Kapiteni Metaj: Turbina të rrisë kualitetin vendës
Futbollisti me përvojë mendon se është më mirë tu besohet të rinjve cërrikas se të shpenzohet për mercenarët
Kapiteni i skuadrës cërrikase, Elis Metaj, u sugjeron sërish drejtuesve më të lartë të klubit që të rishohin mundësinë e aktivizimit të futbollistëve vendës, me qëllim që të ulin kostot e larta financiare. Deklarata e kapitenit Metaj vjen pikërisht në prag të grumbullimit të skuadrës për fillimin e seancave stërvitore. Faza përgatitore e dimrit është menduar të zhvillohet në terrenet brenda Cërrikut.
”Jam dhe mbetem partizan i idesë, që Turbina të ketë një skuadër të vetën, pra me sa më shumë futbollistë vendas. Tentuam që gjatë fazës së parë ta praktikonim këtë, por sërish kishim shumë jabanxhinj, të cilët në fund nuk rezultuan të suksesshëm për ne. Mendoj se, nëse cërrikasit Çekrezi, Shkoza, Balla dhe Shosha luajnë për ne fazën e dytë, do të kemi një Turbinë me pretendime. Sa më shumë lojtarë vendës të aktivizojmë, aq më shumë ulim kostot financiare për lojtarë nga kryeqyteti apo gjetkë.
Jemi ende në vallen e pretendentëve, ndaj duhet të ndërtojmë një skuadër me ”gjak” vendës, – u shpreh për Sportin shqiptar kapiteni Elis Metaj. Nga ana tjetër, të gatshëm për tu aktivizuar te skuadra cërrikase janë edhe disa lojtarë të talentuar të U-19-ës. Ndër ta spikat sulmuesi Damiano Sopjani, i cili u aktivizua edhe gjatë fazës së parë me skuadrën e parë. Ndërkaq, burime të sigurta pranë bashkisë së qytetit bëjnë të ditur se gjithçka do të marrë udhë, por më parë duhet miratuar buxheti për vitin 2012 për të mësuar se cila do të jetë shifra që do të përfitojë futbolli.
