Mesi: Largimi i Basiles mund të na ndihmojë
Alfio Basile nuk është më trajneri i Argjentinës. Lajmi u bë zyrtar nga Federata e vendit amerikano-latin. Vendimi, i cili erdhi vetëm 24 orë pas humbjes së pabesueshme me Kilin, është "i pakthyeshëm" dhe "për arsye personale". Në sajtin zyrtar të AFA-s lexohej se dorëheqja iu paraqit presidentit Hulio Humberto Grondona në orën 21:10 (orë lokale), ndërsa ky i fundit e pranoi vendimin e teknikut. Largimi i Basiles ka sjellë edhe reagimet e para në përfaqësuesen argjentinase. Sipas yllit të Barcelonës, Lionel Mesi, ndryshimi mund ta ndihmojë skuadrën për të ecur përpara. Sulmuesi e mbështeti zgjedhjen e trajnerit për të "braktisur" postin: "Kur gjërat nuk funksionojnë ashtu si duhet, është e nevojshme të bëhen ndryshime. Tashmë u bë një kohë e gjatë që Kombëtarja nuk po luan mirë. Kjo është arsyeja përse mendoj se ndryshimi mund të jetë zgjidhja më e mirë". Pas impenjimeve në eliminatoret e Botërorit 2010 dhe rikthimit te Barcelona, ai "aprovoi" kandidaturën e teknikut të përfaqësueses olimpike, Serxho Batista, nën drejtimin e të cilit fitoi medaljen e artë në Pekin 2008. "E njoh mirë dhe më pëlqen metoda e tij e punës. Personalisht, kam besim te Batista si trajner dhe te stafi i tij teknik. Do të ishte diçka mjaft e bukur". Por, pavarësisht simpatisë së Mesit për Batistën, që në këtë detyrë do të kishte si ndihmës Diego Armando Maradonën, kandidati kryesor për Argjentinën është Migel Angel Ruso, aktualisht trajner i San Lorencos. Mes alternativave të tjera janë Diego Simeone (trajner i River Plejt) dhe dyshja Gabriel Batistuta-Nestor Sensini.