E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Nuk kam asnjë draft të ndërkombëtarëve në zyrën time”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha ka hapur dje një tjetër “front lufte”. Përveç betejës me opozitën, që e ka çdo ditë poshtë zyrave të tij, Berisha përgënjeshtroi dje deklaratën e bërë publike një ditë më parë nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i cili tha se dy liderët e politikës shqiptare kanë në tryezë një draft kompromisi për të dalë nga kriza politike. Por, kryeministri Berisha u shpreh se në tryezën e tij nuk ka asnjë draft të ndërkombëtarëve. Madje ai tha se çdo deklaratë tjetër, përveç kësaj, nuk është gjë tjetër veçse një trillim. Një deklaratë e tillë e kreut të qeverisë cenon figurën e një prej ambasadorëve më të rëndësishëm në vendin tonë, i cili foli për një pakt konsensusi që kishte marrë mbështetjen jo vetëm të OSBE-së, por edhe të KE-së dhe SHBA-ve.
Përgënjeshtrimi
“Gjatë këtyre dy ditëve kam dëgjuar të flitet, të shkruhet. Për këtë jam informuar aty ku isha, për pakte, drafte etj. Ju garantoj me përgjegjësinë më maksimale se në tryezën time, në mënyrë absolute dhe kategorike, nuk ekziston as edhe një draft tjetër, as edhe një pakt tjetër, as edhe një dokument tjetër, nga askush dhe nga asnjë institucion europian apo perëndimor për këtë problem. Më duhet t’ju rikujtoj se Bashkimi Europian, në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se këtë çështje duhet ta zgjidhin shqiptarët. Unë e kam përshëndetur dhe e përshëndes këtë qëndrim dhe e garantoj BE-në dhe çdo vend tjetër, çdo institucion tjetër, se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha mekanizmat e shtetit ligjor, mjafton respektimi i tyre, për t’i dhënë përgjigjen më të mirë këtij problemi dhe çdo problemi tjetër. Gjithçka tjetër jashtë kësaj që thashë, është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin. Në mënyrë absolute është gënjeshtër, që ka në bazë mashtrimin. Këtë e them për të hequr çdo lloj aludimi”, - është shprehur Berisha, vetëm një ditë pas deklaratës së ambasadorit Bosh, i cili konfirmoi për mediat ekzistencën e një marrëveshjeje kompromisi, ndërsa bëri thirrje për firmosjen e saj. I pyetur nga mediat rreth deklaratës së ambasadorit Bosh, Berisha u shpreh se në axhendën e tij nuk bën pjesë diplomacia e megafonit. “Kryeministri, në axhendën e tij, nuk ka komentet e deklaratave të ambasadorëve. Edhe kur ka rastisur që ndonjë diplomat të ketë bërë diplomacinë e megafonit, unë po këtë gjë kam deklaruar, që nuk bëj diplomaci megafoni, sepse nuk më duket se vlen. Por, në tërësi, axhenda ime përjashton nga komentet deklaratat e diplomatëve. Unë këtë praktikë ndjek. Ajo çka thashë dhe që është e vërtetë e padiskutueshme, është se nuk kam parë dhe nuk kam mbi tavolinën e zyrës asnjë draft apo pakt, por kam deklaratën e Këshillit të Europës”, - është shprehur Berisha, ndërsa mohoi në mënyrën kategorike për ndonjë presion të ushtruar nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës.
Qëndrimi
Më tej, gjatë fjalës së tij, Berisha garantoi se do të respektojë deri në fund vendimin e opozitës përsa i përket grevë së urisë, megjithëse e cilësoi atë të jashtëligjshme. Kryeministri i bëri apel Ramës që të pranojë shërbimin zyrtar shëndetësor duke e cilësuar jashtë logjikës mospranimin e mjekëve nga Rama. Përsa i përket konsensusit, Berisha e ftoi Ramën të pranojë sugjerimin e Byrosë Parlamentare të KiE-së, që parashikon që PS-ja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, si dhe të marrë pjesë në punimet e komisionit hetimor parlamentar. “E ftoj zotin Rama që të pranojë zgjidhjet e ngërçit të ofruara nga Byroja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Komiteti Presidencial. Kjo deklaratë krijon mundësi të plotë për transparencën më të madhe dhe respektin e plotë të Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisë së gjykatave, respektit të ndërsjellë të pavarësisë së institucioneve, transparencën e plotë. Unë gjykoj se kjo përbën një dokument solid në interesin më të mirë të të gjitha forcave politike”, - është shprehur Berisha.

Transferimi te Piramida

Kryeministri Berisha i ftoi grevistët që të zhbllokojnë bulevardin, pasi kanë bllokuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Madje Berisha i ka ftuar grevistët që të vendosen përpara Piramidës. “Për mendimin tim, do të ishte mirë të kishin dalë para Piramidës, sepse nuk do t’i lëndonin qytetarët. E morën si një kast për të dalë përpara dritareve të mia. Unë, absolutisht, jam i gatshëm t’u jap hapësira ku të duan, në qoftë se ata vendosin të heqin dorë nga lëndimi i qytetarëve”, - është shprehur Berisha.

Akset rrugore
Kryeministri Berisha garantoi se nuk do të ketë bllokim të akseve rrugore pasi ligji do të veprojë ndaj cilitdo që e ndërmerr një veprim të tillë. “Së pari, dua t’i garantoj pushuesit dhe shqiptarët se akset do të jenë plotësisht të kalueshme. Do të jetë ligji ai që do të veprojë me vendosmërinë më të madhe. Rrugët nuk janë të Sali Berishës. Sali Berisha i ka të gjitha mjetet e udhëtimit, por hallexhinjtë nuk i kanë. Ndaj mos i dil përpara hallexhiut”, - është shprehur Berisha.

Zgjedhjet lokale
I pyetur se ç’do të ndodhë nëse PS-ja nuk futet në zgjedhjet lokale, Berisha tha se ky është vendimi i Ramës dhe se ai ka për detyrë që të krijojë të gjitha kushtet për t’i mbajtur zgjedhjet. “Se çfarë vendos zoti Rama, është në tagrin e tij. Detyra e kryeministrit të vendit është të krijojë të gjitha kushtet, të përcaktojë të gjitha fondet për zhvillimin e zgjedhjeve. Një gjë është e sigurt: që zgjedhjet do të zhvillohen. Kjo nuk ka asnjë lloj komenti”, - është shprehur Berisha.

Materialet zgjedhore
Ndërsa përsa i përket sugjerimit për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, Berisha tha se do të zbatohet Kodi Zgjedhor. “Ky është vend i shtetit ligjor. Kodi Elektoral, një nga kodet më të mrekullueshme të vendit, ka përcaktuar çdo gjë për kutitë e materialeve, për kutitë me fletë votimi, për fletët e votimit, mjafton ta zbatojmë atë që do të thotë se nuk ka nevojë t’i themi njëri-tjetrit faleminderit për asgjë. Në arkivin e PD-së ekzistojnë të gjitha procesverbalet, të gjitha tabelat, sepse ligji ua jep komisionerëve, ua jep ligji të gjitha”, - është shprehur Berisha.

Lohan: “BE-ja pranon çdo zgjidhje që respekton Kushtetutën”

Kreu i Komisionit Europian, Helmut Lohan, duke folur për situatën politike në vend, ka deklaruar se Bashkimi Europian pranon çdo zgjidhje të situatës politike që respekton Kushtetutën. Ai deklaroi se BE-ja pranon çdo zgjidhje me parimet e transparencës. Deklarata e z. Lohan vjen në kohën kur ambasadori i OSBE-së, Bosh, pohoi se palët politike kanë në tavolinë një marrëveshje për zgjidhje, të cilën duhet ta pranojnë.

Deklarata
Bosh: Rama e Berisha të firmosin paktin e kompromisit

Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, një ditë më parë u ka bërë një thirrje të fortë dy krerëve të politikës shqiptare që të firmosin marrëveshjen e konsensusit, ndërsa ka konfirmuar se që nga dita e enjte, Rama e Berisha kanë në tryezë një draft të përgatitur nga ndërkombëtarët. Megjithëse ambasadori Bosh nuk u fut në detaje teknike për të treguar se çfarë parashikon marrëveshja, ai nënkuptoi se në parim palët kanë rënë dakord dhe bëri thirrje që të mos diskutohet për çështje teknike. Ai tha se politikanë shqiptarë duhet të bëhen burra shtetit, të kapërcejnë mbi interesat e tyre personale dhe të mendojnë për të ardhmen e vendit. Edhe njëherë politika shqiptare tregoi se nuk ishte në gjendje që të gjente vetë një zgjidhje kompromisi për krizën politike. Ashtu si edhe herë të tjera, rrugëdaljet nga situata të vështira politike janë propozuar dhe imponuar nga faktori ndërkombëtar. “Ajo që dua të them është se që dje ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë. Në emër të shumicës së ndërkombëtarëve do t’i inkurajoja udhëheqësit që të pranojë kompromisin tani; ta kenë parasysh këtë kompromis tani, të tregojnë kurajë, të tregojnë se janë burra shteti dhe të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete. Kini parasysh interesin e vendit tuaj dhe mos mendoni së pari për interesin tuaj personal dhe bëni këtë hedhjen e madhe. Koha është tani, nuk do ketë më kohë për t’u zgjatur”, - është shprehur Bosh. I pyetur se çfarë përmban drafti i shtruar në tryezë për kompromis nga ndërkombëtarët, Bosh u shpreh se nuk jep detaje, por se liderët politikë e kuptojnë shumë mirë mesazhin. “Nuk do të them se cili është kompromisi. Liderët, të cilëve unë po u drejtohem, e dinë shumë mirë cili është kompromisi dhe është një kompromis shumë i mirë, që duhet pranuar. Ky kompromis ka mbështetjen e Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së. Ai vërtet duhet pranuar”, - është shprehur Bosh.

17 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›