E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimi çek; si të shikohen filmat e komunizmit!

Regjisori Pirro Milkani nuk është nga ata regjisorë që e mbyll hesapin me komunizmin, kohë kur njihet krijimtaria më aktive e tij, duke thënë “ashtu ishte koha”. Kësaj alibie ai i shpëton në ditët e sotme, duke zhveshur krejtësisht “lëkurën” e ndjesisë së fajit apo të dëshpërimit pse iu (sh)përdor talenti. Asgjë e përbashkët nuk është me këto, sot kur kujton filmat e tij, Pirro thotë: “Kush guxonte atëherë të dilte nga binarët?! Nuk është shfajësim as ky, por një lloj lëngate që në atë kohë përkthehej direkt me burgosje, internim dhe punë prodhuese dhe në djall jeta!” Këtë regjisori Milkani na e thotë në një ditë kur është kthyer plot refleksione nga Çekia.
Për një javë Milkani ka qenë “ambasador” i filmit shqiptar, kur tashmë janë të njohura lidhjet e tij me këtë vend, duke kujtuar dhe njohjen që mori nga realizimi dypalësh i filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder”, një projekt që i është propozuar të vazhdojë në një seri të dytë.
Në temperaturën -20 gradë, Milkani na tregon se si djem të rinj me çantë në shpinë, ngrehnin çadra dhe në kolektiv unanim ndiqnin filmat e festivalit 50-vjeçar të filmit në Çeki, “Karlovy Vary” - dhe nëse qëllonte që filmi nuk u pëlqente, fenomeni ndodhte, në grup djemtë braktisin sallën menjëherë dhe produksioni mund të quhej i dështuar. Duhet thënë që në sitin e këtij festivali, në internet numëroheshin mbi dhjetë kinema të vëna në dispozicion, duke nisur nga 100 vende deri në 1 mijë.
Java e filmit shqiptar atje, sipas Milkanit, u ndoq me interes. Nga data 27 janar dhe deri dje në mbrëmje në kinemanë “Ponrepo” të Arkivit Çek të Filmit pesë filma shqiptarë evokonin diktaturën dhe tregonin një situatë reale kinematografike të pasviteve ’90. Ndonëse nuk kuptohet se në ç’kritere këta filma përfunduan në Çeki, në arkivin e këtij shteti, Milkani na thotë se prodhimet tona përfaqësoheshin me filmat “Koncert në vitin ‘36” i regjisorit Saimir Kumbaro, si produksion i ish-Kinostudios, “Trishtimi i zonjës Shnajder” i Milkanit, “Parullat” i Gjergj Xhuvanit, “Mao Ce Duni” i Besnik Bishës (i shfaqur dje në mbrëmje) dhe filmi “Gjallë” i Artan Minarollit, i cili, edhe vjet ka qenë i pranishëm në Çeki, si konkurrues në festivalin e “Karlovy Vary”, në seksionin “Lindje Perëndim”.
Por, siç shihet nga logjika e Arkivit, bëhet fjalë për produksione që flasin për diktaturën, ku krahasimi mes atij produksioni që u realizua në diktaturë nën ndikimin e ideologjisë dhe këtyre të pasviteve ’90 trajtimi duket krejtësisht ndryshe, njëri demagogjik dhe tjetri ironik. Pikërisht, thotë Milkani, për filmat që janë prodhuar në kohën e sistemeve diktatoriale, i kanë shtyrë edhe organizatorët e festivalit “Karlovy Vary” të krijojnë një seksion të posaçëm nga arkivi i këtij produksioni - por jo të rrahë ndonjë nostalgji. Milkani na thotë se çekët e kanë ngritur këtë seksion për t’i parë filmat që u krijuan në atë kohë, për të reflektuar duke hapur një debat të madh se si duhen parë këta filma sot. Pra, ky reflektim lidhet direkt me ideologjinë komuniste, se si dogma e saj bënte shpëlarjen e trurit. Nëse çekët e kanë gjetur një mënyrë për t’ia dalë kësaj mendësie akoma edhe sot, duke e ngritur çdo gjë në debat dhe reflektim të hapur, në Shqipëri kategoria e filmave që u krijuan në trysninë ideologjike deri më sot nuk kanë marrë përgjigje definitive nga regjisorë e kineastë se si u krijuan, në ç’kushte iu mohua liria krijuese, problemet e censurës, nënshtrimin ndaj asaj ideologjie qoftë dhe si arsye frike, por dhe ndërgjegje se kishin pranuar dogmën si gjithë shoqëria shqiptare etj. Të gjitha pra këto arsye të subkoshiencës krijuese, të një patologjie të rëndë të pashprehur ku u indoktrinuan të gjithë shqiptarët, ende nuk ka marrë zbulimin e duhur, asgjë nuk është pranuar deri tani se si duhen parë këta filma të nostalgjisë. Milkani ka të drejtë kur mendon aq gjatë dhe aq shumë për anën komerciale të filmit se si duhet reklamuar dhe shitur në treg, se si një film i mirë shkon gati në përqindje të barabarta me publicitetin e të tjera si këto, por ndoshta harron se një arsye gati inkoshiente është dhe kjo, pse filmat e nostalgjisë vazhdojnë t’u shiten ekraneve dhe trotuareve njëkohësisht. Askush akoma nuk ka ngritur një debat për situatën se si duhet parë një film i tillë sot. Detyrë publike që duhet ta bëjnë vetë strukturat publike, por qoftë dhe festivalet që organizohen këtu. Është një përpjekje nga TIFF, por kjo ka mbetur sërish në kuadrin e nostalgjisë, me frikën mos shemben “monumentet” e filmit. Vetë Milkani e ka të vështirë ta pranojë, kur para pak ditësh, një nga ekranet dha filmin e tij “Besa e kuqe”. Është evokim i një historie tashmë të njohur që lidhet me pesë heronjtë e vigut. Milkani tregon se filmi, pas një incidenti, përfundoi në Arkiv, por më pas, më ’82, kur Enver Hoxha nuk ishte më në gjendje, filmin e pa Ramiz Alia. Skenari është shkruar nga Vath Koreshi dhe Dhimitër Anagnosti, por u kthye mbrapsht për t’u rishkruar në një version tjetër pasi atyre “lart” nuk u pëlqente fabula. Milkani tregon se historia është krejtësisht e vërtetë. Vetë regjisori e ka të vështirë të pranojë se shfaqja e këtij filmi sot mund të indoktrinojë të rinjtë. Por në realitet kjo ndodh. Nëse këta autorë të filmit nuk flasin se si ka ndodhur në të vërtetë ngjarja dhe cilat janë momentet ku është ndërhyrë në devijimin dhe manipulimin e historisë - ekranet do të vazhdojnë të kenë nostalgji, qoftë dhe për kuriozitetin skematik pa vrarë shumë mendjen se çfarë ndodh me trurin, në përpunimin dhe përplasjen e të dhënave historike.
Duke iu referuar në një bisedë të lirë këtij filmi, shtyrë si refleksion, se si shumë vende të Lindjes vazhdojnë pa ndërprerje t’u tregojnë publikut se si duhet të shihet e kaluara komuniste, Milkani thotë më në fund se vetëm finalja e filmit të tij “Besa e kuqe”, çasti kur një nga “heronjtë”, pra sekretari i partisë, shkruan letrën, është ndërhyrja ideologjike. Dhe këtë e kalon me shpejtësi për të kujtuar se si ngjarja e ndodhur në atë kohë është krejtësisht e vërtetë. Se vërtet, një plak 70-vjeçar, që ishte vrasësi në film, kishte kaluar tortura nga hetuesia, duke u pyetur për ngjarjen kanunore që përshkruan filmi.
Historia e rrëfyer nuk ka të bëjë me kriminelë, siç na vjen në ngjarje, por Milkani thotë se në atë kohë këto zona të thella të veriut shqiptar ishin tepër rezistente ndaj komunizmit. Kur nga ana tjetër ishte porosia që të gjithë shqiptarët të ktheheshin në komunistë. Në këto kushte, kur rezistenca antikomuniste po kalonte përpjekjet e fundit që të mos instalohej regjimi komunist, një film i tillë patjetër që bëhet evokim i një ndjesie të indoktrinuar krejtësisht; arsyeja që shëtit shpesh se ishin të rinj e kishin ideale. Klithma e sinqertë e Milkanit është në një pikë: se kush guxonte të dilte në këto kushte nga binarët!? “Jam sjellë vërdallë kinostudios me zemër të ngrirë se çfarë do të ndodhte me filmin. Të gjithë punonim që t’i shpëtonim punës prodhuese, nëse kundërshtohej vija e partisë. Pra nuk kishim rrugë tjetër jo të jetonim sipas atyre kushteve, ose të...” Nga ky film Milkani kujton se janë hequr katër minuta, nga më brilantet ku mbyllej me Roza Anagnostin. Por, ky moment sot e kësaj dite nuk ekziston në film, Angnostët e mbajnë gojën mbyllur nuk e rrëfejnë, Milkani thotë gjysmën e të vërtetës - të asaj që iu shfaq, që iu tha të bënte.
Atëherë lind pyetja: A ka ardhur koha që edhe në Shqipëri, qoftë nismë nga Arkivi apo nga festivalet e filmit, të arrijmë të ndërtojmë një debat të hapur, duke marrë shkas nga mësimi çek se si duhen parë këta filma?!
Prandaj, rruga që ka bërë Milkani deri në Çeki është dhe arsyeja se si filmat shqiptarë reflektojnë realitetin tonë në dy kohë; para dhe pas diktaturës. Regjisori tregon se për filmat shqiptarë kishte mjaft kuriozitet, ku edhe debati pas shfaqjes së tyre është bërë pikërisht në mënyrën se si trajtohen këta filma sot në Shqipëri. Sipas Milkanit, pas çdo shfaqjeje ka pasur një seancë pyetjesh, ku më së shumti kanë qenë të interesuar për mënyrën e realizimit të filmave nën komunizëm dhe gjendja sot e kinemasë shqiptare. Realizimi i këtij shkëmbimi që u bë falë bashkëpunimit mes dy arkivave të filmit dhe ambasadës shqiptare në Çeki, nuk është vetëm një lloj vëmendjeje thjesht miqësie, por një nismë prej të gjitha vendeve të Lindjes, për t’u shkëputur nga një e kaluar që krijoi hendekun me Perëndimin. Ky është dhe rezultati i një katalogu të përgatitur me këtë rast, ku veç sinopsit për secilin nga filmat, përmban edhe një historik të shkurtër të kinemasë shqiptare, shkruar nga Milkani. Filmat, kryesisht prodhime të pas ‘90-s, janë ndjekur nga kritikë të filmit, mes të cilëve edhe emra të njohur.
Materialet filmike janë shkëmbyer mes arkivave të dy vendeve, ndërsa Milkani shprehet se nga bashkëbisedimet gjatë aktivitetit, filmat shqiptarë do të shfaqen për një publik më të gjerë. Veç prodhimeve të mësipërme, “Syri magjik” i Kujtim Çashkut dhe dokumentari “Romancë joniane” i Virgjil Kulit në formatin DVD do të shfaqen në auditorët e universiteteve. Deri më tani universitetet e Pragës “Bërno”, “Ollomouc”, “Çeske Bugjejovice” i janë përgjigjur kësaj nisme. Sipas Milkanit, në të ardhmen Arkivi Qendror i Filmit mund të organizojë në kinemanë e rikonstruktuar edhe javën e filmit çek në Tiranë. Ndoshta kjo do të shërbejë për të folur për herë të parë në historinë post-tranzicion se ku do të na çojë kjo nostalgji, në fitime parash, në rrezik indoktrinomi apo do të shërbejë të kuptojmë pse ende nuk është ndarë prej nesh mendësia komuniste. Nëse çekët nuk i shfaqin filmat për këtë, sepse e kanë mbyllur kapitullin politik dhe moral me komunizmin, në Shqipëri akoma nuk është hapur një debat i tillë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›