E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi injoron epitetin e më të mirit

Lionel Messi thekson se nuk i intereson që konsiderohet “më i miri në botë” dhe thotë se dëshiron të kujtohet për titujt që ka fituar. Messi, 24 vjeç, është favorit të fitojë Topin e Artë 2011 dhe mund të bëhet futbollisti i parë në histori pas Michel Platinis që merr çmimin e tretë të njëpasnjëshëm, nëse sërish shpallet fitues.

Reprezentuesi argjentinas është krahasuar me legjendat Pele dhe Diego Maradona dhe shumëkush ka sugjeruar se ai tashmë ka tejkaluar arritjen e dy ish ikonave të futbollit. Megjithatë, Messi injoron përfshirjen ne debat.

“Nuk jam i interesuar për krahasime të tilla dhe nuk luaj për t’u bërë më i miri në botë. Luaj për të mirën e ekipit dhe dua të fitoj tituj”, tha Messi për France Football. “Kur t’i var këpucët, dua të kujtohem si futbollist i mirë, por nuk më intereson a jam më i miri. Dua të kujtohem për titujt që kam fituar me ekipin dhe çmimet individuale”, shtoi ai.

Pele së fundmi ka premtuar se do t’ia dërgojë Messit xhirimet më të mira të karrierës së tij, pasi ylli i Barcelonës pranoi se kurrë nuk e kishte parë duke luajtur. “Do të doja të shihja Pelen në fushë, por ai ende nuk më ka dërguar DVD-në me golat e tij. Të gjithë thonë se ai ishte futbollist i jashtëzakonshëm, por nuk mund të formoj një mendim pa e parë duke luajtur”, përfundoi Messi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›