E Shtunë, 31 Tetor 2026

25 vite të arta

Sir Alex Ferguson do të shënojë 25 vjetorin e tij në drejtim të Manchester Unitedit në ndeshjen kundër Sunderlandit, në Old Trafford, të shtunën. Sipas futbollistit më besnik të tij Ryan Giggs, strategu skocez veçohet për etikën e punës dhe dashurinë e pafund për futbollin. Nën drejtimin e deritashëm të Fergusonit, Djajtë e Kuq kanë fituar më tepër se 30 tituj, përfshirë 12 kurora të Premierligës.

Një etikë e jashtëzakonshme e punës dhe dashuri e pafund për lojën i kanë mundësuar Sir Alex Fergusonit të mbetet në drejtim të Manchester Unitedit për një çerek të shekullit, sipas mesfushorit veteran të ekipit Ryan Giggs.

Ferguson, 69 vjeç feston përvjetorin e tij të 25-të në ndeshjen kundër skuadrës së ish kapitenit të Unitedit Steve Bruce, Sunderland në Premierligë të shtunën. “Ai adhuron gjithçka rreth punës së tij”, tha Giggs për magazinën Inside United për trajnerin më të suksesshëm në futbollin britanik.

“Ai e adhuron përcjelljen e futbollistëve të Unitedit, atij i pëlqen të shikojë zhvillimin e futbollistëve të tij. Ju nuk mund të bëni atë që bën ai në moshën e tij dhe të keni etikën e punës që ka ai. Etika e punës së tij është e shkëlqyeshme. Ne mund të kthehemi në shtëpi nga një ndeshje evropiane në udhëtim në ora katër të mëngjesit, por ju mund të jeni të garantuar se ai do të jetë i pari në stërvitje në ora 8 të mëngjesit dhe do të jetë i fundit që largohet”, shtoi Giggs i cili debutoi nën drejtimin e Fergusonit në moshën 17 vjeç.

Reprezentuesi uellsian ka qenë anëtar i secilit ekip të Unitedit që fitoi 12 tituj në Premierligë, sikurse Ferguson. “Këshilla më e mirë që më ka dhënë? Të punoj shumë”, tha 37 vjeçari Giggs.

“Ju mund të keni të gjitha kualitetet në botë, por puna e madhe është çelësi i gjithçkaje. Me kalimin e viteve, ai ka përcjellë shumë futbollistë kualitativë duke ardhur e shkuar, por gjëja kryesore që i dallon futbollistët e mirë nga të tjerët është etika e punës”, vazhdoi Giggs. Sulmuesi i ri meksikan, Javier Hernandez i takon një gjenerate tjetër nga ajo e Giggsit, por ai ka mendim të njëjtë me uellsianin sa u përket arritjeve të Fergusonit.

“Do të ishte mrekulli në Meksikë nëse dikush mbetet në detyrë për 25 vite. Nganjëherë një menaxher është në drejtim të ekipit për vetëm dy ndeshje para se të shkarkohet. Ju mund të flisni për të gjithë titujt që ka fituar dhe të gjitha vitet që ka kaluar në drejtim të ekipit, por nuk do t’i dinit këto nëse e shikoni në pankinë. Çdo ndeshje duket sikur është e para. Ai është aq i entuziazmuar, dëshiron të fitojë çdo ndeshje. Ai kurrë nuk mërzitet së fituari”, tha Hernandez.

Ferguson ka ngritur më tepër se 30 tituj gjatë aventurës së tij në Old Trafford, por duhet të shtojë talentin dhe shpirtin luftarak në ekip nëse dëshiron të fitojë titullin e tij të 13-të në Premierligë në maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›