E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayerni shpërblehet me birra

Pas rezultateve pozitive në fillim të këtij sezoni në Bundesligë dhe Ligën e Kampionëve, trajneri Jupp Heynckes ka vendosur t’i shpërblejë futbollistët e tij duke u dhënë leje të vizitojnë festivalin e famshëm të birrës Oktoberfest. Strategu gjerman thotë se lojtarët e kanë merituar këtë me lojën dhe sjelljet që kanë treguar deri më tani gjatë këtij edicioni. Nga Express më 04 tetor 2011 në ora 08:54

Si shpërblimin për fitimin e 10 prej 11 ndeshjeve të tyre të fundit, futbollistët e Bayern Munichut kanë vizituar festivalin e famshëm të birrës Oktoberfest të dielën. Edhe pse barazuan pa gola në Hoffenheim të shtunën, Bayern ka tri pikë epërsi në krye të Bundesligës.

Arjen Robben, Thomas Muller dhe kapiteni Phillip Lahm ishin disa prej futbollistëve të Bayernit që shijuan birra, muzikë dhe atmosferën e festivalit, që çdo vit në Bavari tërheq më tepër se gjashtë milionë vizitorë.

Trajneri Jupp Heynckes, i cili po ashtu mori pjesë, tha se ka besim se futbollistët e tij do të sillen në mënyrë profesionale gjatë ngjarjes, që shërben më tepër se shtatë milionë litra të birrës gjatë periudhës dyjavore të zhvillimit.

66 vjeçari, i cili fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin më 1998, tha: “Futbollistët e meritojnë. Ata kanë qenë shumë profesionistë. E dinë saktësisht se çka mund të bëjnë dhe çka nuk duhet të bëjnë”.

Bayern synon të rikthejë titullin e Bundesligës pas përfundimit prapa Borussia Dortmundit në edicionin e kaluar. Gjiganti bavarez ka fituar gjashtë prej tetë ndeshjeve të tyre në ligë, përfshirë triumfin ndaj Freiburgut me rezultat të thellë 7-0.

Ata po ashtu kanë marrë pikë të plota nga dy takimet e para të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, kundër Villarrealit dhe Manchester Cityt. Portieri Manuel Neuer – i cili iu bashkua klubit gjatë afatit kalimtar të verës nga rivali Schalke 04 – nuk ka pranuar asnjë gol për 1018 minuta duke thyer për më tepër se pesë minuta rekordin e legjendës së Bayernit, Oliver Kahn.

“Kemi punuar shumë në javët dhe muajt e fundit, keni të drejtë të shpërbleni veten kohë pas kohe”, tha Lahm. Bayern të shtunën zhvillon ndeshjen e ardhshme kundër Hertha Berlinit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›