E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësojmë shqipen, një grup nxënësish nga Selaniku vizitojnë Muzeun e Arsimit në Korçë

Një grup fëmijësh që mësojnë gjuhën shqipe në Selanik të Greqisë janë ndalur sot në Muzeun e Arsimit në Korçë, për të parë nga afër fillesat e gjuhës shqipe dhe historinë e mbrojtjes së saj. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të 21 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.

“Kemi sjellë sot një grup nxënësish nga katër kurset që kemi hapur këtë vit në Selanik për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. I sollëm të vizitonin Muzeun, aty ku filloi mbrojtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe”, tha Fotini Shehu nga shoqata “Drita e Diturisë” në Greqi.

Aktualisht janë rreth 50 nxënës të cilët marrin pjesë në kurset e gjuhës shqipe në Selanik të Greqisë. Ata shprehen mjaft të kënaqur që patën mundësi të vijnë në Korçë për të parë nga afër muzeun e arsimit dhe të njihen me përpjekjet e rilindasve për mbrojtjen e gjuhës shqipe.

“Sot erdhëm këtu për të mësuar shqipen më mirë”, tha një nxënëse.

“Jam shume  lumtur që erdha të shoh shkollën e parë në Korçë”, u shpreh një tjetër.

Për shkak të vendosjes së prioritetit nga qeveria shqiptare për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, trupi diplomatik jashtë vendit ka hapur klasa të mësimit të gjuhës shqipe me fonde të qeverisë shqiptare. Këto kurse pritet të shtohen edhe më tej në vitet në vijim.

Gazetare: K.Koçi  

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›