Nora: Luftëtari do ti bëjë 15 fitore në Gjirokastër
Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, i cili i hapi rrugën fitores me Besën, kërkon 3 pikët edhe në transfertën e Fushë-Krujës
Luftëtari, pas “kryqëzimit” që i bëri Burreli, u ringjall të shtunën, duke fituar me Besën në prag të Pashkëve Katolike, kurse në prag të Pashkëve Ortodokse do të përballet në transfertë me Ilirinë, që në fazën e parë e ka mundur 5-1, rezultati më i thellë që ka arritur këtë kampionat. Gjirokastritëve u kanë mbetur të luajnë 3 ndeshje jashtë fushe dhe po aq në shtëpi.
Fitorja 2-1me Besën, nëpërmjet golave të Norës, i cili u ngjit në kuotën e 13 golave, dhe të Mersinit, në kuotën e 4 golave, e mbajtën Luftëtarin në krye të renditjes, ku e ndjek këmba-këmbës Kukësi, me të cilin do të përplaset në mënyrë të pashmangshme javen e parafundit në fushën e tij.
Të dy presin ndonjë hap të gabuar të njëri-tjetrit. Këtë jave Luftëtari luan në transfertë, kurse Kukësi në shtëpi, pra i pari e ka më të vështirë realizimin e objektivit, por kur del fitues me Besën, nuk ka arsye logjike pse të humbasë pikë me Ilirinë, edhe pse ndeshjet nuk i ngjajnë njëra-tjetrës.
Rëndësi ka impenjimi që do të tregojnë futbollistët, karakteri i paepur që duhet manifestuar edhe në Fushë-Krujë, lufta për topin e parë, loja me top dhe pa top, gjëra që duhen bërë në mënyrë konstante dhe jofragmentare.
Nora Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, ashtu si çdo futbollist, kaloi një periudhë shterpësie, për të mos thënë krizë, gjë që u reflektua në 5 ndeshje pa shënuar dhe me humbjen e 2 penalltive, por ja që në ndeshjen më delikate, atë me Besën, shënoi golin e parë, duke ngritur në këtë mënyrë moralin e ekipit. Ai ndikoi kështu në atë fitore të rëndësishme për të mbajtur vendin e parë.
Vetë futbollisti shprehet: Jam i gëzuar dhe krenar jo vetëm për faktin se shënova në portën e Besës së fortë, duke hapur mundësinë për fitore, por pikërisht se kjo u arrit dhe kështu Luftëtari, si asnjëherë tjetër në historinë e tij, me sa di unë, nuk ka realizuar 12 fitore radhazi në një kampionat në po aq ndeshje në fushën e tij. Jam i sigurt që do ti bëjmë 15.
Me Besën fituam me meritë, edhe pse kundërshtari krijoi raste, ashtu si edhe ne. Por dihet që jo të gjitha rastet kthehen në gol. Shumë e rëndësishme është që të vazhdojmë të marrim fitore dhe këtë duhet ta bëjmë së pari në transfertë me Ilirinë. E dimë që do të hasim në rezistencë të fortë, por besoj se do tia dalim mbanë, sepse realisht mundësitë i kemi për një gjë të tillë.
