E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, futbollistët presin ndërhyrjen e drejtuesve

Nga Elton Karaj

Me ekipin bashkohet sot në stërvitje sulmuesi Galica, ndërkohë që pritet edhe Sekseni. Olatunji duket se është larguar përfundimisht

Tek Elbasani situata mbetet e paqartë dhe futbollistët presin që drejtuesit të ndërhyjnë sa më shpejt që gjithçka të rregullohet sa më parë dhe ekipi të punojë i qetë në përgatitjet për fazën e dytë. Këto ditë të para të stërvitjes ka pasur shumë zëra në lidhje me largimin e disa prej titullarëve, por asgjë nuk ka marrë trajtë zyrtare. I larguar nga verdheblutë mund të konsiderohet për momentin vetëm afrikani Olatunji, i cili nuk është se ka lënë gjurmë gjatë fazës së parë.

Sulmuesi tjetër, shkodrani Elhan Galica, duket se ka ndërruar mendje dhe do të qëndrojë tek Elbasani. Ai ka ardhur dje në Elbasan dhe sot pritet të bashkohet në stërvitje me grupin e futbollistëve, gjë që pritet ta bëjë së shpejti edhe mbrojtësi Ardi Sekseni. Ndoshta kjo javë do të jetë përcaktuese për verdheblutë, që së pari presin që drejtuesit e klubit tu japin zgjidhje disa problemeve thelbësore, siç është ana financiare.

Futbollistët duan të marrin garanci për anën financiare, që më pas të stërviten me qetësi dhe seriozitet nën drejtimin e dyshes File-Dosti. Po ashtu, ata presin që ekipi të përforcohet me disa elementë cilësorë gjatë merkatos së dimrit, për të synuar një vend në 5-shen e parë gjatë fazës së dytë.

Deri tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje konkrete nga ana e drejtuesve verdheblu dhe tifozët duken skeptikë sa i takon objektivit për kthimin e Elbasanit në superligë, por gjithçka mund të ndodhë. Së fundi, është bërë e ditur se në Elbasan do të vijnë disa futbollistë afrikanë, të cilët do të testohen nga stafi teknik dhe më pas do të shihet nëse i vlejnë ekipit, por njëkohësisht në Ruzhdi Bizhuta mund të vijnë edhe futbollistë të rinj nga ekipe të superligës, ku ata nuk gjejnë hapësirë për të luajtur rregullisht.

Huazimi i tyre do të ishte një zgjidhje ideale për elbasanasit në këtë moment, kur ata kanë vështirësi financiare. Me kalimin e ditëve do të marrin përgjigje shumë nga problemet që po kalon aktualisht ekipi verdheblu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›