Messi, Messi, Messi

Lionel Messi është bërë futbollisti i dytë pas Michel Platinis që fitoi Topin e Artë për tri vite me radhë duke triumfuar në zgjedhjen e më të mirit në botë për 2011-ën në ceremoninë në Zurich.
Ylli i Barcelonës fitoi çmimin inaugurues FIFA Topi i Artë – kombinim i Topit të Artë të magazinës France Football dhe Futbollistit më të mirë të vitit në botë nga FIFA – vitin e kaluar, pasi kishte marrë të dyja çmimet më 2009. Rivalët e Messit në garën e sivjetme ishin bashkëlojtari i tij nga Barcelona Xavi dhe ‘armiku’ nga Real Madridi, Cristiano Ronaldo, fitues i Topit të Artë më 2008.
Por, argjentinasi 24 vjeç ishte favorit absolut për të mbajtur çmimin pas një viti gjatë së cilit inspiroi skuadrën e tij drejt titujve në La Liga dhe Ligën e Kampionëve. “Dua t’i falënderohem të gjithëve të përfshirë në klubin e Barcelonës si dhe Kombëtaren e Argjentinës, është trofe i veçantë për mua dhe do ta ndajë suksesin me Xavin” tha Messi.
Ai shënoi dy herë në Bernabeu, derisa Barcelona mposhti rivalin e saj të përhershëm Realin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndërsa realizoi edhe në fitoren 3-1 ndaj Manchester Unitedit në finale në Wembley.
Gjatë këtij sezoni ai ka shënuar golin e 200-të për Barcelonën dhe është afër rekordit të Cesar Rodriguezit prej 235 golash për klubin. Topi i Artë votohet nga selektorët e ekipeve Kombëtare, kapitenët si dhe një panel i gazetarëve të përzgjedhur nga magazina France Football. Platini, aktualisht president i UEFA-s, kishte fituar çmimin mes 1983 dhe 1985 derisa luante për Juventusin dhe ishte i vetmi që kishte triumfuar për tri vite me radhë.
Guardiola, trajneri më i mirë
Në garë për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit, Pep Guardiola i Barcelonës mposhti konkurrencën nga rivali i tij nga La Liga, Jose Mourinho dhe menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson.
Neymar, goli i vitit
Fitues i çmimit Ferenc Puskas për golin më të mirë të vitit u shpall sulmuesi i ri brazilian Neymar me shënimin e tij fantastik në solo depërtim gjatë ndeshjes mes Santosit dhe Flamengos në korrik të vitit të kaluar.
Sawa, fituese te femrat
Në kategorinë e futbollisteve, Topi i Artë i takoi mesfushores së Japonisë, Homare Sawa pasi udhëhoqi reprezentacionin e saj drejt titullit të kampionit të botës 2011 në Gjermani. Ajo fitoi në konkurrencë me ish kampionen Marta nga Brazili dhe sulmuesen amerikane Abby Wambach.
Formacioni ideal
Barcelona dhe Real Madridi kanë gjithsejtë nëntë futbollistë në ekipin ideal të vitit 2011 të FIFA/FifPro XI. Iker Casillas; Sergio Ramos, Gerard Pique, Nemanja Vidic, Dani Alves; Andres Iniesta, Xavi, Xabi Alonso; Cristiano Ronaldo, Wayne Rooney, Lionel Messi.