Mësuesit,shtesa në pagë sipas titujve që do marrin
zirina llambro
Tituj jo vetëm për të bërë diferencën në pagë, por edhe në kualifikim. Rezultatet e pritshme janë rritje e mëtejshme e nivelit profesional. E jo vetëm kaq. Me këtë risi arsimtarët mund të arrijnë shkallën më të lartë të karrierës jo më për 25 vite punë, por 16 të tilla. Për të marrë titullin i duhet të testohen, ndërsa vlerësimi do të jetë me kredite. Kjo është reforma më e re që pritet të ndërmerret shumë shpejt me mësuesit. Draft-dokumenti për Sistemin e Zhvillimit Profesional të arsimtarëve ka përfunduar. Këtë bëjnë me dije burime zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. “Dokumenti në zbatimin e tij do të fokusohet në trajnimin e mësuesve duke rritur standardet profesionale të tyre, të cilat do të përfitohen nga shkallët e karrierës”, sqarojnë specialistët e ministrisë. Sipas tyre, akreditimi i shërbimit trajnues do të jetë risia e kësaj reforme.
Titujt
Ndryshe nga tani, shkallët e karrierës së një mësuesi nuk do të jenë me numra, por me tituj që do të sigurohen përmes provimeve. “Mësues fillestarë”, “mësues i licencuar”, “mësues specialist” dhe “mësues mjeshtër”, janë titujt që përcaktohen në draftin politik të hartuar nga MASH. “Secila shkallë përshkruhet nga lista e vet e standardeve. Titulli i karrierës është për një lëndë dhe për një grupmoshë të nxënësve. Një mësues mund të aplikojë për titull karriere për më shumë së një lëndë, ose për më shumë se një grupmoshë nxënësish (që mund të jenë të arsimit të mesëm, të ulët dhe për atë të mesëm të lartë), ose për specializime të posaçme”, nënvizojnë hartuesit e draftit. Ata shpjegojnë se një mësues pas titullit më të lartë “mësues mjeshtër”, ka detyrime të ndjekë disa module që kanë të bëjnë me të rejat e domosdoshme shkencore dhe metoda të reja të mësimdhënies. Ato do të diktohen nga politikat kombëtare arsimore. “Nëse mësuesi nuk fiton shumën minimale të krediteve për këto module, i pezullohen rolet profesionale”, cilësojnë specialistët. Ata shtojnë se mësuesit me përvojë do të kenë një titull të veçantë onorifik, (i cili nuk mbrohet me provim), që do të shoqërohet me pagë të posaçme ose me ulje të ngarkesës mësimore. Kështu, mësuesit fillestarë, ata që sapo kanë marrë një diplomë universitare, kanë të drejtë të aplikojnë për titullin “mësues”, të paktën pas një viti të ushtrimit të profesionit në mësuesi dhe të shumtën pas katër vitesh. Intervali minimal kohor ndërmjet titujve “mësues” dhe “mësues specialist” është 5 vjet, ndërsa midis “mësues specialist” dhe “mësues mjeshtër” është 10 vjet.
Ulja e moshës në karrierë
Ndërkohë që mësuesi vendos vetë nëse do të aplikojë për një titull karriere dhe kur. “Në këtë mënyrë mësuesi ka mundësi të arrijë shkallën më të lartë të karrierës më herët se tani, nga 25 vjet, në të paktën 16 vjet. Ky ndryshim e bën itinerarin e karrierës të standardit tipik ndërkombëtar, intensifikon investimin trajnues për një periudhë moshe më të favorshme për zhvillim të shpejtë profesional. Çka bën që nga 24-49 vjeç aktualisht të ulet në 24-40 vjeç, ku për rrjedhojë pjekuria profesionale e mësuesit zgjat më shumë”, detajojnë ekspertët. Ndërkaq kalimi nga një titull karriere në atë pasues, do të shoqërohet me një shtesë korresponduese page, e bazuar në meritat profesionale. Këto merita përkthehen në pjesëmarrje, në trajnime, sigurim kreditesh. Numri i pikëve do të fitohet nga njohuritë teorike, aftësitë praktike për të dhënë mësim dhe arritjet e nxënësve.
Drafti i ri
Reforma
Nga 24 deri në 49 vjeç, mosha për shkallët e karrierës shkon në 24-40 vjeç,
Titujt
“Mësues fillestar”
“Mësues i licencuar”
“Mësues specialist”
“Mësues mjeshtër”
Shkallët e karrierës
Mësuesit fillestarë, aplikojnë për titullin “mësues”, të paktën pas një viti pune
Intervali minimal kohor ndërmjet titujve “mësues” dhe “mësues specialist” është 5 vjet
Intervali “mësues specialist” dhe “mësues mjeshtër” është 10 vjet
Mësuesi do të vendosë vetë nëse do të aplikojë për një titull karriere dhe kur.
Kurrikulat: Eksperienca në punë diferencon arsimtarët
Nga sa pohojnë specialistë të Institutit të Kurrikulave dhe Trajnimit, ka një ndryshim të madh ndërmjet mësuesve që kanë shumë eksperiencë dhe atyre japin mësim prej pak vitesh. Secila kategori ka të metat e saj dhe ka nevojë për kualifikime të mëtejshme. “Mësuesit e vjetër zotërojnë mirë anën metodike në mësimdhënie, por nuk kanë informacionet më të fundit. Këtë pjesë e kanë “përqafuar” më mirë mësuesit e rinj. Të cilët shpesh dinë ta organizojnë më mirë orën e mësimit, duke e bërë më interesante për nxënësit”, sqarojnë specialistët. Një ndryshim tjetër është edhe ndryshimi në vleftën e rritjes së pagës. Kështu, rritjen më të madhe të pagës, pohohet se do ta gëzojnë mësuesit me një eksperiencë të gjatë pune, të cilët kanë arritur dhe rezultatet më të larta në provim. Praktika e certifikimit të dijeve për mësuesit do të jetë e përvitshme, në mënyrë që të ndikohet pozitivisht në kualifikimin e njohurive të tyre. Nga ana tjetër, ajo do të ndihmojë mësuesit që gjatë këtyre fazave kanë aplikuar, por nuk kanë marrë pikë kaluese që të rifuten në testim për të përfituar rritjen e pagës sipas nivelit të përcaktuar.
Testimi, mësuesit e rretheve të pakualifikuar
Disnivele ndërmjet mësuesve që punojnë në rrethe dhe atyre të kryeqytetit. Testimi i disa muajve më parë për të përfituar shtesën në pagë deri në 20% dëshmon këtë fenomen. Në Tiranë këtë vit rreth 98 për qind e mësuesve të përfshirë në provim u vlerësuan pozitivisht. Por pavarësisht këtyre rezultateve pozitive ndryshe është paraqitur situata në rrethe. Shumë prej arsimtarëve që aplikuan për t’u rritur në kategori në testim u vlerësuan me nota jo kaluese e për rrjedhojë këta mësues do të jenë të detyruar të përfshihen sërish në testim gjatë vitit të ardhshëm, pasi këtë vit nuk do të mund të përfitojnë nga rritja e pagave. Këtë vit për mësuesit, para se të hynin në testim, duhej të përgatitnin “Portofolin e zhvillimit profesional”, i cili përmbante hartimin e objektivave të arritjeve të nxënësve, mënyrën e zhvillimit të orëve të lira në shkollë, lirinë e mësuesit për orët mësimore të parashikuara në programin lëndor.