USAID, gatishmëri për ndihmë në fushën e shëndetit publik
Takimi
Williams: Do të angazhojmë specialistë të njohur nga SHBA për bashkëpunim konkret
Me rastin e marrjes së detyrës së re të drejtorit të USAID në Shqipëri dhe në kuadër të eksplorimit të mundësive të bashkëpunimit midis USAID dhe Ministrisë së Shëndetësisë, u organizua një takim pune mes ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe drejtorit të sapoemëruar të USAID, Joseph Wiliams.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të zyrës së USAID për Shqipërinë. Drejtori i Misionit të USAID, Joseph Williams, vlerësoi transparencën në punën dhe programin e ministrisë, adresimin e çështjeve të shëndetit publik dhe planin e reformave. Nga ana tjetër, Williams shprehu gatishmërinë e USAID për të bashkëpunuar në fushën e reformave shëndetësore.
Ai nënvizoi qartë se USAID është tejet i gatshëm t’u përgjigjet dhe të ndihmojë projektet që Ministria e Shëndetësisë i sheh si të dobishme për shëndetin publik në vend.
USAID do të vazhdojë të mbështesë, Reformat në Kujdesin Shëndetësor Parësor, Shëndetin Riprodhues, si dhe Shëndetin e Fëmijëve, Telemedicinën.
Williams theksoi gatishmërinë e USAID për të angazhuar specialistë të njohur nga SHBA dhe vende të tjera sipas fushave të bashkëpunimit dhe projekteve konkrete. Projektet që do të financohen do të jenë në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë vlerësoi kontributin thelbësor të USAID përmes projektit disavjeçar “ProShëndetit” në reformimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor, si një sektor kyç në përmirësimin e shëndetit të popullatës.
Një vlerë e shtuar e mbështetjes së USAID në fushën e shëndetësisë ka qenë dhe është qëndrueshmëria e investimit në logjistike, strukturim të sistemit shëndetësor dhe mbi të gjitha në njohuri dhe aftësi të burimeve njerëzore. Sakaq, në fundjavë do të zhvillohen takime në nivel ekspertësh për detajimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e shëndetësisë.
#