E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mision i zakonshëm?

Në kohën kur Evropa kishte rrezik të zhdukej, siç thoshin profecitë e shumta në lidhje me vdekjen e këtij "kontinenti të plakur", kishte filluar të jetësohej ideja (e shprehur shekuj më parë nga shumë teoricienë) e një Evrope "të bashkuar në dallueshmëri". I "lindur" pas Luftës së Dytë Botërore, preokupimi i tij, i parë, ishte të bashkonte kombet dhe popujt e Evropës, e njëkohësisht të parandalonte më të keqen e mundshme. Ky jetësim i kësaj ideje (në atë atmosferë që tregohej si "rasti kurioz i Abulias", një koncept i zbuluar nga psikiatrit në shekullin XIX, që do të thotë: humbje apo mungesë dëshire pa pasur arsye bindëse), edhe për optimistin më të pandreqshëm është parë me skepticizëm. Sepse, pas përfundimit të Luftës II Botërore e deri në vitet ‘90, "Evropa e moçme" kishte shfaqur më theksueshëm shenjat e moshës së shtyrë, saqë, fati i saj vendosej mes Uashingtonit dhe Moskës.

Misioni i EULEX-it, i përgatitur nga Bashkimi Evropian, ka një domethënie më ndryshe për dallim nga ato misionet e zakonshme që marrin organizata të ndryshme. Mund të ketë edhe pasiguri në kontekstin e së ardhmes. Por, përqendrimi i këtij misioni në tri shtylla, që janë kryesore në vetë strukturën e BE-së, tregojnë edhe qëllimin e tij.

Dihet mirëfilli që ky mision është i pari i këtij lloji, i kësaj organizate të bashkimit të shteteve. Po ashtu, është e njohur që disa vende brenda këtij lloji nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, disa prej të cilave nuk janë kundër dhe veprimet e tyre kanë treguar se mund të marrin vendim në favor tonë, fjala vjen, Greqia. Por, në këtë, ka edhe të atillë, fjala vjen, spanjollët kanë lobuar kundër nesh. Në këtë mision do të ketë misionarë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, pavarësisht faktit që kjo superstrukturë shtetërore (me pretendime për të qenë mbinacionale) nuk ka një vendim të përbashkët për Kosovën, shtet në të cilin ka filluar sprovën, që do të tregonte edhe më theksueshëm se është e gatshme për të qenë (jo domosdoshmërish) aleate e SHBA-së.

Në anën tjetër, mungesa e unitetit në Bashkimin Evropian, apo mosarritja deri më tashti e një qëndrimi të përbashkët për çështjen e Kosovës (madje edhe proklamimi i këtij misioni si neutral), pastaj mosmiratimi i Kushtetutës evropiane (e të tjera çështje), ngrenë një pyetje të qenësishme për ekzistencën e tij, se: "A ka krizë të bashkimit a të koordinimit brenda tij?". Natyrisht që koha do të tregojë nëse këto "përçamje" dhe ideja që, "secili të luajë për veten", do të ndikojnë në formësimin e së ardhmes. Madje, para disa kohësh të mendosh për misione të tilla ka qenë më shumë iluzore. Prezantimi i Evropës (pas Luftës II Botërore) në kohë krizash botërore nuk ka qenë frymëzues. Paaftësia e saj për të vepruar gjatë krizës së Gjirit Persik është një argument më shumë në këtë mungesë frymëzimi.

Më ka rastisur të dëgjoj se, kohëve të sotme, shumë njerëz në Perëndim marrin gradën doktor shkencash, duke pasur për disertacion doktorature tema të natyrës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, ku për më tepër UNMIK-u te ne ka ardhur si mision i OKB-së, e që kjo e fundit ka për qëllim, ndër të tjerash, mbikëqyrjen dhe propagandimin e respektimit të të drejtave të njeriut. Meqenëse qëllimi kryesor i shtetit është të rrisë mirëqenien e qytetarëve-shtetasve, misioni i Bashkimit Evropian mund të ndihmojë në këtë drejtim, por jo edhe një mision i ngjashëm sikurse ai i UNMIK-ut, për shkak se puna e tij nuk ka dhënë rezultate të tilla.

Kohëzgjatja për aderim e Republikës së Kosovës në strukturat e kësaj superstrukture shtetërore, do të jetë edhe produkt i vetë Bashkimit Evropian. Sepse në njëfarë mënyre, Bashkimi Evropian përmes misionit të tij është bashkëpjesëmarrës i projektimit dhe ndërtimit të së ardhmes së Kosovës!

Dikur ishte në një gjendje esëll, por pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, parashikimet mortore për "kontinentin e plakur" dolën të ishin të pasakta. Një epokë e re kishte aguar, dhe kjo për shkak se Evropa, dikur e ndodhur me "një këmbë në varr", e kishte marrë veten. Kjo kishte ngjallur edhe besimin e Presidentit amerikan, Bush, kur më 1990 thoshte: "Evropa ishte bërë sërish një partnere në udhëheqjen e botës". Në histori gjithmonë ka ndonjë dyshim në lidhje me periodizmin, por rrallëherë parametrat kanë qenë kaq të përafërt sa në këtë rast specifik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›