E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimi po zhvillohet me orar të shkurtuar

Shkollat fillore, të mesme dhe fakultetet e Universitetit të Prishtinës ka disa ditë që nuk janë duke zhvilluar sipas planit procesin mësimor. Shkaktar i gjithë kësaj janë temperaturat e ulëta dhe ndërprerja e furnizimit me ngrohje para kohës së paraparë nga “Termokosi”.

Me një vendim të Bordit të Drejtorëve “Termokos” që nga 1 marsi e ka ndërprerë furnizimin e qytetarëve me ngrohje, duke arsyetuar këtë vendim me situatën e vështirë financiare të kompanisë, si shkak i inkasimit të vogël dhe borxheve ndaj kontraktorit të mazutit.

Vendimi arbitrar i “Termokosit” jo vetëm që ka sjell telashe tek banorët e kryeqytetit, por ka shkaktuar kaos edhe në procesin mësimor në Prishtinë, duke filluar nga shkollat fillore e deri në fakultete.

Si shkak i temperaturave të ulëta dhe mungesës së ngrohjes, tash e disa ditë institucionet arsimore në kryeqytet janë detyruar që mësimin ta zhvillojnë me orar të shkurtuar dhe nxënësit të ndjekin mësimin të veshur edhe me dorëza si për skijim.

Zëvendësdrejtori i shkollës fillore “Faik Konica”, Arsim Gashi tregon se procesi mësimor nuk është duke u zhvilluar sipas plan-programit dhe se për këtë fajin duhet ta bartin drejtuesit e “Termokosit”.

“Për shkak që nuk ka ngrohje procesi mësimor është duke u zhvilluar me orar të shkurtuar, sepse brenda objektit është shumë ftohtë dhe radiatorët janë akull”, tregon Gashi.

Duke e quajtur si të pa arsyeshëm dhe të padrejtë vendimin për ndërprerjen e ngrohjes, zv.drejtori thotë se borxhet e shkollave duhet t’i paguajë komuna dhe se në këtë rast duhet të ndërmarrin hapa edhe institucionet tjera dhe qeveria.

“Duhet të ndërmarrin hapa të gjithë, si me ministri, si drejtorati dhe Termokosi, sepse këta janë fëmijët tanë, nuk janë fëmijë të huaj, janë edhe fëmijë e tyre dhe me siguri duhet të merren masa që të lëshohet ngrohja”, ka thënë Gashi.

Përkundër insistimit të Kosovapressit për të marrë një qëndrim lidhur me situatën nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kjo ka qenë e pamundur, sepse zyrtarët për informim të kësaj ministrie nuk përgjigjen as në telefon.

Ndërkohë mungesa e ngrohjes ka bërë që shkollat të jenë shumë të ftohta dhe nxënësit madje të ndjekin procesin mësimor të veshur sikur të shkonin për skijim.

Vogëlushja e klasës së parë në shkollën “Faik Konica”, Lea Salihu tregon se gjatë këtyre ditëve kanë pasur shumë ftohtë në shkollë.

“Po, kemi pasur shumë ftohtë”, ka thënë ajo.

Ndaj ndërprerjes së ngrohjes ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Njeriut (KMDLNJ), me ç’rast ky institucion ka vlerësuar se ndërprerja e parakohshme me ngrohje të qytetarëve të Prishtinës është veprim skajshmërisht papërgjegjshëm dhe demonstrim i një arrogance dhe mentaliteti të tejkaluar nga ana e drejtuesve të “Termokosit”.

Ndërkaq, pasdite zyra për informim e “Termokosit” ka njoftuar se pas ndihmës financiare prej 200 mijë euro të dhënë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, nesër më 9 mars do të rifillojë furnizimi me ngrohje qendrore. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›