E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit festojnë 7 Marsin një ditë përpara

Festa e mësuesve, 7 Marsi, këtë vit ka ardhur një ditë më herët. Dhe kjo, jo për shkak të ndonjë lajthitjeje në kalendar, por prej faktit se i bie e shtunë dhe nuk ka mësim. Gjithashtu, një tjetër arsye që festat e mësuesve në pjesën më të madhe të shkollave është festuar më herët ka qenë edhe mungesa e aktiviteteve të programuara mes mësuese dhe nxënësve. Ndërkohë që sot pritet që restorantet të mbushen plot nga mësues të cilët preferojnë që të shijojnë një drekë të mirë, me rastin e festës së tyre dhe jo të marrin pjesë në takime të mërzitshme, ku lexohen gjithmonë të njëjtat fjalime nga titullarët.

Ata që kanë provuar realisht festën e mësuesve të tyre që më 6 mars kanë qenë nxënësit, të cilët ashtu si edhe tradicionalisht ndodh në vendin tonë, kanë bërë dhuratat e radhës. Nuk kanë munguar lulet, por këtë vit "menysë" së dhuratave për mësuesit u janë shtuar edhe librat.

7 Marsi përkujton datimin e shkollës së parë shqipe në vend. Në këtë datë të vitit 1887 është çelur në Korçë Mësonjëtorja e Parë, arritje e cila përkujtohet çdo vit në Shqipëri, duke i atribuuar profesionit të mësuesit vlerat e përhapjes së diturisë. Aktualisht, në Shqipëri numërohen rreth 38 300 mësues që ushtrojnë profesionin e tyre, prej të cilëve mbi 30 mijë japin mësim në shkollat 9-vjeçare dhe rreth 7900 të tjerë në shkollat e mesme.

Më 7 Mars, Kryeministri i vendit do të mbledhë në Pallatin e Kongreseve rreth 3 mijë arsimtarë, për të ndarë me ta urimin e festës. Ndërkohë që, vetëm dy ditë më parë, kreu i qeverisë shfuqizoi një urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, sipas së cilit plot 3 mijë mësues do të duhej të linin detyrat e tyre si arsimtarë me kontratë për të kaluar në dispozicion, ose për të punuar vetëm disa orë mësimi në javë, sipas nevojave që do të paraqisnin shkollat e ndryshme. Ky udhëzim u kundërshtua fort nga Federata e Sindikatave të Arsimit, që kërkoi shfuqizimin e menjëhershëm të tij, pasi shkelte edhe Kodin e Punës.

Ky 7 Mars për të gjithë mësuesit në vendin tonë vjen në një situatë kur debati mbi cilësinë e mësimdhënies dhe nivelin e arsimit në Shqipëri është në tone relativisht të ngritura, sidomos në nivelin politik. Kjo, në mënyrë të veçantë mes opozitës dhe përfaqësuesve të institucionit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›