E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi nuk simulon kurrë

Nga Express më 03 tetor 2011 në ora 22:00

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka mohuar kategorikisht akuzat se Lionel Messi është futbollisti i cili simulon, pas fitores së skuadrës së tij me rezultat 1-0 në udhëtim te Sporting Gijon.

Messi më herët ishte ndëshkuar me karton të verdhë për simulim në barazimin 2-2 me Real Sociedadin, por Guardiola i ka dalë në mbrojtje yllit argjentinas duke theksuar se ai është futbollist i ndershëm dhe iu mohua një penallti, pas një ndërhyrjeje nga qendërmbrojtësi i Gijonit, Alberto Botia.

“Nuk e kam parë, por të gjithë duhet të dinë se kur Messi rrëzohet, atëherë është sepse është fauluar. Gjyqtarët e kanë parë më mirë se unë, por duhet të keni parasysh këtë fakt”, tha Guardiola.

Sa i përket ndeshjes, Guardiola lavdëroi ekipin e tij që mori pikë të plota nga një udhëtim mjaft i vështirë për ta.

“U përballëm me një Sporting Gijon të mirë me shumë futbollistë prapa, afër njëri-tjetrit. Nuk kishim hapësira sepse ata u mbyllën mjaft mirë. Por, e kontrolluam lojën dhe arritëm të shënojmë një gol, fituam pa u lejuar atyre raste për shënim”, përfundoi Guardiola. Fitorja ndaj Gijonit e dërgoi Barcelonën në krye të tabelës për herë të parë këtë sezon, me pikë të barabarta me Levanten.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›