E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri i përkujtimit

Skena ishte e ndërtuar enkas për Natën e Zjarreve në Prekaz, më e bukura që është vendosur ndonjëherë. Përveç dritave, në sfond të saj ndodhej pëlhura e kuqe me portretin e Heroit Legjendar Adem Jashari.

Kështu kulmoi manifestimi treditësh, Epopeja e UÇK-së, në Prekaz të Skenderajt. Flakadanët u ndezën saktësisht në orën 18, bashkë me zjarrin madh që simbolizon lirinë dhe qëndresën e Jasharëve. Muharrem Xhemajli, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ishte i vetmi që mbajti një fjalim të shkurtër, për t’ia lënë vendin programit artistik.

“12 vjet që prehesh në tokën e Kosovës, Komandanti ynë Adem Jashari, asnjëherë nuk ke qenë më i gjallë. Vepra dhe sakrifica jote vetëm sa rriti përmasat e luftës sonë për liri”, tha ai para të pranishmëve të shumtë.

“Ne nuk vajtojmë, por këndojmë për ty, Komandant. Ne kujtojmë Marsin e ftohtë, por që e ngrohe ti me lirinë e Kosovës. Ne jetojmë me dinjitet dhe ndërtojmë shtetin tonë. Punojmë ta ndërtojmë ashtu siç e deshe Ti”, tha Xhemajli, duke rikujtuar se megjithatë, ende vendi ndodhet në gjysmë të rrugës, për të përmbushur amanetin e Komandantin Legjendar Adem Jashari.

“Emri Yt dhe i heronjve do të mbesin të skalitur me shkronja të arta në lirinë e Kosovës”, tha Muharrem Xhemajli, për t’ia lënë vendin një momenti shumë prekës të programit artistik. Manifestimi artistik nisi me një valle të fëmijëve pasardhës direktë të Familjes Jashari, të cilët bartin emrat e heronjve legjendarë.

“Vallja e Shqiponjave” u interpretua nga Shaban Jashari i ri, Hamëz Jashari i ri, Adem Jashari i ri, Zahide Jashari e re dhe Feride Jashari e re, të gjithë me veshje kombëtare. Nën tingujt e daulles dhe brohoritjeve të një numri të madh të publikut, përkundër temperaturave shumë të ulëta, ata i dhanë një ndjenjë të veçantë Natës së Zjarreve. Pas tyre, ishte vogëlushja Sala Jashari, e cila bart emrin e gjyshes, heroinës Sala Jashari. Ajo i këndoi këngë paqes dhe lirisë që duhet të gëzojnë të gjithë.

Manifestimi i cili edhe këtë vit u organizua nën patronazhin e Kryeministrit Hashim Thaçi, vazhdoi për disa orë rresht dhe është momenti kulmor i Epopesë së UÇK-së. Ndryshe nga vitet e kaluara, ky manifestim, varret e dëshmorëve i gjen më të rregulluara, në Kompleksin Memorial, i cili ka filluar të ndërtohet tri vjet më parë dhe ende nuk ka përfunduar.

Shumë këngëtarë nga trojet etnike shqiptare, Shqipëria, Kosova e Maqedonia, morën pjesë në këtë manifestim tradicional. Nata e Zjarreve shënon edhe fundin e manifestimit, i cili filloi më 5 mars në Prishtinë dhe u mbajt nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura përgatitore për të ofruar një siguri të rendit publik për të gjithë pjesëmarrësit në këtë manifestim. Nuk është paraqitur asnjë incident dhe gjithçka ka qenë qetë. Dymbëdhjetë vjet më parë, në Prekaz të Skenderajt, gjatë një sulmi të forcave serbe të sigurimit në këtë fshat, u vranë më shumë se pesëdhjetë anëtarë të familjes së Adem Jasharit, i cili njihet edhe si Komandant Legjendar i UÇK-së.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›