Pronari i Man. Sitit kërkon gjigantët spanjollë, statuti i klubit e ndalon

Një miliard euro. Kjo është shifra astronomike që sheiku Mansur bin Zajed Al Nahjan, pronari i Mançester Sitit, është i gatshëm të ofrojë për blerjen e Realit të Madridit. Lajmi është bërë publik nga e përditshmja spanjolle, "As", e cila nuk ka asnjë dyshim për faktin se projekti ambicioz ekziston realisht.
Me sa duket, sheiku ka dërguar në kryeqytetin spanjoll disa ndërmjetës, të cilët kanë për detyrë që t‘i paraqesin projektin klubit. Të dërguarit kanë filluar punën që të organizojnë një takim me presidentin "merengues", Florentino Perez. Numri 1 i Realit nuk ka zbritur ende personalisht në fushë: për momentin, ai që po punon rreth ofertës është vetëm drejtori i Përgjithshëm, Zhoze Angel Sançez.
Sipas gazetës iberike, kontakti i parë ndërmjet palëve do të regjistrohet në fillim të vitit 2010. Megjithatë, rreth kësaj çështjeje nuk mungojnë dyshimet: kjo mund të jetë edhe një "shaka" e "AS", duke qenë se sot në Spanjë festohet "dia de los inocentes", festë e barasvlefshme me 1 prillin shqiptar.
Në të vërtetë, shitja e mundshme e Realit të Madridit, mund të konkretizohet vetëm pas një operacioni të gjatë dhe mjaft kompleks. Klubi nuk është një ndërmarrje e thjeshtë, por ajo është në pronësi të disa ortakëve. Në statut nuk parashikohet hipoteza e shitjes, por aty merret në konsideratë vetëm mundësia e "transformimit, bashkimit apo ‘zhdukjes‘ së klubit", e cila përcaktohet vetëm pas një referendumi në të cilin marrin pjesë të gjithë ortakët.
Duke qenë të informuar për vështirësi që shkaktohen nga procedura e komplikuar, për të realizuar objektivin e tyre, të dërguarit e Sheikut Mansur duket se po studiojnë "planin B". Manjati arab mund të "blejë" borxhet e madrilenëve: së fundmi, Reali ka marrë mjaft hua nga institucione të ndryshme bankare, për të siguruar financimet e nevojshme për merkaton faraonike të verës.
Florentino Perez, i cili është rikthyer në krye të skuadrës prej afro gjashtë muajsh, u paraqit te tifozët e vjetër me Kristiano Ronaldon, Kakanë, Benzemanë, Ksabi Alonson, Raul Albiol dhe Alvaro Arbeloan. Në anën tjetër, paratë nuk përbëjnë asnjë problem për sheikun, që në 18 muajt e fundit ka shpenzuar mbi 200 milionë euro për të përforcuar Mançester Sitin.
Përveç lojtarëve të njohur, së fundmi ai ka emëruar në krye të stolit edhe teknikun Roberto Mançini, i cili ka detyrën të ngrejë "sitizëns" në krye të futbollit anglez dhe atij ndërkombëtar. Me Realin e Madridit, Mansur bin Zajed Al Nahjan, synon të ndërmarrë një aventurë edhe më ambicioze, pasi spanjollët janë një prej skuadrave më popullore dhe që tërheqin më shumë tifozë në të gjithë botën.