Mesfushori thekson se klubi i fundit do të jetë San Paolo
Kaka zbulon se dëshiron të kthehet për të vazhduar karrierën në Brazil. Gjatë një interviste për "O Estado", mesfushori i Realit të Madridit ka pranuar se përpara se të "varë këpucët në gozhdë", dëshiron të rikthehet te San Paolo, klubi ku ka hedhur hapat e para në futboll. "Për momentin e përjashtoj çdo mundësi që të largohem nga Reali, por në të ardhmen do të kthehem përsëri në Brazil, për të luajtur sërish me ngjyrat e San Paolos", deklaroi Kaka. Për momentin, 27-vjeçari është i përqendruar vetëm në pjesën e dytë të këtij sezoni, i cili do të mbyllet me Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut. "Aktivizimi në Kupën e Botës është pa dyshim objektivi kryesor, shtoi lojtari. Pjesëmarrja në këtë aktivitet varet prej asaj që secili futbollist do të realizojë me klubin e tij gjatë muajve në vazhdim. Për këtë arsye duhet të përgatitem mirë në aspektin fizik me Realin, që të jem në formë optimale. Grupi i vështirë? Mund të ndodhë gjithçka: mund të fitojmë ose të humbasim. Por, me një përgatitje të mirë do të kemi më shumë shanse".