E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi, 45 % e fëmijëve shqiptarë janë rrahur në shkollë dhe familje

Sequi: 19 % e fëmijëve në Evropë janë të rrezikuar, në Shqipëri akoma më shumë

Shqipëria nuk është një vend i sigurt për fëmijët. Kritika e parë është bërë dje nga Ambasadori i BE në Tiranë Ettore Sequi, i cili ka thënë se 19 % e fëmijëve të vendeve të Evropës janë pre e shfrytëzimit dhe rreziqeve të ndryshme, por në Shqipëri këto shifra janë shumë më të larta se kaq. Ambasadori Sequi se bashku me ministrin e Punës Spiro Ksera, përfaqësuesin e UNICEF Detlef Palm, si dhe drejtues të shoqatave të ndryshme në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, kanë diskutuar dje mbi gjetjen e mënyrave për parandalimin e rrezikut ndaj fëmijëve në Shqipëri.
Ambasadori
Rreth 19 për qind e fëmijëve në Europë janë të rrezikuar dhe kjo përqindje është shumë e lartë në Shqipëri. Shqipëria është një vend që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, që do të thotë, se do të plotësojë 11 prioritetet dhe atë të 11-in që lidhet me të drejtat e njeriut, çka është e rëndësishme për gjithë vendin. Nuk duhet të heshtim kur shohim se fëmijët tanë janë në rrezik, tha Sequi. Ndërsa z.Detlef Palm, përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri u ndal në rëndësinë e arsimimit të fëmijëve. Puna duhet të fokusohet te fëmijët që nuk shkojnë në shkollë dhe nuk kanë ambientin e duhur social për tu rritur. Duhen investime të mëdha, por edhe përpjekje të mëtejshme për ti ndihmuar realisht këta fëmijë, tha Palm. Ndërsa ministri i Punës Spiro Ksera iu ka bërë thirrje përfaqësuesve të pushtetit vendor që të ngrenë Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve duke evidentuar numrin e saktë të fëmijëve që jetojnë në vështirësi dhe janë të rrezikuar.
Studimet
Sipas studimeve nga agjenci dhe shoqata të ndryshme në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve (Agjencia Shtetërorë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve) një pjesë e madhe e vogëlushëve ndihen të dhunuar si në shkollë ashtu  edhe në shtëpi. Në studimin e kryer së fundmi ka rezultuar se 42 për qind e fëmijëve të anketuar kanë pohuar se është ushtruar dhunë fizikë dhe verbale në shkollë dhe 45 për qind e fëmijëve janë dhunuar edhe në familje. Të paktën 65 për qind e tyre  kane pasur pasoja nga ushtrimi i dhunës mbi ta ne familje, por edhe në shkollë.
Komuniteti rom
Nga të dhënat e bëra publike nga ky raport thuhet se 61 për qind e familjeve rome kanë deklaruar se përballen me vështirësi për edukimin e fëmijëve të tyre dhe 359 fëmijë rome nuk janë regjistruar. Ne raportin e UNICEF-it vihet re se vdekshmëria e foshnjave mbetet e lartë në qarkun e Dibrës, ku vetëm në Peshkopi rezulton se vdekshmëria foshnjore është 17.1 për qind, ndërkohë që në rrethin e Korçës për vitin 2011 është 10 për qind.

Topi: Institucionet, më shumë vëmendje për fëmijët
Kreu i Shtetit Bamir Topi, me rastin e 1 Qershorit ka pritur një grup fëmijësh jetim ndërsa i ka uruar vogëlushët për festën e tyre. Ai tha se fatin e fëmijëve duhet ta marrin në dorë institucionet dhe fatin e tyre duhet ta marrë në dorë politika për ta bërë jetën e tyre më të lehtë dhe jo vetëm kur ata kanë statusin e jetimit, por edhe për ti përgatitur ata për në jetë, pasi nëse nuk ndodh kështu, atëherë përkujdesja do të cilësohej si një proces teknik. Unë mendoj, se secili nga ne ka bërë shumë pak dhe këtu nuk ka për qëllim të shigjetoj askënd sepse jemi pjesë e këtij mjedisi. Por unë, theksoj se duhet më shumë vëmendje për fëmijët në përgjithësi, më shumë për edukimin e tyre. Jam i bindur se ata që rriten sot do të jenë në të ardhmen qytetarë të Europës, vuri në dukje Topi.  Gjatë ceremonisë, presidenti i Republikës mbështeti dhe Rezolutën e paraqitur nga përfaqësuesit e fëmijëve jetimë, që dita e 20 majit, të shpallet dita ndërkombëtare në ndihmë të fëmijëve jetim. Sipas Topit, Shqipëria dhe Kosova kanë mbështetur, duke e shpallur ditën e 20 majit, si dita në ndihmë të fëmijëve jetim dhe tashmë është koha që kjo nismë të shkoi edhe më tej. Përfaqësuesit e kësaj kategorie të fëmijëve i paraqitën Presidentit të Republikës, si përfaqësuesi më i lartë i Shtetit Shqiptar, Trupit Diplomatik të Akredituar në Shqipëri dhe përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtare, Rezolutën e Takimit Kombëtar të Jetimëve Shqiptar, e miratuar me 20 maj 2012. Kjo rezolutë, do tu përcillet anëtarëve të parlamentit Europian dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.

Rama, 1 Qershori: Sa më pak fëmijë të varfër
Kreu socialist Edi Rama ka uruar fëmijët në ditën e tyre nga njësia numër tetë. Ai ri përsëriti angazhimin e socialistëve për të ulur numrin e fëmijëve të varfër. Dëshiroj që ti uroj Gëzuar, 1 Qershorin, të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Njëkohësisht u them të gjithë prindërve se ne jemi shumë të angazhuar që të bëjmë gjithçka është e mundur dhe më të mirën do të bëjmë që çdo 1 Qershor që vjen të ketë gjithmonë e më pak fëmijë të varfër. Të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë për shkak se prindërit varfëria i pengon tju blejë librat; të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që mbeten analfabetë; të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që të ardhmen e tyre nuk e kanë të sigurt në vendlindjen e tyre, u shpreh Rama.

Totozani: Të zbatojmë ligjin për të drejtat e fëmijëve
Në ditën e 1 Qershorit, Avokati i Popullit Igli Totozani ka uruar të gjithë vogëlushët për festën e tyre, duke e quajtur këtë si një ditë kujtese ndaj institucioneve për të qenë më tepër nxitës mbi nevojën e garantimit të të drejtave të fëmijëve. Duke parë si të domosdoshëm përmirësimin e mekanizmave të referimit të dhunës ndaj fëmijëve, Avokati i Popullit, thekson se si zbatimi dhe plotësimi i kuadrit ligjor shqiptar në veçanti legjislacioni penal, ashtu edhe respektimi i akteve ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, janë për të gjitha institucionet e shtetit një përgjegjësi dhe detyrim konstant e i përditshëm, thuhet në njoftimin për shtyp të Avokatit të Popullit.

Vodafone Albania, festë për fëmijët në spital
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Vodafone Albania mbështeti organizimin e festës për fëmijët e Spitalit Pedriatik në Tiranë. Festa ishte vijim i një një projekti social të konceptuar nga kompania Vodafone Albania për të kthyer pavijonin e sëmundjeve te rënda të spitalit pediatrik në një ambient të ngrohtë e argëtues për fëmijët, shumë prej të cilëve kanë muaj që jetojnë në këtë pavijon duke e konsideruar si shtëpinë e tyre të dytë. Sjellja pranë këtyre fëmijëve e mjediseve të gjelbëruara, kënd lodrash në mjediset jashtë godinës dhe dhomën e lodrave, kinemasë dhe bibliotekës në brendësi të këtij pavijoni, i dhuroi këtyre fëmijëve më shumë argëtim dhe një ambient të ngrohtë familjar. Programi i zhvillimit dhe edukimit në ambientet e këtij spitali do vazhdojë dhe në muajt në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›