E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat, 75% e nxënësve të pakënaqur nga mësuesit

 

Për nxënësit shqiptarë shkolla nuk përmbush detyrimin që ka për t’i arsimuar siç duhet. Ajo nuk u jep atyre dijet e nevojshme për të ardhmen. Një pjesë të mirë të mësuesve ata i cilësojnë të “mërzitshëm” dhe pa një metodologji që t’ua bëjë tërheqëse orën e mësimit. Madje, vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm edhe akuzat për diferencime në notë mes atyre, që bëjnë kurse private dhe të tjerëve që përpiqen t’i marrin notat me forcat e tyre. Një pjesë të mirë të këtyre ankesave e dëshmojnë edhe të dhënat, që vijnë nga studimi i UNFPA-së. Për herë të parë një studim i këtij lloji nxjerr në pah disa problematika të mprehta në arsim. Ekspertët e huaj rekomandojnë që Qeveria të marrë masa për të përmirësuar sistemin arsimor parauniversitar. Anketimi është kryer në 8 prefekturat e vendit. Janë intervistuar të rinjtë e viteve të fundit të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në këto prefektura. Kështu, mbi 75% e të anketuarve kanë pranuar se shkolla nuk siguron arsimimin dhe kualifikimin profesional. Përpos kësaj, gjysma e tyre i konsiderojnë problemet në arsim më të mprehtat dhe me një nevojë emergjente për zgjidhje. Për ta shkolla nuk e ofron sasinë e duhur të informacionit për të drejtat e të rinjve.
Pjesë e studimit ka qenë edhe punësimi i të rinjve. Kështu vetëm gjysma e tyre është në dijeni të faktit, që ekziston një legjislacion, që mbron fëmijët nga punët e rrezikshme, për rreth 22% të tyre një ligj i tillë nuk ekziston. Por rreth 58 % e të intervistuarve e konsiderojnë punësimin e tyre si një problem prioritar. Krahas kësaj, pjesa më e madhe e vlerësojnë ofertën e tregut të punës me karakter diskriminimi me bazë gjinore. Kështu nga sa ka rezultuar, prej të dhënave ndjehet qartë mungesa e punësimit te të rinjtë si një handikap, i cili vjen si nga mospërmbushja e detyrimit kushtetues për të siguruar arsimim dhe kualifikim profesional, në përputhje me aftësitë e tyre, ashtu dhe nga paaftësia për të prodhuar politika efektive, të cilat të promovojnë dhe mbështesin punësimin e të rinjve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›