E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimi do të ishte një "zbritje" për mesfushorin shqiptar

E ardhmja e Klodian Duros tek Apollon Limasoli është seriozisht në dyshim. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, i afruar me bujë gjatë merkatos së verës, nuk e ka bindur stafin teknik, me në krye trajnerin gjerman Tomas von Hesen. 31-vjeçari nuk ka një vend titullari në radhët e skuadrës që klasifikohet e katërta në Kategorinë e Parë qipriote dhe në rastet kur është aktivizuar, nuk kanë munguar kritikat. Nga kjo situatë e vështirë që po përjeton kuqeziu, shpreson të përfitojë një tjetër skuadër e elitës së futbollit në ishullin e Afërditës. Bëhet fjalë për Ethnikos Aknas, një ekip që po lufton për mbijetesë dhe po shfaqet shumë aktive në merkaton e dimrit, me synimin për të përforcuar repartin ofensiv: ata kanë shënuar vetëm 8 gola në 14 ndeshje. Në afrimin e Duros, Ethnikos pritet të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira me Apollonin, por mbetet për t‘u parë çfarë do të zgjedhë kuqeziu, pasi ky transferim do të ishte një rënie niveli për të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›