E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit: Maturantët, jo më kurse private

Arsimtarët e shkollave të mesme komentojnë shpjeguesin e programit të provimeve të detyruara

Maturantët mund të mos kenë nevojë më për kurse private, të paktën për lëndën e letërsisë dhe asaj të matematikës. është ky opinioni që vjen nga vetë mësuesit që janë njohur me shpjeguesin e programit të orientuar të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore 2010. Sipas këtyre mësuesve që japin mësim në lëndët e dy provimeve të detyruara të maturës, letërsisë dhe matematikës, bëhet e ditur se ky shpjegues i programit të pyetjeve e orienton nxënësin dhe madje e ndihmon atë që të shkëputet nga varësia e të mësuarit nëpër kurse private. Kjo, pasi shpjegimet së bashku me shembujt e dhëna për çdo model pyetje apo teze, krijojnë një lloj pavarësie te nxënësi dhe e bëjnë atë të gjejë zgjidhje logjike. Ndërkohë që vetë mësuesit pohojnë se ky shpjegues bën të mundur që nxënësi të dijë ku të përqendrohet gjatë provimit dhe të mos bjerë pre e presionit psikologjik, sikundër ndodh në shumë raste kur bëhet fjalë për testime te të rinjtë. Një tjetër vlerësim që vjen nga mësuesit e lëndëve bazë të shkollave të mesme është ai që lidhet me natyrën e këtij shpjeguesi. Ai konsiderohet prej tyre si një guidë se si duhet të studiohet një autor, ndërkohë që krijon mundësinë që njohuritë e marra të mos përdoren vetëm për një provim, por të ruhen gjatë në kujtesë.

Gjithashtu, mësuesit shprehen të kënaqur edhe për faktin se përmes këtij fondi pyetjesh, të rinjtë kanë mundësi që t’i testojnë vetë njohuritë e tyre. Kjo, pasi çdo lloj alternative është dhënë me ilustrime. Ka mësues të tjerë që pohojnë se nxënësit kanë bërë gjithmonë letërsi dhe gjuhën e kanë pasur më shumë frikë në provim. Por, sipas tyre, duke dhënë këta shembuj, nxënësit familjarizohen dhe dinë të testojnë dhe të zhvillojnë vetveten.

Tanimë vetë mësuesit pohojnë se është në dorë të të rinjve që të përgatiten sa më mirë për provimet e fundit të shkollës së mesme. E megjithatë ata shtojnë se përgatitja e shumë të rinjve lë për të dëshiruar. Kjo pasi jo të gjithë janë lexues të rregullt. Ndërsa shtojnë se kjo është kategoria më vulnerabël edhe gjatë provimeve të fundit.

Andrea Vorri
Mësues matematike
Nxënësit kur i thua test, e ka tabu. Por ky shpjegues së bashku me shembujt dhe ilustrimet që ofrohen për çdo pyetje e ndihmojnë të kuptojë një koncept për formën, të kristalizojë të gjitha konceptet që ka marrë dhe të dijë që këto koncepte janë baza të një testi. Pyetjet e karakterit analitik i ndihmojnë nxënësit që të pozicionohen, të formohen. Tani mbetet në dorë të tyre që të përgatiten sa më mirë për provimin e matematikës. Duhet shumë punë dhe përpjekje, në mënyrë që të arrihen rezultate të mira.

Miranda Shehu
Mësuese letërsie
Shpjeguesi i programit për pyetjet e provimit të maturës që ka dalë është thelbi i së tërës, pasi është një lloj orientuesi për nxënësin. Kur ka provim një i ri, ka nevojë të dijë se ku duhet të përqendrohet. Po kështu edhe ne mësuesit e kemi më të thjeshtë që t’i orientojmë nxënësit se ku duhet të fokusohen më shumë në studim dhe se çfarë të kenë parasysh për t’u përgatitur sa më mirë për këto provime. Në shpjegues është operuar deri në detaje. Ndaj dhe nxënësit nuk kanë përse të hallakaten për letërsinë. Unë e shoh si një guidë se si studiohet një autor.

Edlira Shabani
Mësuese letërsie
Udhëzuesi që ka nxjerrë Ministria e Arsimit është mjaft praktik. Ai është një guidë se si duhet të studiohet. E bën nxënësin që të testojë veten paraprakisht. Një nxënës që pretendohet që ka studiuar nga niveli mesatar, e teston veten. Kjo është më e mira. çdo lloj alternative është dhënë me ilustrime dhe kjo e bën që nxënësi të mos mbetet “fotokopje me ngjyra”. Nxënësi është origjinal dhe madje nuk ka më nevojë as për kurse. Mjafton që të studiojë dhe të përqendrohet në atë që është thelbësore dhe e rëndësishme. Jo gjithçka që lexohet duhet mbajtur mend. E rëndësishme është që nxënësi të fitojë logjikën.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›