Platini kundër Sarkozisë: Mos e prek futbollin
Mos e prekni futbollin. Mishel Platini kundërsulmon politikën dhe politikanët, të cilët e kanë shndërruar në "peng" lojën më popullore në botë, për shkak të fërshëllimave gjatë Himnit francez. Presidenti i UEFA-s shpjegoi, për "Le Monde", këndvështrimin e tij. "Tridhjetë vjet më parë, kur luaja me Kombëtaren, himni ynë fërshëllehej në çdo fushë", shpjegoi ish-legjenda franceze, që njihej me nofkën "Mbreti". "Në atë periudhë, këto episode nuk i interesonin politikës. Por, tashmë duket pothuajse një detyrim për politikanët që të shprehin mendime për rastet kur himni fërshëllehet. Futbolli është peng i politikës, e cila nuk ka asnjë lidhje me sportin". Sipas Platinisë, fërshëllimat nuk ishin fyerje, por një shprehi e thjeshtë kundër një kundërshtari, të cilin kërkon ta mposhtësh: "Jam i sigurt që të njëjtët persona, që fërshëllyen ‘marsejezen‘ gjatë mbrëmjes së të martës, janë të njëjtët që e këndojnë kur Franca luan në Evropian apo në Botëror". Për idenë e Presidentit Sarkozi, i cili kërkoi ndërprerjen e ndeshjes në raste të tilla, kreu i UEFA-s shpjegoi: "Në atë rast, Franca do të humbasë 3-0 në tavolinë. Ekzistojnë rregulla të qarta. Një ndeshje mund të ndërpritet për racizëm, por vendimi i takon vetëm gjyqtarit dhe delegatit. Do të ishte absurde që vendimin ta merrte dikush tjetër. Megjithatë, unë mendoj se është më mirë që të edukojmë tifozët". Platini zbuloi se kur ishte lojtar, asnjëherë nuk e ka kënduar himnin. "Është shumë i bukur, por është një këngë lufte. Kur e fërshëllenin, unë nxitesha edhe më shumë", përfundoi ai.