Ilir Meta: Partitë politike të qëndrojnë larg incidenteve, qytetarët kanë nevojë për alternativa dhe projekte

Kreu i LSI-së prezanton në Lushnje kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Albert Sanxhaku
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta është ndalur sot në qytetin e Lushnjës për të prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, z. Albert Sanxhaku.
Duke vlerësuar punën e z. Sanxhaku në mandatin e parë si kryebashkiak të këtij qyteti, z. Meta tha se “me zotin Sanxhaku sot Lushnja është një qytet më i rëndësishëm si më parë sepse z. Sanxhaku gjatë këtij mandati të parë të ti, për herë të parë në Lushnje kemi një degë të universitetit bujqësor të Tiranës dhe Lushnja filloi të bëhet një qytet universitar”.
Në fjalën e tij para mijëra qytetarëve lushnjarë, Meta theksoi se “Aleanca për Qytetarin” vjen në këto zgjedhje me një larmi projektesh në interes të qytetit dhe qytetarit. Ai tha se partitë politike duhet të heqin dorë nga retorika e konflikteve politike për t’u fokusuar në alternativa dhe projekte konstruktive. “Jo, këto janë zgjedhje vendore, janë zgjedhje lokale, këto janë zgjedhje për t’i dhenë zgjidhje problemeve që ka komuniteti në Lushnje, në Tiranë apo në çdo bashki dhe komunë të Shqipërisë. Këto nuk janë zgjedhje për t’u dhënë bashkitë atyre që kërkojnë të thellojnë konfliktet politike vetëm për interesin e karrierës së tyre personale. Prandaj qytetarët në mënyrë të kulturuar, në mënyrë demokratike do të shkojnë më 8 maj drejt kutive të votimit dhe do të votojnë për ata që kanë një program, për ata që kanë një bilanc pozitiv, do të votojnë për ata, të cilët bëjnë një fushatë të hapur dhe transparente”- u shpreh kreu i LSI.
Duke folur për ndryshimet që ka pësuar qyteti i Lushnjes gjatë qeverisjes së kryetarit të bashkisë Albert Sanxhaku, Meta tha se në 8 maj qytetarët do të votojnë për vazhdimin e këtij progresi. “Është një kënaqësi e madhe që jam sot këtu me ju për të shprehur mbështetjen e fitores së kandidatit Albert Sanxhaku edhe për në mandat tjetër katër vjeçar. Unë besoj se puna e bërë gjatë këtyre katër viteve ka sjellë ndryshime të rëndësishme, por njëkohësisht ka hedhur baza të forta për një progres shumë më të fuqishëm për të gjithë komunitetin e Lushnjës gjatë katër viteve që vijnë, pa përmendur ato që të cilat i theksoi gjatë fjalës së tij kryebashkiaku juaj z. Sanxhaku, unë do të doja të veçoja në mënyrë të veçantë që gjatë këtij mandati të parë të ti,j për herë të parë në Lushnje kemi një degë të universitetit bujqësor të Tiranës dhe Lushnja filloi të bëhet një qytet universitar dhe shumë shpejt me angazhimin e zotit Sanxhaku edhe të qeverisë shqiptare do të bëhet edhe godina e këtij universiteti dhe jam i sigurt se edhe degë të tjera të universiteteve të ndryshme do të hapen gjatë katër viteve që vijnë. Sepse Lushnja është një qytet me potenciale të jashtëzakonshme, sepse Lushnja ka shumë të rinj dhe të reja të cilët duan të mësojnë, duan të kualifikohen, duan të përgatiten për të ardhmen dhe janë mundësitë që kjo gjë të ndodhë pikërisht edhe këtu në qytetin e Lushnjes”- u shpreh Meta.
Duke iu referuar kreut të Partisë Socialiste dhe kryebashkiakut të Tiranës në largim, Edi Rama, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se ai ka shkatërruar Tiranën. Sipas Metës, Edi Rama s’ka qenë në gjendje që për 11 vjet me radhë të miratojë as planin urbanistik të kryeqytetit, gjë të cilën e ka bërë në mënyrë të kultuaruar Albert Sanaxhaku brenda një mandati.
“Në Tiranë kryebashkiaku në largim edhe në fund të mandatit të tretë nuk e ka bërë studimin urbanistik, ndërsa në Lushnjë vetëm në mandatin e parë kryebashkiaku Sanxhaku miratoi studimin e përgjithshëm urbanistik të Lushnjes që do t’i sigurojë asaj një perspektivë shumë më të mirë të një qyteti të mirëorganizuar dhe më standarde evropiane për të gjithë banorët”- tha Meta. Ai gjithashtu vlerësoi kandidatin Sanxhaku si njeriun e punës dhe përkushtimit të qytetit dhe qytetarëve. “Ne e dimë se për një kohë të gjatë qyteti i Lushnjes ka vuajtur për ujin e pijshëm por është një meritë e padiskutueshme e Albert Sanxhakut në bashkëpunim me qeverinë shqiptare që më në fund pikërisht në qershor të këtij viti, vetëm një muaj pas rikonfirmimit të tij si kryetar i bashkisë së Lushnjes që do të bëhet me votën e të paktën 2/3 të qytetarëve më 8 maj, do të fillojë implementimi i projektit madhor penj 13 milion eurove me donatorët e huaj për të zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve për të gjithë qytetin e Lushnjes. Ashtu si gjatë mandatit të parë kur u investua në ndërtimin e shkollave të reja, u investua për shërbime të reja sociale, shumë investime të dobishme do të ndodhin. Por diviza e zotit Sanxhaku dhe e të gjithë neve është që të konkretizohet sa më parë, brenda vitit të parë të mandatit të dytë parku industrial i Lushnjes pasi biznesi lushnjar por edhe biznesi vendas dhe ai i huaj meriton të ketë një park industrial me të gjithë lehtësitë, me të gjithë infrastrukturën, në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e bizneseve të tyre si dhe në rritjen e punësimit të qytetarëve të lushnjes”, tha Meta duke shprehur besim të plotë se “më 8 maj Lushnja do të votojë për qytetarin e saj, do të votojë për projektet të cilat janë realizuar dhe që janë në proces, Lushnja do të votojë për progresin e saj dhe për të ndërtuar solidaritetin ndërmjet gjithë qytetarëve lushnjarë, pa i ndarë dhe pa i etiketuar sikurse bëjnë të tjerët”. “Po kështu, Lushnja do të votojë në mënyrë që bashkia të zgjidhë problemet e qytetarëve dhe të mos merret peng nga ata që e kërkojnë bashkinë për të bërë sherr me qeverinë.