Mësim edhe për të moshuarit

Për shkak të rrethanave të ndryshme jetësore, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që nuk kanë mundur të vazhdojnë mësimin në Kosovë, çofshin ata meshkuj apo femra, shqiptarë të Kosovës apo të ndonjë komuniteti tjetër, tashmë kanë mundësi të vijojnë mësime plotësuese e që në Kosovë njihet me emrin mësimi joformal, kanë bërë të ditur zyrtarë nga Ministria e Arsimit.
Hyrije Dervisholli 35-vjeçare nga Fushë Kosova, ka thënë, se për shkak të kushteve ekonomike asaj i është dashur të ndërpresë mësimet menjëherë pasi e ka përfunduar klasën e tetë të shkollës fillore, shkruan gazeta “Lajm”.
Tash pasi është më e lirë, tregon sa ka ndjekur mësimet plotësuese në Arsimin e Mesëm Profesional dhe ka marrë një diplomë, e cila është e vlefshme sikur të gjitha diplomat tjera. “Mjafton për mua që e kam një diplomë të paktën të shkollës së mesme. Kisha pasur dëshirë që të regjistrohem edhe në fakultet dhe besoj se në vitin e ardhshëm do të filloj studimet”, ka njoftuar Dervisholli.
Ajo i ka përmendur lëndët si Gjuhën Shqipe dhe Matematikën, të cilat tash pas përfundimit të mësimit joformal po i zotëron mjaft mirë. “Fëmijët e mi kishin hartime në shkollë dhe më drejtoheshin që të ju ndihmoj në tekste.
Aty më së miri e vëreja se sa të mangët e kam Gjuhën Shqipe, kur mësuesja e tyre i kontrollonte hartimet dhe nënvizonte nën çdo fjalë që gramatikisht nuk ishte e shkruar mirë”, ka shpjeguar kjo qytetare. Ajo ka shtuar se tash e ka përvetësuar mjaft mirë drejtshkrimin dhe nuk ka probleme as në të lexuar, por as në të shkruar.
Mësimin joformal si alternativë e ofron Ministria e Arsimit dhe tashmë sipas zyrtarëve të saj, numri i të interesuarve është mjaft i madh.
“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ofron mësimin joformal si formë alternative për të gjithë ata qytetarë të cilët nuk kanë arritur që ta përfundojnë me kohë arsimin e obliguar dhe arsimin e mesëm profesional.
Ka pasur mjaft të interesuar dhe pjesëmarrësit janë pajisur edhe me diploma të cilat janë njësoj të vlefshme si të ato të procesit të rregullt mësimor vetëm se ndryshon forma e organizimit”, ka njoftuar këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Arbër Morina. /Indeksonline/