Mesila Doda: “PS-ja dështoi me protestën e djeshme”
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, e ka cilësuar të dështuar protestën e së premtes së Partisë Socialiste. Ajo tha se Rama ishte braktisur nga të gjithë dhe se fjalimin e tij e dëgjuan vetëm punëtorët e Bashkisë. “Patëm rastin dje të shihnim dështimin e radhës së Edi Rames. Të gjithë mundëm të evidentonim vetminë dhe braktisjen e madhe me të cilën është dënuar Edi Rama nga populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Kryetari socialist, i përbetuar se do të vinte në shërbim të kauzës edhe trupin e tij, pasi foli e përfoli gjatë gjithë ditës grevën e urisë që do fillonte ai vetë, më të egrën e të gjitha kohëve, foli me një pjesë të punonjësve të tij të Bashkisë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, qau për fëmijët e grave që e kanë mamin pa bukë në mes të rrugës dhe më pas mori lule dhe vrapoi të hante supën e ngrohtë të mamit”, - është shprehur Doda, ndërsa u ka bërë thirrje grave greviste që të lënë grevën. “Zonja deputete! Siç jua patëm thënë disa herë me radhë, sakrifica juaj ishte e destinuar të ndeshej me zhgënjimin e sjelljes së një burri që ju la vetëm disa herë me radhë në këtë teatër politik që ju po konsumoni përpara syve tanë”, - është shprehur Doda.
Edi Paloka: “Protesta e PS-së, një shfaqje teatrale”
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, e cilësoi protestën e një dite më parë të PS-së si një shfaqe teatrale. Ai i bëri thirrje PS-së që t’i japë fund kësaj shfaqjeje dhe të zhbllokojë bulevardin. “Dje shqiptarët panë shfaqjen më të fundit të trupës teatrale ambulante. Me sa duket, në programin e fundit teatror ka vendosur të luajë filma me heroizma partizanësh, në disa udhëkryqe të Tiranës dhe kryesisht në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit. Shokët e njësitit gueril të Spitalit Infektiv na paskan habitur edhe mjekët me gjendjen e tyre perfektë shëndetësore, jo shpirtërore. Do ta kishim vlerësuar këtë shfaqje në të gjithë komponentët e saj nëse nuk do t’i kishte penguar seriozisht qytetarët e Tiranës për të kryer punët e tyre të përditshme. Si politikan, por edhe si qytetar i Tiranës, në mënyrë që të vazhdoj të shikoj shfaqjen e përgatitur me kujdes, do të doja t’u ofroja një kompromis çunave të Bllokut, të cilët që prej 16 ditësh kërkojnë zyrat e babit: zhvendosini çadrat në trotuar e vazhdoni shfaqjen, qytetarët nuk i pengoni dhe ju rrini sa të doni”, - është shprehur Paloka.
17 Maj 2010