E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruanda, vendi ku qeverisin "amazonat"

Rose Mukantabana, drejton të vetmin Parlament në botë që ka numrin më të madh të femrave. "Në kulturën tonë barazia e femrave është konsideruar si diçka e shenjtë. Një proverb i famshëm ruandez thotë se fatkeqësia mbizotëron në shtëpinë e atij burri që nuk e lë gruan të flasë". Mukantabana buzëqesh dhe mbushet me frymë, pasi ka bërë një copë rrugë. Në 15 vitet e fundit Ruanda ka kaluar nga proverbat në rekordet botërore, nga traditat që i ndalonin gratë të ishin pronare toke, të kafshëve, të shtëpive, madje edhe të një llogarie të thjeshtë në bankë, deri te ligjet që imponojnë shifrën 30 për qind të përfaqësisë femërore në çdo organizëm publik, nga ministritë tek universitetet, nga gjykatat te spitalet. Ndryshe nga sa ndodh në vendet e ndryshme të botës, në zgjedhjet e fundit politike gratë ruandeze arritën të fitonin 45 vende në Parlament nga 80 të tilla, duke bërë kështu që 56 për qind e tij të përbëhet nga seksi i dobët. Gratë në vend drejtojnë Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Jashtme dhe të Infrastrukturës. Po ashtu, grua është edhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, përgjegjësja e agjencisë së hyrjeve në vend. Përpos tyre edhe rendi e siguria është lënë në dorë të grave. Shefja e policisë, Mari Gahonzire, me një buzëqeshje të bukur thotë se beson që "nuk ka kolege në asnjë anë të botës". Duke hasur në një fenomen të tillë që shpesh nuk e gjen në asnjë nga vendet më të civilizuara, sigurisht që të vjen ndër mend të gjesh çelësin e këtij sekreti, ose të paktën të pyesësh se si është e mundur të ndodhë kjo. "E vërteta është se duhet të guxosh", thotë Rose Mukantabana. "Duhet vullneti i grave dhe vullneti politik për të realizuar këto". Vërtet fjalë të shenjta që duken sikur janë thënë nga goja e ndonjë feministeje skandinave. Kryetarja ruandeze thotë se "Gjenocidi i ka ndryshuar shumë. Na u desh të merrnim përsipër përgjegjësi të mëdha dhe shpesh të punonim dyfishin apo trefishin për burrat që nuk ishin më". Nga zyra e saj, si Kryetarja e Parlamentit me më shumë femra në botë, Rose Mukantabana, shijon panoramën e pemëve të bananeve, në një qytet të qetë, të pastër dhe të sigurt. Kigali është akoma qendra e një prej vendeve më të varfra në botë, por pak nga pak po shndërrohet në një prej vendeve ku mund të imagjinosh Afrikën e të nesërmes. Është një popull që kërkon të arratiset nga historia e tij. Në memorialin e Giszosit, në periferi të kryeqytetit, një panel të kujton gjenocidin e vitit 1994 ku u vranë më shumë se 800 mijë veta. Si arrin të mbijetosh ndaj një milion viktimave, 2 milionë personave në emigrim, 300 mijë jetimëve dhe të paktën gjysmë milioni gra të përdhunuara dhe traumatizuara? Këtë pyetje vendi e bën çdo vit në javën e dytë të prillit kur të gjithë mbajnë një minutë heshtje, dëgjojnë muzikë klasike dhe kujtojnë atë tmerr që ka përjetuar çdo familje, por që me sa duket nuk ka lënë gjurmë në jetën sociale. Sepse sot Ruanda po lufton AIDS-in, malarien, analfabetizmin dhe mezi po pret vitin 2020 kur Presidenti Paul Kegame, që qeveris vendin duke synuar barazinë sociale dhe atë burrë-grua, ka premtuar se varfëria do të jetë një kujtim i largët. Nga e ardhmja sheh edhe Zhuljet Curira, një vajzë e vendosur 25-vjeçare që jeton në Nyamata. Zhuljet është optimiste, sepse në Ruandë gratë kanë zbuluar një tjetër botë. Me një anglishte që nuk të lë hapësirë për keqkuptime thotë: "Dikur ishim të mira vetëm për të bërë fëmijë. Sot, mund të shkojmë në bankë, të kërkojmë hua, të jemi sipërmarrëse". Ajo drejton një dyqan me veshje të përdorura, ose më mirë dy: "më duhet të shkoj sërish në bankë, sepse puna po më ecën mirë dhe dua të hap një të tretë", thotë. Këtu në Nyamata, një provincë e thellë në vend sipas statistikave të OKB, shumë prej njerëzve jetojmë me më pak se një dollar në ditë. "Në vitet e fundit këtu për ne gratë ka ndryshuar gjithçka. Sot nëse burri përpiqet të të qëllojë me pëllëmbë mund të drejtohesh te përfaqësuesit e grave në fshat, e qortojnë, këshillojnë dhe kujdesen që kjo gjë të mos përsëritet më", tregon një tjetër grua vendase. E të mendosh se në Nyamata, thuajse 60 për qind e grave ka raporte biznesi me një nga pesë bankat në vend. Shumë prej tyre frekuentojnë çdo muaj asamblenë ku gratë thirren dhe diskutojnë për problemet e tyre, përfshi edhe ato ekonomike. Janë sipërmarrëse të vërteta dhe shpresojnë në norma të ulëta interesi nga bankat. Punojnë që fëmijët e tyre të bëhen ministra, parlamentarë, madje edhe mjekë. Për këtë është e bindur edhe Chantall Nyiraneza, liderja e këshillit të grave të fshatit. 32 vjeçe dhe 1 metër e 80-të e gjatë, më 2006-ën, me një kredi të vogël në bankë arriti të hapte një kioskë që sot është shndërruar në një nga restorantet më të pëlqyera në vend. "Për mamanë time ekzistonin vetëm fëmijët, zjarri dhe shati për të prashitur. Për mua jo. Tani kam punën time dhe fëmijët e mi do të bëjnë çfarë shkolle që të duan, ato që unë nuk munda t‘i bëja dot". Një lidere e vërtetë. Kur e pyet nëse ishte këtu në Nyamata në kohën e gjenocidit, Chantall përgjigjet: se askush në vend nuk mund t‘i harrojë vuajtjet që kanë duruar në këto 15 vjet. "Të gjithë duhet të kujtojmë se jemi një vend të mbijetuarish", tregon. Në gjashtë vitet e fundit në vend, numri i të infektuarve me HIV është ulur nga 13 në 3 për qind të popullsisë, malaria nga 9 në 3 për qind si shkak vdekjeje, ndërsa shkollimi është rritur nga 74 në 86 për qind te fëmijët. Merita e grave? "Nëse nuk do të ishin mbështetur te ne, pas gjenocidit vendi do të kishte ndalur", tregon Oda Gasinzigwa, prej disa muajsh shefe e "Gender Monitor", programi i hartuar nga qeveria për të treguar çdo lloj diskriminimi që mund t‘u bëhet grave në vend. Kështu mendon dhe Aisa Kirabo Kacyira që ishte veterinare, parlamentare dhe tani është kryetare e bashkisë së këtij kryeqyteti afrikan. ‘Familja është një shoqëri dhe nënat janë liderët e tyre. Merita e klasës sonë politike ka qenë se na dha mundësinë që ta tregonim se çfarë jemi të afta të bëjmë". Rregullimin e marrëdhënieve mes tutsve dhe hutuve dhe vendosja e barazisë mes burrit dhe gruas: jeta e re e Ruandës së "shpëtuar" nga vdekja nis këtu. Por a ishte më e vështirë të luftosh paragjykimet mes etnive apo atë mes gjinive? "Gratë kanë qenë gjithmonë të nënshtruara prej kohës, ndërsa dhuna etnike ishte një shpikje e kolonizatorëve, e kriminelëve. Hutuve dhe tutsve kultura jonë nuk i ka kushtuar kurrë proverba negative", përfundon Rose Mukantabana.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›