Meshari mbërrin në Shqipëri

Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555, kopja origjinale e të cilit ruhet prej shekujsh në Selinë e Vatikanit, ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë. Libri, i cili u zbulua në vitin1740 nga ipeshkvi i Shkupit Gjon Nikollë Kazazi, deri në këtë periudhë rezultonte i humbur.
Ai përbën dëshminë më të rëndësishme të gjuhës shqipe dhe do të ekspozohet ditën e sotme (e hënë) në orën 18:00 në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, ku do të qëndrojë përgjatë gjithë muajit nëntor, deri në celebrimin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Ministria shqiptare e Kulturës në bashkëpunim me Bibliotekën Apostolike të Vatikanit bënë të mundur rikthimin e librit të parë të shkruar në gjuhën shqipe në atdheun e krijuesit të vet, ku do të mund të shihet nga vizitorët gjatë këtij muaji të rëndësishëm për kombin tonë.