E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi sfidon gripin

Pritej që të mos luante, madje mediat kryesore spanjolle e quajtën punë të përfunduar. Veçse, ata duket e kishin harruar se kishin të bënin me Lionel Mesin, më të madhin lojtar ende në fushën e lojës dhe në garë për të qenë më i madhi në Olimpin e perëndive të futbollit.
Duke nxjerrë gabim gazetën prestigjoze “Marka” që lajmëronte në orën 13:15 të ditës së djeshme se gripi e kishte mposhtur Mesin dhe se argjentinasi nuk do të luante ndaj Osasunës në kupë, numri 10 blaugrana hyri në lojë në pjesën e dytë dhe shënoi dy gola.
Trajneri i Osasunës, Mendilibar, u shpreh shumë i zhgënjyer me sjelljen e Barcelonës që fillimisht lajmëroi se Mesi nuk do të luante dhe e grumbulloi në skuadër në momentet e fundit, ndërsa trajneri i katalanasve, Pep Guardiola, u mbrojt duke thënë se ai nuk kishte fshehur asgjë lidhur me yllin e tij, veçse futbollisti e mori veten në kohë-rekord.
Pasi zëvendësoi Pedron në minutën e 58-të, Leo shënoi me kokë në minutën e 72-të, pas një krosimi nga e djathta, ndërsa realizoi edhe golin e katërt të Barcelonës në minutën e parë shtesë me një gjuajtje të kalibruar në hyrje të zonës, pas topit të marrë nga Ksavi Hernandez.
Dy golat e parë për Barcelonën, që fitoi pa probleme 4-0 në “Kamp Nou”, u shënuan nga Sesk Fabregas, një mesfushor që po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për skuadrën kampione të Spanjës dhe të Europës.
Sidomos ishte i shkëlqyer goli i dytë i ish-kapitenit të Arsenalit, ndihmuar si gjithnjë nga Ksavi, por realizuar me një top të mrekullueshëm mbi kokën e portierit mik, që përfundoi saktësisht në rrjetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›