E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, sot testi për kualifikimet në kategori

TIRANE- Mbi 3 mijë mësues nga i gjithë vendi do të testohen gjatë ditës së sotme në Tiranë. Ata do i nënshtrohen provimit specifik për të përfituar rritjen në kategori. Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe ambientet ku do të shpërndahen mësuesit për t'u testuar, ndërkohë që ata do të mbikqyren nga administratorë të përzgjedhur. Më pas testet do t'i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga specialistët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit në Tiranë dhe vetëm pas kësaj rezultatet e secilit kandidat do të dërgohen nëpër drejtoritë arsimore përkatëse.
Atestimi
Për të pestin vit radhazi zhvillohet në Tiranë, për të shmangur abuzimet gjatë këtij procesi të vlerësimit të njohurive të mësuesve. Këtë vit, është IZHA (Instituti i Zhvillimit të Arsimit) që do të administrojë të gjithë procesin. Ajo ka hartuar programet vjetore për provimin e kualifikimit në të cilin përshkruhen objektivat e arritjeve të kandidatëve dhe literatura e detyrueshme profesionale. Për të siguruar një mbarëvajtje të këtij procesi, IZHA, ka trajnuar më parë të gjithë personat që do të jenë përgjegjës të provimeve, administratorët, sekretuesit, hartuesit e fondit të kërkesave dhe të testit, si dhe vlerësuesit e testeve. Të 3 mijë mësuesit, nga i gjithë vendi, do të testohen në 37 profilet e tyre dhe do të jenë në ambiente të veçuara. Ndërkohë që ata do të monitorohen nga administratorët, për të cilët merret masa e largimit nga puna, nëse ata lejojnë mësuesit që të kopjojnë. I nënshtrohen povimit të kualifikimit të gjithë mësuesit, të cilët deri më datën 31 dhjetor të vitit 2010 plotësojnë vjetërsinë prej5, 10 dhe 20 vite punë. Nëse rezultojnë fitues në këtë provë njohurish në lëndën që ata japin çdo ditë në shkollë, atëherë do të përfitojnë një rritje page respektivisht prej 5%, 10% dhe 20%, sipas shkallëve të kualifikimit. Kush kapet duke kopjuar ndëshkohet me përjashtimin me dy vjet nga mundësia për të përfituar rritjen e pagës, ndërsa mbetësit duhet ta provojnë sërish vitin e ardhshëm për të marrë këtë shtesë mbi pagë, që është e përfitojnë përveç rritjes së pagave që merret çdo vit me vendim qeverie.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›