E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gomez, drejt rekordit të Muellerit

Forma e shkëlqyeshme e sulmuesit të Bayern Munichut, Mario Gomez ka zgjuar sugjerime se ai mund të thyejë rekordin e Gerd Muellerit për më së tepërmi gola të shënuar brenda një sezoni në Bundesligë.

Gomez ka realizuar 12 gola në 11 ndeshjet e para. Rekordi i takon Muellerit me 40 gola në sezonin 1971-72. Gomez po ashtu shënoi het-trik brenda 25 minutash në fitoren 3-2 kundër Napolit në Ligën e Kampionëve të mërkurën, ndërsa do të jetë optimist se do të shtojë kuotën e golave kur lideri i Bundesligës takohet me Augsburgun të shtunën.

Augsburg, në pozitën e 17-të, duket kundërshtar i përshtatshëm për 26 vjeçarin Gomez të vazhdojë me shënimet e tij. Bayern ka realizuar 30 gola dhe pranoi vetëm tri, derisa udhëheq në renditje me katër pikë më tepër se Schalke 04. “Nuk ka dyshime. Jam optimist se Mario mund të thyejë rekordin tim”, tha ish legjenda e Bayernit dhe e Gjermanisë, Mueller.

Shenjat janë të mira për Gomezin, por sulmuesi gjerman i injoron ato. “Kjo është vetëm për publikun. Ajo që ka rëndësi janë titujt që fitoni me ekipin. Liga dhe Kupa, kjo ka rëndësi. Sigurisht se jam i lumtur, por në fund të fundit golat janë detyrë e imja”, tha Gomez i cili është vetëm futbollisti i dytë në 27 vitet e fundit në Bundesligë që ka shënuar 12 ose më tepër gola në 11 ndeshjet e para.

Vedad Ibisevic kishte realizuar 13 herë në sezonin debutues të Hoffenheimit në Bundesligë më 2008/09, para se të lëndohej dhe mungonte në pjesën e dytë të edicionit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›