E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi vs Pele, Cryuff, Maradona & Zidane

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, e ka përshkruar Lionel Messin si futbollistin më të mirë në histori. Kurse në opinionin e gjerë vazhdon debati rreth statusit të argjentinasit. Ky është një krahasim mes Messit me legjendat si Pele, Diego Maradona, Johan Cryuff dhe Zinedine Zidane.

Lionel Messi shfaqi një tjetër paraqitje të shkëlqyeshme kundër Real Zaragozas të shtunën, duke realizuar dy herë në fitoren 4-1 dhe arriti në kuotën e 60 golave këtë sezon.

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, tashmë e ka përshkruar argjentinasin si “futbollistin më të mirë në histori”, kurse duke llogaritur arritjet e tij të deritashme, është vështirë të thuhet e kundërta se Messi është më i miri i gjeneratës së tij. Edhe pse vetëm 24 vjeç, Messi është bërë golashënuesi më i mirë i Barcelonës.

Chelsea duhet të mbajë të qetë Messin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ose rrezikon të bëhet viktima e tij më e re. Ueb faqja ESPNStar.com ka bërë një krahasim mes Messit me ish ikonat e kaluara të futbollit.

Pele

I konsideruar si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, braziliani është njësi matëse me të cilën krahasohen gjithë të tjerët. Sulmuesi fitoi tri kampionate botërore dhe shfaqi një prej paraqitjeve të tij më të mira në fitoren e finales së vitit 1970 ndaj Italisë me rezultat 4-0, kur realizoi një dhe krijoi dy prej golave të skuadrës së tij. Karrierën e përfundoi me 1281 gola në 1363 ndeshje.

Diego Maradona

Zakonisht i konsideruar si rivali më i përafërt i Peles, edhe pse Messi tani është duke i shkaktuar presion. Në kohën e tij më të mirë, Maradona ishte kënaqësi për t’u shikuar, futbollist në gjendje të ndryshonte i vetëm rrjedhën e lojës. Për dëshmi mund të shikoni golin e tij në solo-depërtim kundër Anglisë në çerekfinale të Kampionatit botëror 1986. Në nivelin e klubeve ai i ndihmoi Napolit të triumfonte në kampionatin italian. Por, reputacioni i tij ndërkombëtar është dëmtuar nga polemikat si ‘Dora e Zotit’ në golin e asaj përballjeje me Anglinë dhe përjashtimi i tij nga Botërori 1994, pas testit pozitiv për doping.

Johan Cryuff

Sulmuesi i shkëlqyeshëm holandez mbetet sinonim i ‘Futbollit Total’ të Tulipanëve nën drejtimin e selektorit Rinus Michels. Kombinimi i shpejtësisë, shkathtësisë dhe vizionit e veçoi atë si futbollistin më të mirë evropian të gjeneratës së tij. Ai fitoi 10 tituj në ligë dhe tri kupa të Evropës me skuadrat si Ajax, Barcelona dhe Feyenoord. Por, asnjëherë nuk arriti të sigurojë një medalje të fituesit në Kampionatin botëror pasi Holanda u mposht nga Gjermania Perëndimore në finalen e vitit 1974. Ai mungoi në garën e 1978-ës për shkak të frikës rreth sigurisë së familjes së tij pas një tentim rrëmbimi.

Zinedine Zidane

Mesfushori ishte elementi më kreativ i skuadrave të Francës që fituan Kampionatin botëror 1998 dhe Euro 2000. Zidane posedonte aftësi të jashtëzakonshme të shërbimit, por edhe ishte në gjendje të mbante barrën e realizimit të golave vendimtare, si ai që i ndihmoi Real Madridit të mposhtte Bayer Leverkusenin në finalen e Ligës së Kampionëve më 2002. Fatkeqësisht karriera e tij përfundoi në pikë të ulët, pasi goditja e tij me kokë ndaj mbrojtësit italian Marco Materazzi bëri që ai të përjashtohej në finalen e Kampionatit botëror 2006, ku Franca u mposht nga Italia pas penalltive.

Lionel Messi

Ylli i Barcelonës dhe i Argjentinës vazhdimisht krahasohet me ikonat e lartpërmendura. Fuqia e tij e përgjithshme e bën pothuajse të pamundur të ndalet. Messi – fitues i njëpasnjëshëm i tre Topave të Artë - ka dëshmuar se nuk ka frikë nga shtigjet e mëdha dhe pas triumfeve në Ligën e Kampionëve më 2009 dhe 2011, ai do të synojë të përfundojë në krye edhe në një Kampionat botëror pas dëshpërimit më 2010. Në rast se e bën këtë, do ta sigurojë vendin në mesin e legjendave, edhe pse shumëkush mendon se ai tashmë është aty.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›