuar, që banonin në një azil për të moshuarit.
Të ndryshme episodet gjatë ditëve të fundit, veçanërisht në jug të gadishullit të Peloponezit dhe në ishullin Evian në Greqi . Pjesa më e madhe e sipërfaqeve të djegura janë pyje dhe fusha me të mbjella. Shërbimet sekrete greke (Eyp) po hetojnë disa zjarre të këtyre ditëve të fundit në ishullin Zakynthos, pasi dyshohet se janë vënë me qëllim.
Zjarret janë shtuar vetëm gjatë muajit të fundit mbi të gjitha në zonat bregdetare në Turqi, por pa shkaktuar viktima apo dëme të konsiderueshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›